Botë

Putini e vlerëson Grenlandën me 1 miliard dollarë

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar të mërkurën se pronësia e Goenlandës nuk është shqetësim i Rusisë, dhe se Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka, duhet ta zgjidhin çështjen mes tyre.

Moska e ka ndjekur me kënaqësi përpjekjen e presidentit amerikan Donald Trump për të siguruar Grenlandën, e cila ka thelluar përçarjen mes Uashingtonit dhe Evropës, edhe pse këto lëvizje mund të kenë pasoja për Rusinë, e cila tashmë ka një prani të fortë në Arktik.

Duke folur të mërkurën në Davos, Trumpi është tërhequr nga kërcënimet për vendosjen e tarifave si mjet presioni për të marrë Grenlandën dhe ka përjashtuar përdorimin e forcës. Ai ka sugjeruar se kishte përparim drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes mbi territorin gjysmëautonom danez, një konflikt që rrezikonte përçarjen më të thellë të marrëdhënieve transatlantike në dekada.

Teksa është shprehur për herë të parë publikisht për këtë çështje, Putini ka sinjalizuar se Rusia nuk do ta kundërshtonte përpjekjen e Trumpit për të marrë kontrollin e Grenlandës, për të cilën ai spekuloi se mund të vlejë rreth 1 miliard dollarë.

“Ajo që ndodh në Grenlandë nuk është aspak shqetësim për ne”, ka thënë Putini në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Rusisë.

“Meqë ra fjala, Danimarka e ka trajtuar gjithmonë Grenlandën si një koloni dhe ka qenë mjaft e ashpër, në mos mizore, ndaj saj. Por kjo është një çështje krejt tjetër dhe vështirë se intereson dikë tani”, ka shtuar ai.

Mbështetja financiare dhe ushtarake e Danimarkës për Ukrainën e ka zemëruar Rusinë, e cila po lufton për të marrë kontrollin e plotë të katër rajoneve ukrainase që i shpalli si të vetat në vitin 2022.

Ministria e Jashtme ruse ka reaguar me irritim ndaj sugjerimit të Trumpit se edhe Moska ka ambicie për Grenlandën, por ka qenë e kujdesshme të mos e kritikojë Trumpin, i cili po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, dhe ka lënë të kuptohet se ka njëfarë simpatie për pretendimin e tij.

Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, ka thënë të martën se ishulli gjigant, i pasur me burime dhe që tashmë ka prani ushtarake amerikane, nuk është “një pjesë natyrore” e Danimarkës.

Putini kujtoi se Rusia në vitin 1867 ia shiti Alaskën Shteteve të Bashkuara për 7.2 milionë dollarë dhe se Danimarka në vitin 1917 ia shiti Ishujt e Virgjër Uashingtonit, duke krijuar precedentë për transaksione të tilla territoriale.