Botë

Rekrutët e trajnuar dobët po i shkaktojnë humbje Ukrainës, thonë komandantët

ushtar ukrainas

Foto: Associated Press

Disa ushtarë ukrainas refuzojnë të qëllojnë kundrejt armikut. Të tjerë, sipas komandantëve dhe bashkëluftëtarëve kanë vështirësi të përdorin armët ose të koordinojnë lëvizjet bazike luftarake. Disa madje edhe janë larguar nga postet e tyre, duke e braktisur fushëbetejën.

Derisa Ukraina po shtyn përpara inkursionin në rajonin rus të Kurskut, trupat e saj po humbin terren përgjatë frontit lindor të vendit – gjendje për të cilën komandantët fajësojnë pjesërisht rekrutët e trajnuar dobët, si dhe epërsinë e Rusisë në municione dhe fuqi ajrore.

“Disa persona nuk duan të qëllojnë. Ata e shohin armikun në pozicion qitjeje, por nuk hapin zjarr... Kjo është arsyeja pse burrat tanë po vdesin”, ka thënë një komandant i frustruar batalioni në Brigadën 47 të Ukrainës. “Kur ata nuk i përdorin armët, janë nuk janë efektivë”.

Komandantët kanë thënë se rekrutët kanë kontribuuar në një varg humbjesh territoriale që i mundësuan ushtrisë ruse të përparonte, duke përfshirë avancimin afër qytetit Pokrovsk, një qendër kritike logjistike. Nëse bie, mposhtja do ta rrezikonte mbrojtjen e Ukrainës dhe do ta sillte Rusinë afër synimit të saj për marrjen e rajonit të Donetskut. Ushtarët rusë janë 10 kilometra larg tani, raportoi AP. 

Ukrainasit e rekrutuar së fundmi janë shumë larg nga ushtarët luftarakë që u dyndën për t’iu bashkuar luftës në vitin e parë të pushtimit. Trupave të reja u mungon edhe një nivel minimal trajnimi, thonë komandantët dhe ushtarët nga katër brigada që mbrojnë zonën e Pokrovskit.

Ata kanë përshkruar se iu deshtë të planifikonin operacione me ushtarë që nuk ishin të aftë të qëllonin mbi caqe dhe të painformuar rreth topografisë bazike. Disa rekrutë nuk u besonin planeve të eprorëve të tyre në fushëbetejë dhe largoheshin nga pozicionet e tyre.

Të irrituar me cilësinë e rekrutëve të rinj të dërguar në vijën e parë nga qendrat rekrutuese, komandantët po kërkojnë të mobilizohen vetë për të trajnuar luftëtarë të rinj.

“Problemi kryesor është instinkti i mbijetesës te të rinjtë. Përpara, njerëzit mund të qëndronin deri në momentin e fundit për ta mbajtur pozicionin. Tani, edhe kur ka shpërthime të vogla në pozicionet e gjuajtjes, ata tërhiqen”, ka thënë një ushtar i Brigadës 110.

Por, jo secili tërhiqet, ka shtuar ai.

“Jo, ka njerëz të motivuar, por ata janë shumë, shumë pak”.

Ukraina ka futur në fuqi ligjin për mobilizim përmes së cilit po thërret mijëra luftëtarë të rinj në muaj. Kërkesa është më e madhe për këmbësori. Por ka pengesa logjistike për t’i trajnuar, pajisur dhe paguar këta njerëz, teksa nga ana tjetër komandantët vazhdimisht kërkojnë ushtarë të rinj. Për ta lehtësuar presionin, liderët ushtarakë kanë marrë njësi nga brigada prej një rajoni dhe i kanë transferuar në zona të ndryshme për të stabilizuar pikat e dobëta.