Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki ka zbuluar të hënën planet për të kufizuar qasjen e ukrainasve në përfitimet për fëmijë dhe kujdesin shëndetësor.
Ai po ashtu ka propozuar një ndalim për glorifikimin e një udhëheqësi nacionalist ukrainas të shekullit të 20-të, në një shenjë të një qëndrimi të ashpër ndaj refugjatëve, raporton Reuters.
Polonia ka qenë një nga mbështetësit më të vendosur të Ukrainës që nga pushtimi i Rusisë në vitin 2022, por disa polakë janë lodhur nga numri i madh i refugjatëve, ndërsa tensionet midis Varshavës dhe Kievit për shkak të masakrave të Volhynia gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë dalë në sipërfaqe herë pas here.
Të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 1.5 milioën qytetarë ukrainas aktualisht banojnë në Poloni.
Presidenti Nawrocki, një nacionalist konservator i frymëzuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, premtoi gjatë fushatës së tij zgjedhore këtë vit se do t'i vinte "polakët në radhë të parë" dhe do të kufizonte të drejtat e të huajve në Poloni.
"Nuk e ndryshova mendimin tim dhe kam ndërmend të përmbush detyrimet e mia dhe besoj se përfitimi duhet t'u jepet vetëm atyre ukrainasve që bëjnë përpjekje për të punuar në Poloni, e njëjta gjë vlen edhe për kujdesin shëndetësor", u ka thënë ai gazetarëve.
Refugjatët ukrainas aktualisht kanë të drejtë të marrin përfitimin mujor familjar prej 219 dollarësh për fëmijë nëse fëmijët e tyre ndjekin shkollat polake. Vende të tjera të BE-së, si Gjermania, kanë propozuar gjithashtu shkurtimin e përfitimeve kohët e fundit.
Në Poloni, presidenti mund të propozojë projektligje dhe të vërë veton ndaj legjislacionit qeveritar.
Qeveria, e udhëhequr aktualisht nga kryeministri Donald Tusk, një centrist pro-BE kundër Naërockit, mund të ndalojë në mënyrë të ngjashme propozimet e presidentit, duke krijuar bllokim.