Enhe dikur ishte shtëpia e mijëra rusëve etnikë. Nën politikën e Xi Jinpingut për unitet etnik, sot ka mbetur shumë pak nga Rusia, përtej nostalgjisë dhe dekorit të krijuar për turistët.
Presidenti rus Vladimir V. Putin ka gati katër vjet që zhvillon luftë në skajin perëndimor të vendit të tij të madh, me synimin për të ruajtur atë që ai e konsideron si një pjesë jetike të “botës ruse” - qytetarët e Ukrainës që flasin rusisht dhe kanë lidhje gjaku me Rusinë.
Por më shumë se 3.000 milje në lindje, Rusia tashmë ka humbur një vatër shekullore të gjuhës dhe kulturës së saj jashtë kufijve - një zonë e largët në veriun e Kinës, e mbuluar nga akulli dhe bora.
E krijuar nga qeveria kineze, gjoja për të mbrojtur traditat dhe identitetin e pakicës së vogël ruse në Kinë, “qyteza e rusëve etnikë” Enhe është e mbushur me pemë, borë të dendur, shtëpi druri në stil siberian, mbishkrime në alfabetin cirilik dhe vodka.
E vetmja gjë që mungon janë rusët e vërtetë.
Më të afërtit me ta janë banorë si kryetari i bashkisë, Li Peng, një pasardhës i largët i rusëve që, duke filluar nga shekulli i 17-të, dikur dominonin zonat kufitare midis Rusisë dhe asaj që sot është rajon autonom i Kinës, Mongolia e Brendshme.
Pas brezash të tërë martesash të përziera me kinezë, mongolë dhe banorë të tjerë vendas, “rusët etnikë” të Enhes kanë humbur lidhjen me gjuhën, traditat dhe besimin ortodoks të paraardhësve të tyre.
“Pas disa vitesh, do të jemi njësoj si çdo vend tjetër”, tha kryetari i fshatit. Anëtar i Partisë Komuniste, ai e përshkroi zhdukjen graduale të identitetit të veçantë rus si një rezultat të lumtur të politikës së shtetit kinez ndaj pakicave etnike. Kjo politikë synon bashkimin e grupeve të ndryshme etnike të vendit në një Kinë të vetme dhe të pandashme, të bashkuar nën bindjen ndaj Presidentit Xi Jinping.
Në vitin 2022, Xi u tha zyrtarëve të Mongolisë së Brendshme në Pekin se grupet etnike të Kinës, përfshirë 55 pakica të njohura zyrtarisht duhet të “qëndrojnë së bashku si farat e shegës”. Ky udhëzim ka ngushtuar ndjeshëm hapësirën për gjuhët e tjera përveç mandarinës dhe për kulturat që nuk i përkasin shumicës han, e cila përbën më shumë se 90 për qind të popullsisë.
Kultura ruse për turistë kinezë
Kjo politikë ka çuar në goditje të ashpra në zona me pakica të mëdha dhe shpesh të pakënaqura, si Xinjiangu dhe Tibeti. Autoritetet kanë shtuar gjithashtu presionin në Mongolinë e Brendshme, ku disa mongolë etnikë kanë protestuar kundër kufizimeve në mësimin e gjuhës së tyre.
Edhe në Enhe, ku fushata e asimilimit duket se ka qenë shumë e suksesshme, autoritetet treguan nervozizëm. Gjatë një vizite të një gazetari dhe një fotografi të “New York Times”, zyrtarë nga zyra rajonale e punëve të jashtme i ndoqën në çdo hap dhe ndërhynë në intervista në mënyrë jashtëzakonisht agresive.
Sot, vetëm disa kilometra nga lumi Argun, që shënon kufirin me Rusinë, Enhe ka vetëm 2.895 banorë. Më shumë se 40 për qind janë të regjistruar zyrtarisht si rusë etnikë, por sipas autoriteteve, shumë pak prej tyre flasin ndonjë gjuhë tjetër përveç kinezishtes.
Kultura ruse në Enhe mbijeton kryesisht si një karikaturë folklorike, e krijuar për të tërhequr turistë kinezë. Ajo mbahet artificialisht gjallë në një muze lokal, ku ekspozohen samovarë, kukulla ruse (matrioshka), pllaka me portretin e Stalinit, një banjë druri (saunë) dhe modele prej dylli të rusëve të veshur me kostume tradicionale të vjetruara.
Një tavolinë e madhe prej druri është mbushur me një ekspozitë të kuzhinës ruse; bukë, sallame dhe mish të pjekur në hell - të gjitha prej plastike.
Një guidë u tregonte vizitorëve një disk të vjetër vinili me shkrim cirilik, duke e përshkruar si vepër të një “muzikanti të famshëm rus”. Në fakt, ishte një kopje pirate sovjetike e një albumi të Elton Johnit.
Li, kryetari i komunës, kupton vetëm disa fjalë rusisht dhe në shtëpi flet kinezisht me bashkëshorten e tij, gjithashtu pasardhëse e përzier e kolonëve të hershëm rusë, dhe me djalin e tyre. Ai tha se festojnë Pashkët Ortodokse, por “vetëm si një festë kulturore”, e cila “nuk ka asnjë lidhje me fenë”.
