Botë

Përmbytje e rrëshqitje dheu në Japoni, mbi 360 mijë persona këshillohen të evakuohen

Japoni

Foto: Associated Press

Reshjet e dendura të shiut kanë goditur të premten ishullin japonez të Kyushut, duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu, teksa banorët janë futur nëpër strehimore, pasi autoritetet lëshuan paralajmërime të nivelit më të lartë në disa pjesë të rajonit.

Sipas Agjencisë për Menaxhimin e Zjarrit dhe Fatkeqësive, rrëshqitjet e dheut goditën një shtëpi në qytetin Aira, në prefekturën Kagoshima, duke zënë poshtë dy persona, të cilët u shpëtuan dhe si rrjedhojë u dërguan në spital për trajtim të mëtejshëm mjekësor, ka raportuar AP.

Në këtë agjenci kanë lëshuar këshilla të evakuimit për mbi 360,000 njerëz në prefekturën Kagoshima dhe në prefekturën fqinje Miyazaki.

Reshjet e forta e kanë paralizuar gjithashtu transportin lokal, duke ndërprerë linjat e trenave dhe autobusëve. Dhjetëra fluturime drejt dhe nga Kagoshima tashmë janë anuluar.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) ka parashikuar reshje të mëtejshme dhe stuhi gjatë ditës së premte në Kyushu.

Një zyrtar i JMA-së, ka paralajmëruar për rrezikun në rritje nga fatkeqësitë natyrore, teksa u ka bërë thirrje banorëve të marrin masa parandaluese sa më shpejt të jetë e mundur.