Botë

Putini po e përdor dimrin si armë lufte

Dimri - Ukraina - lufta - Rusia

NATO-ja është zotuar ta vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, por sekretari i saj i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, ka akuzuar Putinin se po e përdor dimrin si armë lufte, duke sulmuar infrastrukturën energjetike të shtetit të pushtuar. Ukrainasit i presin muaj të vështirë pa ngrohje e ujë të pijshëm në dimër. Zonja e parë e Ukrainës ka thënë, të martën, se ushtria ruse ka përdorur edhe dhunën seksuale sistematikisht dhe haptas si armë të luftës së vazhdueshme në Ukrainë

NATO-ja u ka bërë thirrje të gjitha vendeve që të mos e përkrahin pushtimin rus të Ukrainës. Aleanca ushtarake është zotuar ta mbështetë Ukrainën që të vetëmbrohet.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, thotë se Rusia po e përdor dimrin si armë lufte në Ukrainë. Moska po rrit "valët e brutalitetit" përpara takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bukuresht.

“Ne duhet të mbështesim Ukrainën, sepse po e shohim se presidenti Putin po mundohet të përdorë dimrin si armë lufte, gjë që i shkakton shumë vuajtje popullit ukrainas. Aleatët e NATO-s po i ofrojnë mbështetje të pashembullt Ukrainës dhe po vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe tani, ta mbështesin Ukrainën, përfshirë ofrimin e ndihmës për rindërtimin e infrastrukturës së gazit dhe energjisë elektrike”, ka deklaruar ai.

“Rusia ka kthyer Detin e Zi në zonë lufte”

Edhe Mbretëria e Bashkuar vlerëson se Rusia po përpiqet t’i "ngrijë ukrainasit deri në nënshtrim".

Aleanca e mbrojtjes e NATO-s ka premtuar mbështetje të palëkundur për Ukrainën, ndërsa Rusia vazhdon ta synojë infrastrukturën e Ukrainës

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dënuar sulmet e Rusisë në rajonin e Khersonit të çliruar së fundmi. Gjatë javëve të fundit Rusia ka nisur sulme të gjera që kanë lënë ukrainasit pa furnizime me ujë dhe energji elektrike.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka akuzuar Rusinë për kthimin e pjesëve të Detit të Zi në një zonë lufte. Blinken po fliste në Rumani, ku takoi homologët e NATO-s, me fokus në nxitjen e mbështetjes për Ukrainën. Ai ka këmbëngulur se SHBA-ja dhe aleatët e saj në NATO nuk do të pengoheshin. “Ne do të forcojmë praninë e NATO-s nga Deti i Zi në Detin Baltik”, është shprehur Blinken.

Zonja e parë e Ukrainës flet për përdhunimet e kryera nga rusët

Në kohën kur temperaturat kanë nisur të bien dhe pritet të shkojnë në minus 11 shkallë celsius pas një jave, ndihma ndërkombëtare është përqendruar në ofrimin e gjeneratorëve dhe transformatorëve për t’i neutralizuar reduktimet e ashpra të energjisë elektrike.

Situata me furnizimin me energji elektrike është aq e vështirë, saqë Ukraina, eksportues energjie në kohë normale, po mundohet të sigurojë import të energjisë elektrike nga Rumania fqinje.

Zonja e parë e Ukrainës ka thënë, të martën, se ushtria ruse ka përdorur dhunën seksuale sistematikisht dhe haptas si armë të luftës së vazhdueshme në Ukrainë.

“Është e rëndësishme gjithashtu për ne që të kuptohet se krimet e lidhura seksualisht nuk janë vetëm kërcënimet ose dhuna. Në fakt, ky është një instrument tjetër që po e përdorin si armë të tyre”, ka deklaruar Olena Zelenska gjatë konferencës ndërkombëtare për parandalimin e dhunës seksuale, që po mbahet në Londër. Autoritetet ukrainase kanë dokumentuar më shumë se 100 raste të dhunës seksuale, por ka edhe shumë gra të tjera ukrainase që nuk kanë folur publikisht. Zonja e parë e Ukrainës ka bërë thirrje që dhuna seksuale të njihet si krim lufte.

