Botë

Pse të pasurit dhe të fuqishmit nuk mund t’i thoshin jo Epsteinit?

Jeffrey Epstein

Dokumentet e publikuara së fundi hedhin dritë mbi ndikimin tronditës të Jeffrey Epsteinit dhe fuqinë që ai ushtronte mbi politikanë, akademikë dhe biznesmenë të rangut të lartë, edhe pas dënimit të tij. Nga këshillat e fshehta për kongresistë, te lidhjet me liderë botërorë dhe kërkimet për favore, te frika dhe turpi që shkatërroi reputacione vite më vonë - historia e tij tregon se si elita amerikane shpesh nuk dinte ose nuk guxonte t’i thoshte “jo”. Në këtë rrjet të fuqisë dhe manipulimit, disa kërkuan ndihmën e tij, ndërsa të tjerë u larguan me neveri që në takimin e parë.

Në vitin 2019, një nga momentet më të rëndësishme politike në Uashington tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Ishte dëshmia e Michael Cohenit, ish-avokat i Donald Trumpit, para një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve.

Në një moment, kamera kap deputeten demokrate Stacey Plaskett duke shkëmbyer mesazhe në telefon, ndërsa po përgatitej ta merrte në pyetje Cohenin.

Këtë javë u bë publik identiteti i personit me të cilin ajo po shkruante - i dënuari për krime seksuale, Jeffrey Epstein. Email-e të publikuara nga fondacioni i tij, pas një thirrjeje zyrtare, tregojnë se Epstein e kishte nxitur Plaskettin që të bënte një pyetje rreth një punonjësi të Organizatës Trump. Pas pyetjes së saj, Epstein i shkroi: “Punë e mirë”.

Sa i madh ishte ndikimi i tij

Me kalimin e kohës, ky episod ka marrë një domethënie të veçantë për shumë njerëz, të cilët thonë se tregon qartë sa i fuqishëm kishte mbetur Epstein në qarqet elitare amerikane. Plaskett, përfaqësuese e Ishujve Virxhin të SHBA-së, ka mohuar se ka kërkuar këshilla nga Epsteini, duke thënë se atë ditë kishte shkruar me shumë persona, përfshirë dhe Epsteinin, i cili ishte një nga zgjedhësit e saj.

Ajo theksoi se, si ish-avokate, ishte mësuar të kërkonte informacion nga të gjitha burimet, edhe nga njerëz që nuk i pëlqente.

“Jam e neveritur nga sjellja devijuese e Epsteinit. Mbështes fuqimisht viktimat e tij dhe admiroj guximin e tyre. Prej kohësh kam kërkuar që të publikohet e gjithë dosja Epstein”, tha ajo për BBC-në.

Ajo shpjegoi se ky komunikim kishte ndodhur përpara arrestimit të tij për trafikim seksual, por shumë kohë pas dënimit të Epsteinit në vitin 2008 për kërkim të shërbimeve seksuale të paligjshme. Ndërkohë, ishulli i tij privat - pjesë e territorit që ajo përfaqëson - ishte përmendur në një hetim tronditës të Miami Herald vetëm një vit më parë, si një nga vendet ku ai kishte abuzuar seksualisht me vajza të mitura.

Vetëm gjashtë muaj pas shkëmbimit të tyre të mesazheve, Epstein do të gjendej i vdekur në qelinë e tij - vetëvrasje, sipas mjekut ligjor. Vdekja e tij dhe teoritë që pasuan shkaktuan një tronditje të madhe në Uashington dhe në Wall Street, duke “rrëzuar” edhe disa prej miqve të tij të dikurshëm.

Ky shkëmbim mesazhesh ishte vetëm një prej mijëra dokumenteve të reja - mbi 20.000 faqe të publikuara së fundmi, të cilat tregojnë edhe një herë aftësinë e Epsteinit për të ruajtur lidhje me njerëz të fuqishëm, edhe pas dënimit dhe investigimit të Heraldit.

