Botë

Roli “SOS Syria” në zhdukjen e fëmijëve nën regjimin e Assadit

Femijet sirian

Foto: BBC

Pas rënies së regjimit të Assadit në Siri, dolën në dritë prova tronditëse për zhdukjen sistematike të mijëra fëmijëve, përfshirë ndarjen e tyre me forcë nga familjet dhe manipulimin e identiteteve në jetimore si “SOS Syria”. Hetimi i BBC-së zbulon përfshirjen e organizatave ndërkombëtare dhe bashkëpunimin me strukturat shtetërore represive. Ndërsa prindërit ende kërkojnë fëmijët e tyre, autoritetet dhe institucionet ofrojnë pak ndihmë dhe transparencë

Reem al-Kari dhe kushërira e saj, Lama, po kërkojnë mes dhjetëra fotografive të fëmijëve të shpërndara mbi një tavolinë. Lama mendon se sheh një që i ngjan Karimit, djalit të zhdukur të Reemit.
Karimi ishte dy vjeç e gjysmë kur ai dhe babai i tij u zhdukën në vitin 2013, gjatë luftës civile në Siri, teksa kishin dalë për një punë. Ai është një nga më shumë se 3.700 fëmijët që janë ende të zhdukur edhe pas rënies e diktaturës së Assadit, dhjetë muaj më parë. Sot do të ishte 15 vjeç.

“A i ka sytë jeshilë?”, pyet burri pas tavolinës, drejtori i ri i Lahan Al Hayatit, një strehë për fëmijë e udhëhequr nga sirianët, e cila u themelua në vitin 2013 nga zonja e parë e atëhershme, Asma al-Assad. Ai po e sheh njërën nga fotot që gratë kanë zgjedhur, duke e krahasuar me një foto të Karimit kur ishte dy vjeç.

“Po”, përgjigjet njëra prej tyre.

“Vija e flokëve...”, thotë burri me mendje. “Ka një ngjashmëri, por...”. Zëri i zbehet. Detyra është shumë e vështirë.

Lahan Al Hayat është një nga disa qendra për fëmijë në Siri që u përdorën për të mbajtur fëmijët e prindërve të ndaluar gjatë luftës civile 2011-2024. Në vend që fëmijët të dorëzoheshin tek të afërmit e tyre, ata u mbajtën në jetimore dhe u përdorën si mjete politike. Në disa raste fëmijët u regjistruan gabimisht si jetimë ose iu ndryshuan identitetet, gjë që e bën shumë të vështirë gjurmimin e tyre - atëherë dhe tani.

Kur diktatura e Assadit ra papritur në dhjetor, gazetarët, aktivistët dhe familjarët fituan qasje në burime, vende dhe dokumente që më parë ishin të paimagjinueshme gjatë sundimit të tij shumëvjeçar. BBC World Service, së bashku me organizatën hulumtuese “Lighthouse Reports” dhe pesë media të tjera, ka ndërtuar një databazë me 323 fëmijë që janë mbajtur të fshehur nga regjimi sirian në një rrjet jetimoresh. Këtë e bënë duke shqyrtuar dhe verifikuar mijëra dokumente të rrjedhura ose të mbledhura.

Analiza e këtyre dokumenteve tregon se organizata që drejtonte jetimoret që morën më shumë fëmijë ishte një organizatë me qendër në Austri, “SOS Children's Villages International”. SOS operon në më shumë se 130 vende dhe mbledh rreth 1.6 miliardë euro në vit, përfshirë fonde nga OKB-ja, qeveritë evropiane dhe donacione personale.

Fati i fëmijëve

BBC foli me më shumë se 50 denoncues nga brenda SOS-it. Disa prej tyre thanë se shumica e pozicioneve drejtuese të SOS-it në Siri ishin caktuar drejtpërdrejt nga pallati i Assadit dhe se Asma al-Assad - e cila së bashku me burrin e saj Bashar ishte sanksionuar nga BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për shkelje të të drejtave të njeriut - kishte një rol të rëndësishëm në organizatë.
BBC-së iu tha gjithashtu se organizata kishte filluar të “sillte çdo fëmijë” pavarësisht rrethanave, për të përfituar më shumë fonde.

SOS-i u përgjigj duke thënë se “ne nuk ofrojmë shpërblime financiare për shtimin e numrit të jetimëve” dhe mohoi çdo lidhje zyrtare mes organizatës dhe familjes Assad.