Image
Njerëzit ngrohen dhe mbushin pajisjet elektronike në një tendë të ngrohjes në Kiev

“Ishte si ferr në të gjithë trupin tim”

E nga Khersoni i çliruar së fundmi nga forcat ukrainase, kanë nisur të shfaqen dëshmi për tortura të ushtruara nga trupat ruse. Të mbijetuarit i kanë rrëfyer agjencisë së lajmeve AP keqtrajtimet sistematike në duar të ushtarëve të Rusisë.

Kur rusët hynë në shtëpinë e Dmytro Bilyit në gusht, oficeri 24-vjeçar i policisë tha se ata i dhanë atij një zgjedhje rrëqethëse: Dorëzoje armën ose do t’i zhduken nëna dhe vëllai.

Bilyi ua dha armën ushtarëve, të cilët mbanin automatikë dhe fytyrat i kishin të maskuara. Por nuk kishte rëndësi. Ata e tërhoqën zvarrë nga shtëpia në fshatin jugor të Ukrainës, Chornobaivka, deri në një burg në kryeqytetin rajonal, Kherson, ku ishte i mbyllur në një qeli dhe ku do të torturohej për ditë të tëra, me organet gjenitale dhe veshët e tronditur nga rryma elektrike.

“Ishte si ferr në të gjithë trupin tim”, kujton Bilyi. "Të djegë aq fort sa duket sikur gjaku po vlon ... Unë thjesht doja që të ndalonte", tha ai.

Më shumë se dy javë pasi rusët u tërhoqën nga qyteti, akuza të tilla si të tij po ndihmojnë në zbulimin e vendeve ku dyshohet se ka pasur tortura në Kherson, të cilin forcat e Kremlinit e pushtuan për tetë muaj. Pesë dhoma të tilla janë gjetur në qytet, së bashku me të paktën katër të tjera në rajonin më të gjerë Kherson, ku njerëzit pretendojnë se ata ishin mbyllur, rrahur, tronditur, marrë në pyetje dhe kërcënuar me vdekje, tha policia.

Ekspertët e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se akuzat e bëra deri më tani janë ndoshta vetëm fillimi.

“Për muaj të tërë ne kemi marrë informacione për torturat dhe llojet e tjera të persekutimit të civilëve”, tha Oleksandra Matviichuk, kryesuese e Qendrës për Liritë Civile, grup lokal i të drejtave. "Kam frikë se gjetje të tmerrshme në Kherson ka ende".

Sallat e torturimit

Associated Press foli me pesë persona të cilët pretendojnë se ishin torturuar ose arrestuar arbitrarisht nga rusët në Kherson, ose dinin për të tjerë që u zhdukën dhe duruan abuzime. Ndonjëherë, thanë ata, rusët grumbullonin këdo që shihnin - priftërinj, ushtarë, mësues ose mjekë - pa ndonjë arsye specifike. Në raste të tjera, rusët dyshohet se u informuan nga simpatizantët që dhanë emrat e njerëzve që besohej se po ndihmonin ushtrinë ukrainase.

Pasi u arrestuan, thanë se ishin mbyllur në qeli të mbushura me njerëz, u ushqyen me pjesë të pakta, supë me ujë dhe bukë dhe u detyruan të mësonin himnin rus ndërsa dëgjonin britmat e të burgosurve që torturoheshin nëpër sallë. Të arrestuarit dyshohet se u detyruan të jepnin informacion për të afërmit ose të njohurit me lidhje me ushtrinë ukrainase, duke përfshirë emrat dhe vendndodhjet e treguara në shënime të shkruara me dorë.

Si oficer policie me baba në ushtri, Bilyi mbeti nën radar për disa muaj të okupimit të Rusisë, derisa tha se dikush me gjasë i informoi ata. Ai kaloi katër ditë në një qeli me të tjerët, duke u nxjerrë jashtë për t'u marrë në pyetje dhe pësonte goditje elektrike.

Hetuesit e akuzuan se kishte një pushkë kallashnikovi – jo vetëm një pistoletë – dhe i bënë presion që të tregonte vendndodhjen e babait të tij. Pastaj e torturuan për gjysmë ore në ditë për dy ditë para se ta lironin, tha ai.

