Për 13 sekonda të tmerrshme më 23 prill sivjet, qyteti më i madh i Turqisë u shkund nga një tërmet me magnitudë 6.2 shkallësh. Ishte aq i fuqishëm saqë 151 persona kërcyen nga banesat në Stamboll nga paniku. Pati lëndime, por asnjë vdekje.
Por kryebashkiaku Ekrem Imamoglu nuk mund të ndihmonte askënd në qytetin në të cilin fitoi për herë të parë më 2019. Ai gjendej prapa grilave në një burg të sigurisë së lartë në distriktin e Silivrit, në perëndim të qytetit – ironikisht afër epiqendrës.
Imamoglu akuzohet për një sërë çështjesh korruptuese, të cilat i mohon e i quan “akuza kafkiane”.
Mbështetësit thonë se krimi i tij i vetëm ishte kërcënimi i vërtetë ndaj liderit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në zgjedhjet presidenciale të parapara për vitin 2028.
Shumë nga të burgosurit e tjerë në burgun e Marmarasë në ditën e tërmetit kishin kundërshtuar në ndonjë rast presidentin Erdogan gjatë 22 vjetëve të tij në pushtet. Disa madje ishin protestues paqësorë.
Burgu njihet gjerësisht me emrin e vjetër të Silivrit.
Kritikët thonë se pas viteve të para të Erdoganit me fytyrë të reformuesit perëndimor, tani ai është kthyer në Sulltan, shkel të drejtat e njeriut, shtyp disidentët e i përdor gjykatat si armë.
Kryetari i burgosur, liderët e Partisë Republikane të Popullit (CHP), avokatët veteranë dhe studentët protestues do të paraqiten në bankën e të akuzuarve këtë muaj në raste të ndara.
“Erdogani ka bërë hapa të mëdhenj në drejtim të kthimit të Turqisë në një autokraci të stilit të Rusisë”, ka thënë Gonul Tol, bashkëpunëtore në Institutin e Lindjes së Mesme (MEI) në Washington. Ajo është nga Turqia e tash jeton në SHBA. “Ajo çfarë ai ka në mendje është një Turqi ku kutitë e votimit s’kanë kuptim... ku ai i zgjedh vetë kundërshtarët e tij”.
Në përgjithësi, më shumë se 500 njerëz të lidhur me CHP-në janë arrestuar që nga tetori i shkuar. Prokurorët e akuzojnë kryetarin dhe bashkëpunëtorët e tij për ryshfet, dallavere me tenderë, zhvatje e lidhje me terrorizëm.
Por CHP-ja – që është parti e qendrës dhe shekullare – argumenton se ndalimet janë të motivuara politikisht dhe me qëllim të heshtjes së zërit opozitar. Partia i mohon të gjitha akuzat.
Disa pyesin se përse teksa demokracia turke është nën flakë, komuniteti ndërkombëtar nuk ka folur fare ose ka bërë pak? A mund të jetë kjo, sepse Erdogani ka gisht në shumë çështje – përfshirë Rusinë, Ukrainën, Sirinë e NATO-n – dhe evropianët druhen se mund të nisë një luftë?
Dhe a po i jep më shumë liri Erdoganit gatishmëria e presidentit amerikan, Donald Trump, për të parë anën tjetër dhe jo atë të të drejtave të njeriut?
“Tejkalimi i kufijve të drejtësisë”
Momente para arrestimit në mars, me qindra policë te dera, kryetari Imamoglu ngadalë po lidhte kravatën, teksa po realizonte një video për ndjekësit në rrjete sociale.
“Po përballemi me tirani”, pati thënë ai. “Por... unë nuk do të dekurajohem”.
Ai ishte i qetë dhe sfidues – dhe “kërcënim vrastar për Erdoganin”, sipas Soner Cagaptay, drejtor i programit turk të hulumtimeve në Institutin e Washingtonit në SHBA. “Ai është karizmatik, i afërt me të tjerët, konservator si Erdogani, por edhe shekullar. Ai i përmbush shumë kërkesa”.
Por mund t’i plotësojë shumë më pak kërkesa nga burgu.
Arrestimi i tij ndodhi në kohën kur CHP-ja – partia më e madhe opozitare në Turqi – pritej ta nominonte si kandidat për president. Partia megjithatë e bëri edhe pas ndalimit të tij.
Mbyllja e Imamoglut nxiti protesta më të mëdha antiqeveritare në më shumë se një dekadë. Ishin kryesisht të rinjtë që dolën rrugëve, pjesëtarët e “gjeneratës Erdogan” që nuk kanë parë kurrë liderë të tjerë.
“Ka mbërritur pikën e kthesës për shumicën e njerëzve”, ka thënë një 21-vjeçar në Stamboll. “Kanë tejkaluar çdo kufi të drejtësisë”.
