Botë

Putini nuk e ka në plan ta kontaktojë Trumpin pas atentatit

Donald Trump dhe Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin nuk e ka kontaktuar Donald Trumpin pas atentatit ndaj kandidatit republikan në fundjavë dhe nuk e ka në plan ta bëjë këtë, ka bërë të ditur Kremlini zyrtar, raporton Reuters.

I pyetur nëse masat e sigurisë ndaj Putinit do të rriteshin pas ngjarjes, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka theksuar se lideri rus tashmë veç e shijon nivelin e duhur të mbrojtjes.

“Siguria veçse është forcuar për arsye të qarta, pavarësisht incidentit”, ka deklaruar Peskov. “Vetëm mund ta ritheksojmë se siguria e kreut të shtetit ofrohet në nivel të duhur, po bëhet gjithçka e nevojshme duke e marrë parasysh përshkallëzimin e tensioneve në përgjithësi”.

Kremlini, tw dielën në një deklaratë ka thënë se nuk beson që administrata amerikane ka qenë përgjegjëse për atentatin e së shtunës ndaj Trumpit, por e ka akuzuar se ka krijuar një atmosferë që e ka provokuar sulmin.

Putini nuk ka komentuar akoma publikisht për këtë çështje.