Zhou Yong, një bari lopësh që po hidhte qymyr për të ngrohur shtëpinë e tij një pasdite të fundit, tha se ishte i regjistruar si etni ruse, por fliste vetëm kinezisht. Kur u pyet nëse kishte dëgjuar për “Pujing”, siç quhet Putin në kinezisht, ai hezitoi përpara se të thoshte se kishte “dëgjuar për dikë me atë emër në media”.
Shkolla fillore e Enhes nuk mëson rusisht, një mungesë që Putin e ka dënuar si një shkelje të papranueshme të të drejtave të rusëve etnikë në vende si Ukraina dhe shtetet baltike. Kufizimet ndaj aktiviteteve të Kishës Ortodokse Ruse jashtë Rusisë denoncohen rregullisht nga Moska.
Në Enhe, Kisha Ortodokse është zhdukur. Kryqi i krishterë ortodoks që dikur zbukuronte majën e një kube të artë mbi një ndërtesë druri të mbyllur në qendër të fshatit është hequr. Zyrtarët lokalë mohojnë se ai ka ekzistuar ndonjëherë, pavarësisht se kryqi shihet qartë në fotografi të vjetra.
Kisha më e afërt ndodhet një orë larg me makinë, në qytetin Ergun, ku kisha e Shën Inoçentit të Irkutskut është rinovuar së fundmi si atraksion turistik. Ajo nuk ka shërbesa të rregullta fetare. E mbyllur një të diel të fundit, kisha është e rrethuar nga “Sheshi i Unitetit”, një park i mbushur me tabela propagandistike me thënie të Xi-s që bëjnë thirrje për unitet etnik. Në qendër të parkut qëndron një shegë e madhe prej betoni, e zbukuruar me një mbishkrim të Xi-s.
Një banderolë e gjatë e kuqe në gardhin e kishës kërkon “sinicizimin e fesë”, një referencë ndaj politikës së shpallur nga Xi në vitin 2016 për të forcuar kontrollin e partisë mbi jetën fetare.
Fshirja e historisë
Me një numër prej vetëm rreth 16.000 banorësh, rusët etnikë jetojnë të shpërndarë përgjatë kufirit 2.615 milje të gjatë të Kinës me Rusinë. Enhe është i vetmi vend i shpallur zyrtarisht si zonë e dedikuar për rusët etnikë.
Rusët filluan të vinin atje në numër të madh në shekullin XIX, pas zbulimit të depozitave të arit. Ata menaxhonin minierat e arit, si edhe ndërtimin dhe funksionimin e një linje hekurudhore, ndërsa punëtorë kinezë, pothuajse të gjithë burra beqarë, vërshuan për të punuar në sipërmarrjet e drejtuara nga rusët. Shumë prej tyre u martuan me gra ruse.
Të tjerë rusë mbërritën pas Revolucionit Bolshevik të vitit 1917, me “rusët e bardhë” antikomunistë që u vendosën në anën kineze të kufirit, duke besuar se komunizmi do të shembej së shpejti në Rusi dhe se ata do të mund të ktheheshin në atdhe.
Ashtu si pakicat e tjera në Kinë, rusët etnikë vuajtën gjatë Revolucionit Kulturor, një periudhë trazirash politike nga viti 1966 deri në 1976. Marrëdhëniet dikur të ngushta mes Moskës dhe Pekinit u prishën, duke çuar në përplasje të armatosura përgjatë kufirit në vitin 1969. Rusët etnikë u denoncuan nga Gardat e Kuqe fanatike të Mao Ce Dunit, të cilat shkatërruan kishat e tyre. Shumë prej tyre u larguan drejt Rusisë ose vendeve të tjera.
Ajo periudhë tashmë është fshirë nga historia zyrtare, ndërsa Xi dhe Putin përqafohen mes tyre në atë që e quajnë një “miqësi pa kufij”.
“Nuk e njoh shumë mirë atë pjesë të historisë”, tha Zou Yu, shkrimtar dhe ekspert i kulturës dhe historisë lokale në Ergun. “Ndoshta disa gjëra kanë ndodhur atëherë, por tani gjithçka është për mrekulli”, shtoi ai.
Në dhjetor, kur temperaturat bien rreth minus 30 gradë Celsius, Enhe shndërrohet në një qytet fantazmë, ku mbeten vetëm zyrtarët dhe disa barinj. Gjatë verës, ndërkohë, sipas Lisë, kryetarit të komunës, ka disa rusë etnikë që flasin ende rusisht, kryesisht të moshuar - të cilët më pas largohen gjatë dimrit.
Në atë sezon, Enhe tërheq dhjetëra mijëra turistë kinezë, të joshur nga ideja për të shijuar një copëz Rusie dhe Evrope pa u shqetësuar për viza. Ndërtesa në stil rus, por artificiale, janë të shpërndara përgjatë rrugëve, së bashku me vezë të mëdha të Pashkëve të pikturuara dhe elemente krejtësisht joruse, si një mulli ere holandez.
Vizitorët kinezë, tha Li, “e pëlqejnë shijen e huaj”.
Zou, njohës i kulturës, tha se zhdukja graduale e gjuhës dhe stilit të jetesës ruse në rajon është pasojë e martesave të përziera, të cilat në shumicën e rasteve kanë përfshirë gra ruse etnike dhe burra han kinezë.
“Nëse një grua martohet me një pulë, ajo ndjek pulën; nëse martohet me një qen, ajo ndjek qenin”, tha ai, duke përdorur një idiomë kineze që pasqyron pikëpamjen tradicionale se gratë duhet t’u përshtaten burrave të tyre.