Si mbijetuan disa nga këto marrëdhënie, ndërkohë që të tjerët e braktisën, hedh dritë jo vetëm mbi ndikimin e Epsteinit, por edhe mbi dinamikat e qarqeve elitare në majat e shoqërisë amerikane.

“Epstein ishte një përbindësh i vërtetë, por në të njëjtën kohë ishte edhe në njëfarë mënyre brilant, sepse arriti të mbante një rrjet të jashtëzakonshëm me individë nga më të fuqishmit në botë”, thotë Barry Levine, autor i librit “Merimanga: Brenda rrjetit kriminal të Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxwell”.

“Ai kishte një lloj karizme që e vendoste në pozitën ku njerëzit ktheheshin tek ai”.

“Përdorte informacionin që merrte”

Sipas Barry Levine, Epstein e konsideronte veten një “manipulues marrëdhëniesh”, i cili krijonte lidhje me njerëz vetëm për përfitime. Ai thotë se “ai do të përdorte informacionin që merrte me synimin që, në fund të ditës, të përfitonte ose favore, ose para prej tyre, ose - në një kuptim më të errët - ndoshta edhe shantazh ndaj disa prej tyre”.

Marrëdhënia midis Epstein dhe Lord Peter Mandelson ka qenë në qendër të vëmendjes në Britaninë e Madhe, dhe Mandelson përfundimisht u shkarkua nga posti i ambasadorit britanik në SHBA në shtator. Dokumentet e publikuara nga Kongresi tregojnë se Mandelson kishte mbajtur kontakte me Epsteinin deri në fund të vitit 2016 - përpara hulumtimit të gazetës Miami Herald, por pas dënimit të tij.

Në një email të nëntorit 2015, Epstein i shkruan: “63 vjeç. Ja ku arritëm”. Mandelson i përgjigjet më pak se 90 minuta më vonë: “Me vështirësi. Kam vendosur ta zgjas jetën duke kaluar më shumë prej saj në SHBA”. Ai mohon kategorikisht se ka pasur dijeni për krimet e Epsteinit dhe ka shprehur keqardhje për vazhdimësinë e komunikimit me të.

Dokumentet e publikuara nga fondacioni i Epsteinit zbulojnë rrethin e tij të gjerë të të njohurve: akademikë të njohur, biznesmenë të fuqishëm dhe politikanë. Levine thotë se është e mundur që disa prej të njohurve më të largët të tij nuk kishin dijeni për abuzimet, ose e kanë shpërfillur këtë fakt për shkak të ndikimit të madh që ai kishte. “Njerëzit harrojnë”, tha ai. “Ai kishte një reputacion të lartë në qarqet e fuqishme, dhe shumë prej tyre ndoshta e injoruan dënimin e tij”.

Gazetarë dhe njerëz që e kanë njohur thonë se të tjerë thjesht mund të jenë magjepsur nga pasuria e tij. “Në New York, një dënim me burgim nuk ka më rëndësi”, tha David Patrick Columbia, themelues i “New York Social Diary”, për “Daily Beast” në vitin 2011, pas dënimit të parë të Epsteinit. “E vetmja gjë që të përjashton nga shoqëria e New  Yorkut është varfëria”.

Larry Summers, ish-sekretar i Thesarit të SHBA-së dhe më pas president i Universitetit Harvard, i kishte kërkuar Epsteinit këshilla romantike. Në një shkëmbim mesazhesh të nëntorit 2018 - në të njëjtin muaj kur u botua hetimi i Miami Herald - Summers duket se ia ka përcjellë Epsteinit një email nga një grua, duke kërkuar mendimin e tij se si t’i përgjigjej. Epstein ia ktheu: “Ajo po fillon të duket e varur,  bukur”. Këto marrëdhënie e dëmtuan Summersin, duke e detyruar të tërhiqej nga angazhimet publike dhe të ndërpriste mësimdhënien në Harvard. Ai u shpreh: “Jam thellësisht i turpëruar nga veprimet e mia dhe e kuptoj dhimbjen që kanë shkaktuar”.