SOS tashmë ka pranuar, pas një rishikimi të brendshëm, se 140 fëmijë pa dokumente të rregullta janë marrë nga SOS Syria midis viteve 2013 dhe 2018. Organizata ka thënë se 104 prej tyre më vonë u morën nga shërbimet sekrete siriane ose nga Ministria e Çështjeve Sociale dhe se nuk ka më asnjë informacion për vendndodhjen e tyre.

Organizata ka deklaruar gjithashtu se kishte ndalur pranimin e fëmijëve të të ndaluarve politikë që nga viti 2018.

Por ekipi i BBC-së ka parë dokumente që tregojnë se fëmijët janë transferuar te SOS-i deri në vitin 2022.

BBC ka zbuluar gjithashtu se SOS Syria:

-    Kur kërkohej nga qeveria e Assadit ose nga shërbimet sekrete që fëmijët të ktheheshin mbrapsht, nuk kontrollonte se kush do të kujdesej për ta më pas.

-    Pranonte fëmijë, edhe pse e dinte që identiteti i tyre ishte ndryshuar, dhe në një rast vetë ia dha një emër të ri zyrtar një fëmije që kishte nën kujdes.

-    Zbatonte urdhrat e shërbimeve sekrete siriane që të afërmit të mos lejoheshin t’i vizitonin fëmijët, të mos merrnin kujdestarinë e tyre dhe të mos merrnin informacion për ta.

-    Ua ndalonte punonjësve t’u tregonin fëmijëve foto të familjarëve apo të flisnin me ta për familjen.

-    Ka reaguar shumë ngadalë ose nuk ka reaguar fare, ndaj kërkesave të nënave që kërkojnë informacion që nga rënia e regjimit, edhe pse kjo mund t’u ndihmonte të gjenin fëmijët e tyre.

E ‘SOS International” i tha ekipit të BBC-së: “Na vjen thellësisht keq që fëmijët janë ndarë me forcë nga familjet e tyre dhe që familjarët kanë kaluar vite pa ditur ku ndodheshin fëmijët. Kjo nuk duhej të kishte ndodhur kurrë dhe ne jemi të angazhuar të mësojmë nga hetimet e pavarura për të bërë më mirë në të ardhmen”.

Drejtori i përkohshëm ekzekutiv i SOS-it, Benoit Piot, shtoi në një intervistë me BBC-në se organizata kishte ndjekur urdhrat e qeverisë siriane, të cilën ai e quajti “një sistem terrori” nën Assadin.
Shumë prindër ende nuk e dinë çfarë ndodhi me fëmijët e tyre. Përzierja e dokumenteve të falsifikuara apo të humbura për fëmijët e zhdukur në Siri ka lënë prindërit e mbijetuar duke kërkuar nga një institucion në tjetrin çdo informacion të mundshëm.

Në mesin e tyre është edhe Reem, e cila ende po kërkon për djalin e saj, Karimin.

Ajo nuk ka si ta dijë nëse ai u dërgua te SOS apo ndonjë institucion tjetër në Siri. Por mendon se fakti që burri i saj ishte i pasur  -  gjë që e vinte në rrezik në një regjim të varfër si ai i Assadit - dhe që është parë në burg në vitin 2016, e bën të besojë se ai është arrestuar dhe, për këtë arsye, djali i tyre është dërguar në një jetimore.

Para se të mbetej pa përgjigje në Lahan Al Hayat, Reem kishte vizituar Ministrinë e Çështjeve Sociale të Sirisë.

Atje i thanë se ministri ishte jashtë vendit, drejtori përgjegjës për dosjen e personave të zhdukur ishte me pushime dhe më pas se puna për fëmijët e zhdukur ishte transferuar në një agjenci sigurie në katin e pestë të ministrisë. Reem shkoi lart, e shoqëruar nga një ekip i BBC-së. Ekipit iu kërkua menjëherë të ndalonin së xhiruari, megjithëse kishte leje, dhe ministria refuzoi të ndihmonte më tej Reemin.

Në maj ministria shpalli një hetim të ri për fatin e fëmijëve nën regjimin e mëparshëm. Por ajo ka staf dhe burime shumë të kufizuara, me vetëm disa vullnetarë që duhet të shqyrtojnë mijëra dokumente dhe ende nuk ka publikuar asnjë rezultat.

