Botë

Polonia duhet të ketë ushtrinë më të madhe në Evropë, thotë Tusk

Friedrich Merz dhe Donald Tusk

Foto: Associated Press

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka deklaruar se vendi i tij duhet të ketë ushtrinë më të madhe të Evropës, ndërsa ripohoi mbështetjen e tij për një mbrojtje të fortë evropiane.

Komentet e tij erdhën gjatë një konference të përbashkët shtypi me kancelarin gjerman, Friedrich Merz të mërkurën.

Tusk ka theksuar po ashtu se Gjermania duhet të vazhdojë të rrisë shpenzimet e saj të mbrojtjes, raporton AP.

“Nuk është e lehtë, duke pasur parasysh historinë, të thuash me zë të lartë, si kryeministër polak, se do të doja shumë që Gjermania të armatoset më shpejt dhe më intensivisht”, është shprehur Tusk.

“Gjermania e armatosur, në Poloni nuk është një slogan popullor, por për fat të mirë sot jetojmë në kohë kur ka një Gjermani tjetër, një Poloni tjetër, kërcënime të ndryshme”, ka shtuar Musk

Merz ka vizituar Poloninë të mërkurën teksa ka përmendur planet e qeverisë së tij të re për të vendosur më shumë polici në kufirin e Gjermanisë për të frenuar migrimin e paligjshëm, dhe madje për të larguar disa azilkërkues.