Ushtria gjermane ka nevojë të shtojë rreth 100 mijë trupa shtesë, përveç 62 mijë ushtarëve të saj ekzistues për të përmbushur objektivat e reja të NATO-s që synojnë të rrisin gatishmërinë për kërcënimin në rritje të agresionit rus, ka thënë komandanti i saj në një dokument konfidencial të parë nga Reuters të enjten.
“Është e domosdoshme që ushtria të jetë e gatshme për luftë deri në vitin 2029 dhe të ofrojë aftësitë që Gjermania i premtoi NATO-s deri në vitin 2035”, ka shkruar Shefi i Ushtrisë, Alfons Mais, në një letër të datës 2 shtator, drejtuar shefit të shtabit të mbrojtjes, Carsten Breuer.
Në letrën e tij, Maisi ka thënë se arritja e këtyre objektivave është e pamundur me nivelet aktual të personelit ushtarak, të cilat përfshijnë edhe 37 mijë ushtarë joaktivë.
Gjermania ka filluar tashmë të rrisë angazhimet e saj ndaj aleatëve në Evropën Lindore, veçanërisht me krijimin e një brigade gjermane në Lituani që do të numërojë rreth pesë mijë trupa dhe duke vendosur patrulla detare në Baltik për të luftuar sabotimin nënujor.
Mais bëri thirrje për një rritje prej rreth 45 mijë trupash deri në vitin 2029 - viti kur aleanca e udhëhequr nga SHBA-ja ka thënë se pret që Rusia të jetë e aftë të kryejë sulm në shkallë të gjerë ndaj aleatëve perëndimorë.
Moska ka mohuar vazhdimisht çdo qëllim për të zhvilluar luftë kundër NATO-s ose anëtarëve të saj.
Në qershor, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka njoftuar se vendi i tij ka nevojë deri në 60 mijë trupa ushtarake aktive shtesë për të përmbushur objektivat e reja të NATO-s, të cilat do ta çonin forcën e Bundeswehrit të Gjermanisë në rreth 260 mijë ushtarë.