Reem më pas vizitoi një tjetër jetimore të njohur për pranimin e djemve në moshën e Karimit. Në telefonin e saj ajo shfaqi foton e djalit dhe ia tregoi drejtoreshës së institucionit. Gruaja reagoi vetëm me një tundje koke. Sytë e Reemit u mbushën me lot - një moment i rrallë ku ajo tregoi emocionet, zakonisht të mbajtura nën kontroll.

Më në fund ajo vizitoi “SOS Syria”, e cila deri vonë drejtohej nga Samar Daaboul, vajza e një bashkëpunëtori të ngushtë të Assadit. Daaboul ka mohuar që lidhjet e saj familjare kanë ndikuar në punën e saj.

Zhgënjimi i nënave

Stafi i kërkoi Reemit datëlindjen e Karimit, por ajo theksoi se kjo mund të mos ishte e dobishme, pasi të dhënat shpesh ndryshoheshin. Në vend të kësaj, ajo kërkoi të shihte fotografi të fëmijëve që kishte strehuar SOS-i. Kjo iu refuzua, me arsyetimin se duhej mbrojtur privatësia.

Disa javë më vonë Reem mori një email nga “SOS International”, ku thuhej se organizata do t’i përgjigjej brenda gjashtë muajve dhe i rekomandohej që të kontaktonte drejtpërdrejt SOS Syria - institucionin që ajo sapo kishte vizituar.

Prindër të tjerë të intervistuar kanë thënë se ende po presin përgjigje nga SOS-i, muaj pas kontaktit të parë.

BBC-ja pyeti Benoit Piot, drejtorin e përkohshëm ekzekutiv të “SOS Children’s Villages International”, pse dokumentet nga Ministria e Çështjeve Sociale tregojnë se fëmijë janë transferuar te SOS-i deri në vitin 2022.

Ekipi në Vjenë nuk ishte në dijeni për këtë, tha ai, duke shtuar se hetimi i jashtëm që kanë nisur për fëmijët “e vendosur me forcë te SOS… mund të zbulojë të vërtetën” dhe se organizata do ta marrë parasysh këtë dhe do ta hetojë më tej.

BBC-ja ia theksoi atij se SOS-i vazhdon të operojë edhe në vende të tjera që shkelin të drejtat e njeriut. Piot u shpreh se udhëzimi që “SOS International” u jep anëtarëve të saj është: “Mos i pranoni fëmijët nëse janë ndarë nga familjet për arsye të gabuara”.

“Po sigurohemi që pranimi i fëmijëve në programin tonë të përputhet me standardet ndërkombëtare”, shtoi ai.

Më shumë se 50 ish-punonjës dhe punonjës aktualë të SOS-it, përfshirë katër drejtues të lartë nga selia qendrore në Vjenë, kanë folur me BBC-në dhe partnerët hetues. Ata përshkruajnë një pamje të veprimit të ngadaltë ose të munguar nga ana e organizatës ndaj paralajmërimeve të shumta nga brenda lidhur me pranimin e fëmijëve të të ndaluarve në Siri.

“Kur ‘SOS Syria’ ngriti këto çështje me selinë qendrore… drejtuesit e lartë nuk donin të dinin hollësitë dhe shmangnin çdo veprim konkret apo përgjegjësi”, tha një ish-menaxher i lartë i “SOS International” i cili, si shumë të tjerë që folën me BBC-në, kërkoi të mbetet anonim.

“Ka shumë politika dhe rregulla në ‘SOS Children’s Villages’ për mbrojtjen e fëmijëve, por pak burime në nivel ndërkombëtar për të kontrolluar dhe zbatuar respektimin e tyre”, shtuan ata.

Ish-drejtuesi i një prej jetimoreve të “SOS Syria” pretendon se vendimi i organizatës se kë të pranonte ndikohej nga objektivat financiare.

“Standardet e ekipeve të sigurisë, pranimit dhe ribashkimit ishin të dobëta. ‘SOS International’ kishte një numër të caktuar fëmijësh që duhej të pranonte për të kënaqur donatorët. Në fillim nuk e arritën këtë numër, prandaj filluan të pranonin çdo fëmijë që të arrinin kuotën dhe të mbanin fondet”.

Ndryshe nga Reem, Omama Ghbeis është ribashkuar me fëmijët e saj. Por, thotë se për dy vjetët e parë nga tre sa ishte në burg - si pasojë e punës humanitare të vëllait të saj – nuk kishte asnjë informacion për fëmijët.

