Peter Sloterdijk është njëri nga filozofët më të njohur në botë. Është gjerman me shtetësi, por pak edhe francez, sepse një pjesë të mirë të vitit e kalon në shtëpinë e tij në një fshat të bukur të Provansës, një trevë historike në juglindje të Francës.
Atje ai së fundi i ka dhënë një intervistë edicionit të së dielës të gazetës gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung". Në vijim disa nga mendimet më domethënëse të këtij intelektuali mbi Europën, luftën, burrërinë dhe krizën moderne.
Sloterdijk nënvizon se urrejtja ndaj Europës, që sot manifestohet fuqishëm në Lindje, nuk është fenomen i ri. "Shumica e europianëve nuk e dinë më që urrejtja ndaj Europës në Lindje ka filluar në lëvizjen pansllaviste", thotë ai. Kjo valë anti-evropiane, sipas tij, u rizgjua fuqishëm pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Filozofi citon edhe njërin nga mendimtarët rusë, Nikolai Fjodorov, i cili në fillim të shekullit të 20-të e identifikonte Europën si mishërim të degjenerimit moral: "Europa është përkufizimi i shthurjes", kishte thënë Fjodorov.
Sepse, sipas tij, vetë emri tregon se Europa në thelb është kurva e një demi. Dhe që e gjithë Europa është bërë si emri i saj, nuk duhet të ndikojë te një rus i ndershëm me shpirt të shëndetshëm fshatar. Në Europë gjithçka është qytet i madh, pallat, luks dhe kurvëri. Këto janë fjali që sot mund të përdoren drejtpërdrejt në propagandën anti-evropiane, tha Sloterdijk.
Ai e quan burrin një "projekt reformues të shekullit të 20-të". Nga një figurë e lidhur me patriarkalizmin, militarizmin dhe heroizmin, burri modern është transformuar në një qenie kozmetike. "Për të përdorur fjalët e Karl Lagerfeldit: ai fiton kontroll mbi jetën e vet kur përdor një parfum të caktuar të burrave". Ky transformim, sipas Sloterdijk, fillon që në fëmijëri.
Duke analizuar historinë e shekullit të 20-të, Sloterdijk shpreh një ide provokuese për fashizmin: 'Unë besoj se vetë termi 'fashizëm' në thelb nuk do të thotë gjë tjetër veçse refuzimi nga ana e ushtarëve të Luftës së Parë Botërore për të pranuar rezultatin e luftës". Për të, fashizmi ishte refuzimi për t’u çmilitarizuar, një gjë që Gjermania më vonë e përmbushi më radikalisht se kushdo tjetër.
Por a ka ndryshuar kjo situatë sot? Sloterdijk mendon se po. Ndërsa Europa ka përjetuar dekada paqeje, sot po përballet me një moment të ri: "Europa po përjeton për momentin, nëse flasim historikisht, diçka që i ngjan fatit të mirë. Ne kemi përsëri armiq. Armiq të vërtetë". Në qendër të kësaj përballjeje është Rusia e Putinit, ndaj së cilës, për shumë kohë, Perëndimi shmangu përballjen e hapur. Tani gjithçka është bërë e qartë: "E gjitha kjo ka rënë me një goditje të vetme".
Në këtë kontekst, ai flet edhe për presidentin francez Macron, të cilin e quan "njeriu më paqësor në botë", por që e kupton se aftësia për të prodhuar dhe eksportuar siguri është po aq e rëndësishme sa eksporti i parfumit francez.
Sloterdijk nuk lë pa përmendur as dështimin e eksperimentit liberal për të bërë nga burrat dhe gratë thjesht konsumatorë. Bota është më e ashpër se kjo ëndërr: "Eksperimenti psikosocial për të bërë nga burrat dhe gratë thjesht konsumatorë nuk i përgjigjet më të vërtetës së gjendjes botërore".
Në fund, ai i referohet një episodi nga presidenca e Trumpit, i cili ishte kthyer i zhgënjyer nga Brukseli kur kishte kuptuar se europianët nuk ishin të gatshëm të shpenzonin për mbrojtjen e tyre: "Nuk ishin të gatshëm të shpenzojnë më shumë se një përqind e gjysmë për mbrojtjen e tyre". Sipas Sloterdijk, tani është vetë Putini që po i detyron europianët ta ndryshojnë këtë sjellje: "Momenti për Europën që të furnizohet me armë ka ardhur me të vërtetë".