Botë

Arrestohet Federica Mogherini

Federica Mogherini

Foto: Driton Paçarada

Ish-shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian e që udhëhoqi edhe negociatat në dialogun Kosovë-Serbi, Federica Mogherini, është arrestuar nga policia belge të martën nën dyshimin për mashtrim lidhur me financimin e një akademie për diplomatët e rinj, ka raportuar “Euroactiv”.

Policia belge ka kryer bastisje në zyrat e shërbimit diplomatik të Bashkimit Evropian dhe shtëpitë personale si pjesë e hetimeve për keqpërdorim të fondeve të BE-së.

Një zëdhënës i Kolegjit të Evropës, ku Mogherini ka qenë rektore që prej viti 2020, ka thënë se nuk e di nëse ajo është arrestuar dhe ka refuzuar komentimin. Mogherini ka udhëhequr shërbimin e jashtëm të BE-së në periudhën 2014-2019 dhe ka qenë drejtuese e Akademisë prej vitit 2022.

Një tjetër punonjës i Kolegjit të Evropës, i përfshirë në departamentin e Edukimit, është ndaluar po ashtu, sipas raportimeve.

Edhe zyrtari i lartë i Komisionit Evropian, Stefano Sannino është ndaluar po ashtu. Ai ka qenë sekretar i përgjithshëm në kohën sa Mogherini udhëhiqte shërbimin e Jashtëm të BE-së.

Komisioni ka konfirmuar se policia ka qenë e pranishme në zyra gjatë ditës dhe se është pjesë e një hetimi të mëhershëm për mandatet e kaluara. Nuk janë ofruar detaje të tjera.