Vajzat e saj, Layla dhe Layan, atëherë katër dhe tetë vjeçe, ishin marrë në kujdes nga “SOS Syria”.
Omama thotë se nuk mund ta falë organizatën për atë që kaluan fëmijët e saj - përvoja që janë konfirmuar edhe nga familjarë të tjerë që kemi intervistuar për rastet me SOS-in.

Ajo thotë se të afërmit ishin përpjekur të lidhnin kontakt me vajzat, por iu ishte thënë se kjo ishte “e ndaluar”. Vajzave nuk u lejohej të flisnin për familjen ose të shihnin fotografi të saj. Layla ka treguar se një herë, kur i mungonte shumë familja, një punonjës i SOS-it i tregoi foto në Facebook – por kjo ishte “zyrtarisht e ndaluar”.

Kur vajzat u ribashkuan me nënën, i treguan se organizata ua kishte ndryshuar emrat.

“Layla më tha se, nëse dikush e pyeste, ajo duhej të thoshte që quhej Layla Mossab,” tregon Omama.

Ajo shton se edhe vajzës tjetër i ishte dhënë një emër tjetër.

“Dhe Layan quhej ‘Layal’. Layal Mossab”, thotë Omama.

“Nuk besoj që kjo ishte ndonjë gabim i pafajshëm”.

BBC dhe partnerët e saj në këtë hetim kanë konfirmuar se Layan ishte regjistruar me emrin Layal Mossab në dokumentet e shërbimeve sekrete siriane.

Vajzat u lejuan të vizitonin nënën e tyre në burg dy vjet pas arrestimit të saj, në përgatitje për një shkëmbim të burgosurish që përfundimisht nuk ndodhi. Në atë kohë, thotë Omama, Layan e kishte harruar plotësisht dhe u tërhoq nga përqafimi kur e panë.

“Edhe rojat e burgut ishin me lot në sy”, tregon Omama.

Kur familja u ribashkua më në fund, tre vjet pas ndarjes së tyre, distanca e krijuar gjatë kësaj kohe i kishte larguar mes vete. 

“Secili nga ne po vinte nga një botë tjetër”, thotë ajo.

Omama është e zemëruar me rolin që luajti “SOS Syria” gjatë tre vjetëve që ajo ishte larg vajzave.

“E di që SOS-i është një organizatë humanitare e financuar nga jashtë. Pra është e fuqishme. Nuk është një organizatë e krijuar nga regjimi. Por, bashkëpunimi i tyre në zhdukjen e fëmijëve të të ndaluarve është… i pafalshëm”, tha ajo.

Për Reemin, kërkimi për Karimin vazhdon. Ashtu si edhe zhgënjimi.

“Kanë kaluar gjashtë muaj që nga çlirimi dhe ende nuk ka një rrugë të qartë për nënat që kërkojnë fëmijët e tyre”, thotë ajo.

“SOS Children’s Villages International” thotë se, megjithëse shumica e donatorëve kanë ndaluar financimin e “SOS Syria” që kur dolën në dritë rastet e ndalimit të fëmijëve, “ne synojmë ta mbajmë ‘SOS Syria’ funksionale për shumë vjet në vijim dhe po punojmë për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve thelbësore për fëmijët që kemi aktualisht nën kujdes”.

Organizata shtoi se është duke hetuar nëse ka ekzistuar ndonjë lidhje joformale mes saj dhe Asma al-Assad, por mohoi çdo lidhje zyrtare.

Ish-kryetarja e bordit të “SOS Syria”, Samar Daaboul, dha dorëheqjen në maj 2025-s. Ajo mohon që lidhjet familjare me regjimin të kenë ndikuar në punën e saj dhe tha se Asma al-Assad e kishte vizituar SOS-in vetëm një herë.

Ajo thekson se puna e saj “gjithmonë është karakterizuar nga ndershmëria dhe profesionalizmi duke shërbyer në interesin më të mirë të fëmijës”.

Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale të Sirisë nuk iu përgjigj kërkesës sonë për koment.

Në maj kjo ministri shpalli një komitet të ri ndërministror për të hetuar çfarë ndodhi me fëmijët nën regjimin e Assadëve.

Familja Assad, e cila u arratis në Rusi pas rrëzimit të regjimit, gjithashtu nuk iu përgjigj kërkesës së BBC-së për koment.