Një sasi e madhe kokaine është zbuluar në dërgesa me banane në disa supermarkete daneze, raportoi të premten transmetuesi publik DR.
Sipas raportit, punonjësit në 12 dyqane të rrjetit “Coop” gjetën drogën të fshehur mes arkave të bananeve gjatë kësaj jave.
Njësia Kombëtare për Krimet e Rënda në Danimarkë (NSK) ka nisur hetim për të zbuluar se si kokaina ka përfunduar në këto dërgesa të rregullta për supermarketet. Inspektori i Policisë, Henrik Andersen, ka thënë se rasti po trajtohet “jashtëzakonisht seriozisht”, megjithatë nuk janë dhënë më shumë detaje për momentin.
Profesori dhe kriminologu nga Universiteti i Kopenhagës, Henrik Vigh, u shpreh se përdorimi i bananeve për trafikimin e kokainës është bërë prirje në rritje. Ai sqaroi se për shkak të natyrës së ndjeshme të frutit, kontejnerët me banane kalojnë zakonisht shumë shpejt nëpër kontrollet doganore, gjë që i bën tërheqës për kontrabandistët.
Në raport thuhet se incidente të ngjashme janë regjistruar kohët e fundit edhe në Gjermani dhe Norvegji. Vitin e kaluar, në Gjermani u gjetën 95 kilogramë kokainë të fshehura në banane, ndërsa në dhjetor të vitit 2023, në Norvegji u sekuestruan 134 kilogramë.