Një tjetër ka thënë se ky ka qenë “sulm direkt në demokracinë tonë”.
Qeveria pati tentuar t’i shtypte demonstratat – që në masë ishin paqësore – por nuk arriti t’i ndalte.
Trazirat në Stamboll u zhvilluan nën hijen e një policie të armatosur me shkopinj gome, gaz lotsjellës e plumba gome.
Një fotografi e ballinave të gazetave në botë shfaqte një protestues të veshur me kostume tradicionale dhe teksa mbante një gazmaskë e teksa i hidhej sprej syve nga policia.
Gjithsesi disa orë pas kësaj fotografie, Yasin Akgul i agjencisë AFP, u mbajt në shtëpinë e tij, duart ende i digjnin nga gazi lotsjellës. Disa fotoreporterë të tjerë po ashtu u arrestuan.
Rreth 2.000 njerëz ishin arrestuar pas protestave. Ndaj më shumë se 800 prej tyre ishte ngritur aktakuzë për pjesëmarrje në “demonstrata të paautorizuara”.
Këto ditë arrestimi “është gjëja më e lehtë”, sipas Gonul Tolit. “Vetëm duhet të pëlqeni një cicërimë në ‘X’ ose një postim në Facebook duke kritikuar Erdoganin”.
Studentja 22-vjeçare, Esila Ayia, ishte arrestuar pasi po mbante një poster që e quante liderin turk diktator. Nëse dënohet për këtë vepër, ajo përballet me burgim deri katër vjet.
S’ndalen arrestimet
Shumë prej turqve po ndiejnë të ftohtin, sipas Berk Esenit, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Sabanci të Stambollit, që njihet për reputacion liberal. Ai ka thënë se ka pasur “presion e shtypje të paparë” të figurave opozitare në politikë, shoqëri civile, akademi e media.
Por ai ka shtuar se Turqia “nuk është ende një regjim autoritar i zhvilluar plotësisht... ka ende hapësirë për mospajtim”.
Megjithatë, arrestimet po vazhdojnë. Më shumë se 100 pjesëtarë të CHP-së mbesin prapa grilave.
Presidenti deklaron se CHP-ja është e zhytur në korrupsion me rrjet sikur “oktapodi, duart e të cilit zgjerohen në të gjitha pjesët e Turqisë dhe përtej”.
Por Emma Sinclair-Webb e grupit “Human Rights Watch” e sheh një oktapod ndryshe – të vetë qeverisë.
“Ka shumë, shumë, shumë tentakula që shkojnë gjithandej”, ka thënë ajo. “Është përpjekje e qartë nga Qeveria që të ndjekë kritikët dhe opozitarët. Kjo është humbje e plotë e besimit në sistemin e drejtësisë. Vazhdimisht e më shumë po perceptohet si i politizuar dhe ndalimi po përdoret për të heshtur kritikët”.
Shumica e prokurorëve e gjyqtarëve se “po presin gjithmonë instruksione nga lart”, ka thënë ajo.
Qeveria ka thënë se gjyqësori është i pavarur dhe apartiak.
“I fortë – i mençur”
Në kohën kur kryebashkiaku mbetet prapa grilave në Silivri, komuniteti ndërkombëtar është i fokusuar diku tjetër – në luftën e Izraelit në Gazë dhe atë të Rusisë në Ukrainë. E fundit i jep përparësi Erdoganit, sipas analistëve.
Ai ka raporte të mira me Vladimir Putinin, Volodymyr Zelenskyn por edhe Trumpin.
“Nuk mund të mendoj për ndonjë lider tjetër që janë në këtë pozitë”, ka thënë Eseni. “Mendoj se në arenën ndërkombëtare, atij i pëlqen të shfaqet si ndërmjetësues, duke shtrënguar duart”.
Presidenti Erdogan ka pasur sukses në këtë aspekt – për shembull, ka ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje që ia vazhdoi Ukrainës eksportin e drithërave nëpërmjet Detit të Zi, në korrik të 2022-tës, pasi u ndërpre nga pushtimi rus muaj më herët. Dhe sivjet ai ka organizuar negociata në mes të delegacioneve të Kievit dhe Moskës për herë të parë që nga 2022-ta.
“Të gjithë e lavdërojnë rolin e tij në Rusi e Ukrainë”, ka thënë Tol. “Liderët e Perëndimit shohin tek ai një mbrojtje të Evropës. Dhe Trumpit nuk ia ndien (çfarë bën Erdogani në vend), prandaj ai e ka të qartë që mund ta vazhdojë këtë”.
Ajo ka thënë se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë “ka krijuar një kontekst ndërkombëtar, në të cilin autokratët rajonalë ndihen të fuqizuar”.
