Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pse lideri i ri suprem i Iranit po qëndron i heshtur?

Mojtaba Khamenei

Foto: Associated Press

Garda Revolucionare e Iranit ka imponuar zgjedhjen e djalit të Ayatollah Ali Khameneit, Mojtaba Khameneit, si udhëheqësin e ri suprem, duke e parë atë si versionin më të bindur të paraardhësit të tij, që do të mbështeste politikat e tyre të ashpra, duke anashkaluar me forcë shqetësimet e pragmatistëve, thanë burime të larta iraniane.

Tashmë shumë e fuqishme, Garda Revolucionare ka fituar edhe më shumë ndikim që nga fillimi i luftës dhe shpejt ka kapërcyer hezitimet e figurave të larta politike dhe fetare për zgjedhjen e re, kundërshtimi i të cilëve e vonoi shpalljen e vendimit për disa orë, kanë thënë burimet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Duke shtuar shqetësimet e atyre që kundërshtonin emërimin e Khameneit si udhëheqës suprem, ai ende nuk ka bërë asnjë deklaratë deri të martën në mbrëmje, gati 48 orë pas zgjedhjes së tij gjatë një lufte që ka vrarë më shumë se një mijë iranianë.

Zgjedhja e Khameneit, e organizuar nga Garda Revolucionare, mund të çojë në një qëndrim më agresiv jashtë vendit dhe në shtypje më të ashpër brenda vendit, kanë thënë tri burime të larta iraniane, një ish-zyrtar reformist dhe një tjetër person i brendshëm.

Dy prej tyre kanë thënë se kishin frikë se dominimi i Gardës në sistem do ta shndërronte edhe më shumë Republikën Islamike në një shtet ushtarak me vetëm një shtresë të hollë legjitimiteti fetar, duke dobësuar një bazë mbështetjeje që tashmë po zvogëlohet dhe duke lënë më pak hapësirë për të përballuar kërcënime komplekse.

Udhëheqësi i ri mund të jetë plagosur në sulm 

Edhe pse për dekada ka qenë një figurë me ndikim prapa skenave duke drejtuar zyrën e babait të tij, Mojtaba Khamenei mbetet një figurë pak e njohur për shumë iranianë dhe mund të jetë plagosur në sulmet amerikano-izraelite që vranë babain e tij.

Një prezantues i televizionit shtetëror duket sikur ka konfirmuar thashethemet e përhapura se Khamenei ishte plagosur, duke e përshkruar atë si një “janbaz”, ose “veteran i plagosur” i Luftës së Ramazanit, siç e quan Irani konfliktin aktual. 

Kjo, dhe frika për sigurinë pas vrasjes së babait të tij më 28 shkurt mund të shpjegojë heshtjen e tij që nga momenti kur Asambleja e Ekspertëve me 88 anëtarë njoftoi të dielën vonë se e kishte zgjedhur atë si udhëheqës suprem të vendit.

Autoriteti në mënyrë më të dukshme mbahet nga Garda Revolucionare dhe nga zyra e udhëheqësit suprem, e njohur si “beyt”, e cila operon një sistem paralel ndikimi në gjithë burokracinë.

Çdo dyshim se kush ishte në të vërtetë në krye u zhduk të shtunën kur presidenti Masoud Pezeshkian, u detyrua të tërhiqej pasi kërkoi falje ndaj shteteve të Gjirit për sulmet. Zyrtarët e lartë të Gardës ishin shumë të zemëruar për këtë kërkim faljeje, kanë thënë burime për Reuters.

Një nga tri burimet e larta, i cili ka thënë se Garda tani po drejton Iranin, ka deklaruar se Ajatollah Ali Khamenei kishte qenë në gjendje ta frenonte këtë trupë, duke balancuar pikëpamjet e saj me ato të elitave politike dhe fetare në sistem.

Por edhe nëse udhëheqësi i ri është në gjendje të marrë drejtimin, Garda mund të ketë tani fjalën e fundit në vendimet e mëdha në të ardhmen, ka shtuar burimi.

Alex Vatanka, një studiues i lartë në Middle East Institute në Uashington, ka thënë se  “Mojtaba ia detyron pozicionin e tij Gardës Revolucionare dhe për këtë arsye ai nuk do të jetë aq suprem sa ishte babai i tij”.