Botë

Princi Andrew humb titujt dhe dëbohet nga shtëpia mbretërore

Princi Andrew

Princi Andrew do të largohet nga shtëpia e tij në Royal Lodge në Windsor pasi iu dorëzua një njoftim zyrtar për të hequr dorë nga kontrata e qirasë, tha Pallati Buckingham.

“Mbreti Charles ka nisur një proces formal për të hequr stilin, titujt dhe nderimet e Princit Andrew”, i cili tani do të njihet si Andrew Mountbatten Windsor”, ka njoftuar pallati. 

Andrew nuk e ka kundërshtuar procesin, raportoi PA.

Lidhjet e Andrewit me abuzuesin seksual të fëmijëve dhe financuesin Jeffrey Epstein vazhdojnë të shkaktojnë polemika. Kuptohet që, megjithëse ai i mohon akuzat, Pallati i Buckingham konsideron se ka pasur gabime nga ana e tij.

“Tani është dërguar një njoftim zyrtar për të hequr dorë nga kontrata e qirasë dhe ai do të zhvendoset në një banesë private alternative. Këto qortime konsiderohen të nevojshme, pavarësisht faktit se ai vazhdon të mohojë akuzat kundër tij. Madhëritë e tyre dëshirojnë ta bëjnë të qartë se mendimet e tyre më të thella kanë qenë dhe do të mbeten me viktimat dhe të mbijetuarit e çdo forme abuzimi”, është thënë tutje në njoftim. 

Princi Andrew do të zhvendoset në një pronë në pasurinë private Sandringham në Norfolk, që do të financohet privatisht nga mbreti.

Ish-gruaja e tij, Sarah Ferguson, do të largohet gjithashtu nga Royal Lodge dhe do të rregullojë vetë jetën e saj.

Zhvendosja do të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur.

Mbreti ka pasur mbështetjen e Princit të Uellsit në vendimin e tij.