Cagaptay, nga Instituti Washington, ka thënë se Erdogani ka duar të lira për shkak të kimisë speciale që kanë pasur liderët në mandatin e parë të Trumpit.
“Mua më pëlqen ai dhe atij i pëlqej unë”, pati thënë Trumpi për Erdoganin. “Është i fortë dhe është shumë i mençur”.
Erdogani ka prani të gjerë rajonale. Territori i Turqisë shtrihet kryesisht në Azi, ka pjesë në Evropë dhe një urë që i lidh dy kontinentet.
Ai ka edhe karta të tjera – ka ndikim në Sirinë fqinje, udhëheq shtetin e vetëm mysliman në NATO dhe ka ushtrinë e dytë më të madhe të aleancës. Turqia ka 85.6 milionë banorë. Çka ndodh aty, ka rëndësi për Lindjen e Perëndimin.
“Ajo që po bën Turqia nën Erdoganin është shfrytëzimi me sukses i shumë identiteteve të saj”, ka thënë Cagaptay. “Me BE-në mendoj se Turqia po luan rolin e fuqisë së mesme shumë mirë... qoftë duke stabilizuar Sirinë apo Ukrainën e pasluftës”.
Shenjtëria e kutive të votimit
Erdogani mund të jetë i fuqishëm, por ka një kufi, sipas disa analistëve.
Ajo që ai nuk do ta bëjë është anulimi i zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, sipas Onur Isci, profesor i historisë dhe çështjeve ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has në Stamboll.
“Historikisht, populli turk ka qenë shumë i ndjeshëm për shenjtërinë e kutive të votimit dhe përpjekjet për ta prishur këtë nxisnin pasoja serioze”, ka thënë ai.
Zgjedhjet në Turqi në përgjithësi janë të lira, por larg nga të pasurit të drejta të barabarta. Fusha e betejës nuk është e barabartë. Shumica e mediave tradicionale janë propushtetit. Ato që nuk janë përballen me presion të fuqishëm nga autoritetet.
Gjatë zgjedhjeve të fundit më 2023, Erdogani fitoi për “një grimcë”. Mori 52.18 për qind të votave kundër kandidatit opozitar Kemal Kilicdaroglu.
Sondazhet e fundit kanë sugjeruar se ai do të mund të mposhtej nga Imamoglu. Por kryetari mbetet në burg, me disa procese gjyqësore, e opozita me gjasë do të detyrohet të nxjerrë tjetër kandidat.
Si president me dy mandate, Erdogani 71-vjeçar, e ka të ndaluar të rikandidojë, por mund t’ia dalë duke çuar vendin në zgjedhje të reja, ose duke ndryshuar Kushtetutën.
“Nuk kam interes të rizgjidhem apo të rikandidoj për një tjetër mandat”, pati thënë ai në maj.
Megjithatë, Esen mendon ndryshe. “Ai do të kandidojë për president për aq sa të jetë gjallë”.
Si lideri që ka shërbyer më së gjati në Turqinë moderne, ai ka bazë besnike që e duan. Shumë votues konservatorë janë falënderues për zhvillimin e sjellë nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe promovimin e islamit, në republikën shekullare.
Shumë prej tyre u paraqitën në tubimin e madh të presidentit para zgjedhjeve të fundit.
Një mbështetëse, Ayse Ozdogan, ka shkuar aty shumë para kohe për të dëgjuar çdo fjalë të liderit.
“Erdogani është gjithçka për mua”, ka thënë ajo duke qeshur. “Ne nuk mund të shkonim në spitale më herët, tani kemi transport. Ai ka rregulluar rrugët. Ka ndërtuar xhami”.
Por cili është ndikimi në demokracinë turke?
“Është gërryer, por jo e vdekur”, ka thënë Sinclair-Webb. “Ka demokraci shumë të gjallë, të lidhur me parimet demokratike dhe me zgjedhjet”.
Por edhe opozita është shumë e fortë, sipas saj.
Soner Cagaptay ka cituar shembullin e shitësve të donerit, që copëtojnë mishin.
“Për mua është sikur demokracia turke nën Erdoganin. Ai ka prerë shumë hollë në 20 vjetët e fundit dhe ka mbetur edhe shumë pak mish”, ka thënë ai.
Por, sipas tij, ka një mësim që duhet marrë nga epoka e Erdoganit. “Duhet kohë e gjatë për të mbytur një demokraci”.
Zyra për Media e presidentit të Turqisë nuk ka folur për BBC-në. E në një raport drejtuar Këshillit të Drejtave të Njeriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se Turqia “qëndron e vendosur për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut... dhe vazhdon përpjekjet për pajtim me standardet ndërkombëtare”. Sipas raportit, shteti “nuk kursen asnjë përpjekje për të krijuar kushte më të favorshme për shoqërinë civile, përfshirë mbrojtësit e të drejtave të njeriut”.