Një Lindje e Mesme e liruar nga ndikimi destabilizues i regjimit islamik do ta bënte Izraelin më të sigurt dhe do të promovonte vizionin e Trumpit për një rajon të pasur, paqësor dhe të integruar, të cilin ai e paraqiti vitin e kaluar në Arabinë Saudite. Por, një president që krenohet me guximin dhe me injorimin e kufijve që presidentët e mëparshëm i kanë vendosur vetes, duhet të jetë shumë i tunduar për ta ndërmarrë këtë hap
Presidenti Donald Trump duket se po e bind veten drejt një kapitulli të ri vendimtar në përballjen e hidhur të Amerikës me Republikën Islamike të Iranit.
Arsyetimi për sulme ushtarake amerikane për të ndihmuar protestuesit iranianë, në një moment krize për regjimin teokratik, po bëhet gjithnjë e më urgjent dhe bindës me kalimin e çdo ore.
Trumpi vazhdon të vendosë vija të reja të kuqe, pasi udhëheqësit iranianë sfiduan paralajmërimin e tij të mëparshëm se, nëse ata do të fillonin të qëllonin, ai do të vepronte po ashtu. Presidenti paralajmëroi në një intervistë për CBS News të martën se nëse Irani do të ekzekutonte protestuesit siç ishte planifikuar, ai do të merrte “masa të forta”. Kjo nuk e angazhon automatikisht SHBA-në në një përgjigje ushtarake. Por çdo operacion luftarak që do të dukej thjesht simbolik mund t’ia dobësonte autoritetin për të frenuar Teheranin.
“Presidenti i tha popullit iranian se ndihma është rrugës. Prandaj, mendoj se presidenti ka detyrimin të ndërmarrë ndonjë veprim këtu”, ka thënë Leon Panetta për CNN News Central të martën.
Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes dhe drejtori i CIA-s nuk e specifikuan nevojën për një sulm të plotë ushtarak. Por ai shtoi: “Mendoj se besueshmëria e Shteteve të Bashkuara në këtë moment kërkon që SHBA-ja të bëjë diçka për të treguar mbështetje për protestuesit”.
Edhe argumenti humanitar për veprim po forcohet. Një ndërprerje e internetit vazhdon të fshehë përmasat e plota të tmerrit të një goditjeje autoritare. Por pamjet që po dalin sugjerojnë masakra. Raportohet se rreth 2.400 persona kanë humbur jetën. Nëse regjimi mbijeton, shumëkush do të rishqyrtojë rolin e aktorëve të fuqishëm të jashtëm që qëndruan dhe panë.
Paralajmërimet e përsëritura të Trumpit mund të kenë rritur gjithashtu pritshmëritë mes protestuesve që po rrezikojnë jetën. Një president që së fundmi tha se kufizimi i vetëm i pushtetit të tij jashtë vendit ishte “moraliteti” i tij, mund ta ndiejë një detyrim moral për të vepruar.
“Sot numërova se në shtatë raste gjatë dy javëve të fundit, presidenti Trump ka kërcënuar se do të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Iranit nëse ai do të vriste protestues paqësorë”, ka thënë për CNN-in Karim Sadjadpour, një nga ekspertët më të njohur për Iranin me bazë në SHBA.
“Kjo ishte para më shumë se 2.000 vdekjeve… Unë mendoj se shumë njerëz i morën seriozisht fjalët e tij dhe shpresojnë, të paktën, për një mburojë amerikane që t’i ndihmojë t’i mbrojë nga ky regjim jashtëzakonisht brutal”, ka thënë Sadjadpour, nga Carnegie Endowment for International Peace.
Një mundësi për t’i dhënë fund një regjimi shtypës
Ka disa arsye strategjike joshëse pse Trumpi mund të kërkojë të shtyjë historinë përpara.
1. Diktatura klerikale e Iranit rrallëherë ka qenë kaq e dobët, brenda apo jashtë vendit. Mungesat e rënda ekonomike nënkuptojnë se ajo po përpiqet edhe në detyrën bazike, atë të ushqyerjes së popullsisë. Dëshpërimi është një forcë e fuqishme organizuese për protestuesit.
2. Udhëheqësi suprem Ajatollah Ali Khamenei është 86 vjeç, teksa një dramë destabilizuese e trashëgimisë së pushtetit po zhvillohet paralelisht me trazirat e fundit, duke rritur mundësinë e një agimi të ri politik.
3. Një numër i konsiderueshëm i udhëheqësve kryesorë iranianë, si dhe drejtuesve ushtarakë dhe të inteligjencës u eliminuan gjatë luftës 12-ditore të Izraelit me Iranin vitin e kaluar.
