Të paktën pesë persona kanë humbur jetën pasi uragani “Debby” goditi Floridan. Ky uragan pritet të sjellë përmbytje të mëdha gjatë ditëve në vijim në pjesë të Gjeorgjisë dhe dy Karolinave.
Qendra Kombëtare e Uraganeve paralajmëroi për kërcënime nga përmbytjet pasi stuhia me lëvizje të ngadalshme pritet të shkaktojë shira të rrëmbyeshëm.
“Debby” goditi këtë rajon të SHBA-së të hënën në mëngjes, si uragan i kategorisë një në rajonin Big Bend të Bregut të Gjirit të Floridës, raportoi BBC-ja.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka miratuar shpalljen e gjendjes emergjente në Floridë dhe Karolinën e Jugut, duke lejuar ndihmën federale për të koordinuar përpjekjet për ndihmë lidhur me katastrofat natyrore.