Thuhet se Epstein ka përdorur njohuritë e tij financiare edhe për të ndihmuar gjuhëtarin e njohur Noam Chomsky, me të cilin ka shkëmbyer mesazhe ndër vite dhe e ka ftuar të qëndronte në shtëpitë e tij. Në një letër pa datë të përfshirë në dosjen e email-eve, Chomsky e lavdëron Epsteinin, duke thënë se kishin zhvilluar “shumë biseda të gjata dhe të thella”. Më parë ai i tha Wall Street Journalit se Epstein e kishte ndihmuar të transferonte para ndërmjet llogarive “pa një qindarkë nga ai”. Chomsky tha: “Unë e njihja dhe takoheshim herë pas here. Ajo që dihej ishte se Epsteini kishte kryer dënimin. Sipas ligjeve dhe normave amerikane, kjo përbën një faqe të re”. Ai nuk iu përgjigj kërkesës së BBC-së për koment.

Sipas Levinet, Chomsky ishte një nga klientët e famshëm financiarë të Epsteinit, dhe ai u kurseu atyre miliarda dollarë. Kjo ishte e mundur, sepse “Epstein e kuptonte kodin tatimor dhe financat më mirë se shumë nga njerëzit më të paguar në ‘Wall Street’”, tha ai.

Ata që shkëputën lidhjet

Në 23.000 faqet e dokumenteve të Epsteinit, një emër shfaqet më shpesh se shumë të tjerë: Donald Trump.

Trump nuk ka dërguar apo marrë asnjë mesazh nga këto dokumente, pasi kishte ndërprerë lidhjet me Epsteinin.

Në vitin 2002, Trump e përshkruante Epsteinin si një “djalë të mrekullueshëm”. Epstein madje kishte thënë dikur: “Kam qenë miku më i ngushtë i Donaldit për 10 vjet”.

Por marrëdhënia mes tyre u prish. Trump ka thënë se u larguan nga njëri-tjetri në fillim të viteve 2000, dy vjet para arrestimit të parë të Epsteinit. Deri në vitin 2008, Trump deklaronte se nuk kishte qenë “fans i tij”.

Trump ka mohuar çdo dijeni për trafikimin seksual të Epsteinit. Shtëpia e Bardhë ka thënë gjithashtu se Trump e kishte përjashtuar Epsteinin nga klubi i tij “dekada më parë, sepse sillej si i neveritshëm me punonjëset femra”.

Sipas Levine, ka shumë njerëz që do të ndihen të turpëruar nga mesazhet që i kanë shkruar Epsteinit pas dënimeve të tij, edhe pse kjo nuk do të thotë se kanë marrë pjesë në ndonjë prej krimeve të tij.

“Secili prej tyre, pa përjashtim, i bie pishman për ditën kur ka komunikuar apo kaluar kohë me Jeffrey Epsteinin”, tha ai. “Është një nga historitë më të pabesueshme të kohës sonë - pushtet, privilegj, grabitje”.

Por kishte të paktën një person që tha se e kuptoi menjëherë se Epstein ishte “i neveritshëm”.

Howard Lutnick, sekretar i tregtisë në administratë dhe fqinj i Epsteinit për 10 vjet, tregoi në një podcast të “New York Post” se takimi i tij i parë me Epsteinin ishte edhe i fundit.

Pak pasi Lutnick u shpërngul në banesën e tij në Upper East Side në vitin 2005, ai thotë se Epstein e ftoi atë dhe bashkëshorten e tij për një tur në rezidencën e tij të madhe.

Në dhomën e ngrënies së Epsteinit, pasi panë një tavolinë masazhi të rrethuar me qirinj, Lutnick e pyeti sa shpesh e përdorte.

“Ai thotë: ‘Çdo ditë.’ Pastaj më afrohet në mënyrë të çuditshme afër dhe thotë: ‘Dhe bëhet çdo lloj i duhur i masazhit’”, shpjegon Lutnick.

Lutnick thotë se ai dhe gruaja e tij u panë mes tyre, u justifikuan dhe u larguan.

“Vendosa se kurrë më nuk do të qëndroja në të njëjtën dhomë me atë njeri të neveritshëm”.