4. Dhe një luftë në disa fronte pas sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 e ka gjymtuar ndikimin rajonal të Iranit dhe aftësinë e tij për t’u hakmarrë ndaj Izraelit ose bazave amerikane në rajon për veprime ushtarake amerikane.
Pra, pse Shtetet e Bashkuara të mos shfrytëzonin një mundësi për t’i dhënë fund një regjimi që ka vrarë mijëra amerikanë, përfshirë në bombardimin e Ambasadës në Bejrut në vitin 1983 nga aleatët e tij, dhe përmes milicive që për vite me radhë kanë shënjestruar trupat amerikane në Irak?
Një Lindje e Mesme e liruar nga ndikimi destabilizues i regjimit islamik do ta bënte Izraelin më të sigurt dhe do të promovonte vizionin e Trumpit për një rajon të pasur, paqësor dhe të integruar, të cilin ai e paraqiti vitin e kaluar në Arabinë Saudite.
Një president që krenohet me guximin dhe me injorimin e kufijve që presidentët e mëparshëm ia kanë vendosur vetes, duhet të jetë shumë i tunduar për ta ndërmarrë këtë hap.
Në fund të fundit, ai është në një moment suksesi dhe po shijon veprimin. Sapo ka përfunduar një operacion të guximshëm ushtarak amerikan që nxori nga shtrati diktatorin venezuelas, Nicolas Maduro, pa humbje amerikane. Atij i pëlqen të kujtojë gjithashtu sulmin ajror sekret ndërkontinental që dëmtoi rëndë objektet bërthamore të Iranit vitin e kaluar.
Trumpi po dëgjon gjithashtu nga miqtë e tij më luftarakë se madhështia e pret.
“Ky është momenti i Ronald Reaganit për presidentin Trump, por i shumëfishuar”, ka shkruar senatorja republikane Lindsey Graham nga Karolina e Jugut në X.
“(Irani) do të jetë momenti i Murit të Berlinit për të, disa mijëra herë më shumë”, ka shtuar ajo.
S’ka gjasa të jetë aq e lehtë sa Venezuela
Trumpi u takua të martën me zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare të administratës pas një udhëtimi në Miçigan. I pyetur se çfarë do të bënte për Iranin, presidenti, me një kapelë të bardhë bejsbolli me shkronjat USA, i mbajti të gjithë në ankth.
“Nuk mund t’jua them. E di saktësisht se çfarë duhet të jetë”, është shprehur ai.
Por, në fund, kërcënimet presidenciale duhet të mbështeten në përdorimin e forcës nëse synohet që paralajmërimet e ardhshme të kenë peshë. Shumë ish-zyrtarë dhe diplomatë të huaj kanë arritur në përfundimin se dështimi i presidentit Barack Obama për të zbatuar vijën e tij të kuqe kundër përdorimit të armëve kimike nga Siria në vitin 2013 i trimëroi kundërshtarët e SHBA-së, përfshirë Rusinë me agresionin e saj në Ukrainë dhe Siri.
Por historia jehon me ogure të këqija.
Arsyetimet për ndërhyrjet ushtarake amerikane, duke nisur nga Vietnami te Iraku e Afganistani e deri te Libia, shpesh janë dukur të logjikshme nga Uashingtoni. Por bota dhe armiqtë e SHBA-së kanë fjalën e tyre. Dhe pasojat e përdorimit të forcës amerikane rrallëherë janë aq të pastra sa presin presidentët. Trumpi e di këtë më mirë se kushdo. Ai madje ndoshta nuk do të ishte bërë kurrë president po të mos ishte lodhja e amerikanëve nga luftërat e pafundme në Irak dhe Afganistan.
Kjo histori e pafat çon në dy pyetje që nuk po marrin shumë vëmendje në Uashington, i cili po përjeton sërish ethe lufte:
1. A ka ndonjë arsye të fortë për të besuar se sulmet e reja amerikane ndaj Iranit do t’i ndihmonin protestuesit dhe do ta çonin përpara shpresën e tyre për rrëzimin e regjimit?
2. Apo, a do të mund të forconin reagimin kundër-revolucionar?
Administratat e mëparshme janë përballur me këtë dilemë.
Gjatë protestave të Lëvizjes së Gjelbër në Iran në vitin 2009, presidenti i atëhershëm Obama veproi me kujdes, duke zemëruar kritikët republikanë, sepse donte të shmangte dhënien e një justifikimi autoriteteve iraniane për brutalitet. Ai bëri thirrje për liri fjale, mospajtim dhe një proces demokratik. Por ai tha gjithashtu: “U takon iranianëve të vendosin se kush do të jenë udhëheqësit e Iranit.” Ai pati thënë atëkohë se donte “të shmangte që Shtetet e Bashkuara të bëheshin çështja kryesore brenda Iranit” dhe një “top i përshtatshëm politik”.
