Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se Rusia rekruton deri në 60,000 ushtarë në muaj.
Duke folur në një takim me përfaqësues të biznesit dhe zyrtarë shtetërorë, Putini ka thënë se deri në 60,000 njerëz bashkohen vullnetarisht me forcat e armatosura çdo muaj, ndërsa Ukraina lufton për të mobilizuar 30,000 njerëz, raporton AP.
Putini në këtë takim, e ka udhëzuar qeverinë që të gjejë arsye për të bllokuar kompanitë perëndimore nga krijimi i operacioneve në Rusi nëse vendi nuk përfiton nga ato.
Ai gjithashtu u ka thënë udhëheqësve të mbledhur të mos kenë frikë nga sanksionet e mundshme.
"Frika nuk është një opsion. Kushdo që fillon të bjerë në panik do të humbasë menjëherë gjithçka”, ka deklaruar Putini.
Të enjten, në Stamboll të Turqisë pritet të zhvillohen bisedimet e paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, me propozim të presidentit rus, Vladimir Putin.
Putini ka kërkuar të dielën bisedime direkte me Ukrainën, më 15 maj në Stamboll.
Pavarësisht se fillimisht presidenti ukrainas, Volodymy Zelensky ka deklaruar se s’mund të ketë bisedime pa një armëpushim, ai më vonë ka kërkuar takim sy më sy me Putinin në Stamboll.
Zelensky të martën u ka thënë gazetarëve se do të jetë atje më 15 maj për të pritur Putinin dhe se nëse ai nuk vjen, kjo sipas tij do të thotë se ai nuk e dëshiron fundin e luftës në Ukrainë.