Botë

Rreth 1.700 ndërtesa pa ngrohje në Kiev pas sulmit rus me raketa dhe dronë

ukraine

Rreth 1.700 ndërtesa në kryeqytetin ukrainas, Kiev, vazhdojnë të jenë pa ngrohje pas një sulmi rus me raketa dhe dronë më herët gjatë kësaj jave, ka thënë të dielën kryetari i qytetit, Vitalii Klitschko.

Rusia ka intensifikuar ndjeshëm bombardimet ndaj sistemit energjetik të Ukrainës që nga pushtimi i vendit fqinj në 2022-tën.

Të shtunën Rusia lansoi një sulm të gjerë ndaj sistemit energjetik ukrainas, duke shkaktuar shpërthime gjatë natës në Kiev dhe duke lënë 1.2 milionë prona pa energji elektrike në mbarë vendin ndërsa temperaturat ishin nën zero.

“Objektivat kryesore të Rusisë tani janë sektori ynë energjetik, infrastruktura kritike dhe ndërtesat e banimit”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në X.

Sipas tij, vetëm këtë javë, Rusia ka përdorur më shumë se 1700 dronë sulmues, mbi 1380 bomba të dhe 69 raketa ndaj Ukrainës.

Çdo sulm masiv nga Rusia mund të ketë pasoja shkatërruese, tha Zelensky, i cili të dielën vizitoi Lituanin.

“Po punojmë me çdo lider për të forcuar Ukrainën. Të gjithë duhet të kuptoj në qartë kërcënimin që vjen nga Rusia”, shtoi ai.

Zv/kryeministri Oleksiy Kuleba tha të shtunën se më shumë se 3.200 ndërtesa në Kiev ishin pa ngrohje gjatë mbrëmjes, nga 6.000 që ishin në mëngjes.

“Që nga mbrëmja e djeshme, punonjësit e shërbimeve dhe kompanitë energjetike kanë rikthyer furnizimin me ngrohje për më shumë se 1.600 ndërtesa. Ata vazhdojnë punën për të rikthyer shërbimet në banesat e qytetarëve të Kievit”, tha Klitschko në Telegram.

Ky sulm masiv ndaj kryeqytetit ukrainas ndodhi pikërisht ndërsa negociatorë ukrainas, rusë dhe amerikanë po diskutonin në Abu Dhabi opsionet për përfundimin e luftës.