Image
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, majtas, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në Bukuresht të Rumanisë, ku po marrin pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të Aleancës Veriatlantike

Puna e hetuesve

Policia kombëtare ukrainase pretendon se më shumë se 460 krime lufte janë kryer nga ushtarë rusë në zonat e pushtuara së fundmi të Khersonit. Tortura në qytet ndodhi në dy stacione policie, në një qendër ndalimi të drejtuar nga policia, në një burg dhe në një institucion mjekësor privat, ku u gjetën mjete të forta gome, shkopinj bejsbolli dhe një makinë e përdorur për aplikimin e goditjeve elektrike, tha Andrii Kovanyi, një oficer shtypi për policinë në Kherson.

Kur Igor u ndalua në shtator nga qendra e thirrjeve ku punonte, ai u fut në një dhomë, u urdhërua të hiqte këmishën dhe të vendoste pëllëmbët në derën metalike për të rritur rrjedhën e energjisë elektrike dhe dhimbjen e tronditjes nga arma me goditje elektrike, tha ai.

Ushtari rus tha: "A je gati? Tani do të bërtasësh si kuçkë... Nuk do të ikësh nga këtu dhe ne do të të vrasim”, tha Igor, i cili foli me kushtin që vetëm emri t’i publikohej për të mbrojtur identitetin e tij.

22-vjeçari, i akuzuar se u kishte siguruar ukrainasve pozicione ushtarake ruse, tha se u trondit nga arma në shpinë për 2 orë e gjysmë dhe më pas u detyrua të qëndronte zgjuar në një karrige gjithë natën.

Fotografitë në telefonin e tij, të para nga AP-ja, tregojnë grupe shenjash rrethore të kuqe në gjatësinë e shpinës së tij. Ai u lirua pas dy ditësh, por jo përpara se të shkruante një letër duke dhënë detaje për një të afërm të xhaxhait të tij, për të cilin rusët kërkonin informacion.

Dokumentimi i krimeve

Dokumentimi i krimeve në Kherson do të jetë sfidues, sepse asnjë qytet tjetër kaq i madh nuk ka qenë i pushtuar nga Rusia për kaq gjatë, tha Brian Castner, këshilltar i lartë i krizës në Amnesty International.

“Duhet të mblidhen dhe të ruhen provat për të ruajtur atë zinxhir paraburgimi, në mënyrë që kur ka drejtësi ndërkombëtare, provat të jenë të mbyllura dhe autorët të mund të mbahen para përgjegjësisë”, tha ai.

Policia në Kherson po heton dhe po mbledh dëshmi. Por gjithnjë e më shumë njerëz po vijnë çdo ditë dhe sistemi i drejtësisë është i mbingarkuar, thanë ekspertët vendës të të drejtave.

Në mars, miku i Dmytro Plotnikovit u kap nga rusët kur ai shkoi në sheshin qendror të Khersonit për të kryer punët menjëherë pas fillimit të pushtimit. Plotnikov njeh tre persona të tjerë që u kapën dhe u liruan nga rusët, njëri prej të cilëve kishte ende mavijosje të dukshme në trupin e tij më shumë se një muaj pasi u lirua, tha ai.

Por që kur rusët u larguan nga Khersoni, çfarë shqetëson më shumë janë ukrainasit që bashkëpunuan me ta dhe mbetën.

Në maj, fqinji i Plotnikovit postoi një foto të motrës së tij dhe adresën e saj në një grup bisedash ruse, tha ai. Motra e tij është haptas pro-ukrainase dhe fqinji e akuzoi atë për përhapjen e urrejtjes ndaj popullit rus, tha ai. Po ta kishin parë rusët, ata mund të kishin ardhur në shtëpinë e saj dhe të arrestonin familjen, tha ai.

Policia ukrainase ka folur me gruan, por ajo mbetet në komunitet, tha ai.

"Ata duhet të ndëshkohen", tha Plotnikov. "Më vjen turp që njerëz të tillë janë përreth ... pse në shekullin e 21-të ju mund të torturoheni për pozicionin tuaj pro-ukrainas, për dashurinë tuaj për gjuhën dhe kulturën ukrainase? Nuk po e kuptoj".

Përktheu: Forca Jashari