Presidentët, ashtu si të gjithë ne, nuk mund ta dinë saktësisht se si do të zhvillohen vendimet e tyre. Me kalimin e kohës, Obama ka shprehur keqardhje. Ai ka thënë në podcastin “Pod Save America” në vitin 2022 se “sa herë që shohim një shkëndijë, një fije shprese, të njerëzve që dëshirojnë lirinë, mendoj se duhet ta theksojmë. Duhet ta ndriçojmë. Duhet të shprehim njëfarë solidariteti”.
Presidenti i 44-të nuk sugjeronte se do të kishte ndërmarrë sulme ushtarake. Kjo ishte e paimagjinueshme teksa SHBA-ja ishte e zhytur në batakun e Irakut dhe Afganistanit. Por presidentët kanë shumë opsione të tjera.
“Kurrë nuk dihet”
Trumpi, me gjuhën e tij të drejtpërdrejtë, dashurinë për kërcënime dhe mospëlqimin për detaje, shpesh e përkeqëson sipërfaqësinë e debateve në Uashington.
Situata në Iran është thellësisht komplekse. Ai nuk mundet thjesht ta bombardojë drejt demokracisë. Mund të mos jetë në gjendje as të shkaktojë mjaftueshëm dëm për të mbrojtur demonstruesit.
Sulmet kibernetike mund të pengojnë kapacitetin komandues të forcave të sigurisë së regjimit. Por a mundet realisht fuqia ajrore amerikane t’i shpëtojë protestuesit që po qëllohen në rrugë nga forcat e sigurisë së brendshme Basij, të ngarkuara me zbatimin e sundimit teokratik?
Operacioni i guximshëm i forcave speciale në Venezuelë që rrëzoi Maduron duket pak i mundshëm të përsëritet në Iran, ku rreziqet e futjes së personelit amerikan në një sulm për prerjen e kokës së regjimit duken të papërballueshme. Sulmet me raketa ose dronë amerikane apo izraelitë mund ta kryejnë këtë detyrë. Por eliminimi i udhëheqësve fetarë të Iranit mund thjesht të fuqizojë një person autoritar laik të ashpër.
Pavarësisht shfaqjes së papritur të disidentit në mërgim Reza Pahlavi, trashëgimtari i shahut të fundit të Iranit, i rrëzuar në Revolucionin Islamik të vitit 1979, ka pak shenja të forcave opozitare të besueshme brenda Iranit që mund të udhëheqin një tranzicion. Dhe breza ndërhyrjesh nga fuqitë imperialiste si Britania, Rusia dhe SHBA-ja tregojnë se të huajt nuk mund t’ia përcaktojnë të ardhmen Iranit.
Irani, ndryshe nga shumë shtete të Lindjes së Mesme, nuk është një krijesë e hartografëve kolonialistë. Qytetërimi i tij i qëndrueshëm persian dhe identiteti kombëtar mund ta kursejnë nga agonia e copëtimit të Sirisë. Por një shpërbërje e autoritetit është e mundur nëse një regjim që ka sunduar në mënyrë represive që nga viti 1979 rrëzohet. Çdo fluks refugjatësh dhe paqëndrueshmëri pasuese nuk do të mirëpriteshin nga aleatët rajonalë të SHBA-së, sado që ata do ta përshëndesnin rënien e regjimit revolucionar shiit.
Është gjithashtu e drejtë të pyetet se sa shumë mund të përballojë një administratë e vetme. Trumpi sapo ka kapur Maduron, një diktator në hemisferën perëndimore; ai po kërkon që SHBA-ja të marrë në zotërim Grenlandën, pritet të administrojë Gazën sipas planit të tij të paqes Izrael-Hamas. Shtëpia e Bardhë i pëlqen fitoret spektakolare në politikën e jashtme, por duket se i mungon vazhdimësia.
Ekziston edhe një kontradiktë marramendëse në faktin se Trumpi duket se po shtyn për demokraci në Iran, ndërsa anashkalon opozitën demokratike në Karakas pas rrëzimit të Maduros. Megjithatë, historia e fundit dhe pesha e retorikës së tij sugjerojnë se ai mund ta ketë të pamundur t’i rezistojë dashurisë së tij për veprim.
Por ai do të merrte një tjetër rrezik të madh.
Një gazetar e pyeti presidentin të martën nëse ai mund të ishte i sigurt se sulmet ajrore amerikane do t’i mbronin protestuesit. “Epo, kurrë nuk e di, apo jo”, u përgjigj ai.
“Deri tani, bilanci im ka qenë i shkëlqyer, por kurrë nuk e di”.