Aleanca veri-atlantike (NATO) është duke mbajtur samitin në të cilin tema kyç janë rritja e shpenzimeve për mbrojtje nga 2 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm (BPB) në të paktën 5 për qind të BPB-së. Samiti po zhvillohet në Hagë të Holandës dhe përbën një moment historik për të ardhmen e aleancës veri-atlantike, në mesin e kërkesave dhe presionit amerikan karshi vendeve evropiane për të rritur shpenzimet në fushën e mbrojtjes. Shtimi i investimeve në ushtri, si dhe mbështetja e Ukrainës mbeten medoemos çështjet thelbësore të samitit. Të gjitha zhvillimet rreth samitit do të mund t'i lexoni këtu

Merzi e cilëson historik samitin e NATO-s

5 o. më parë / 24 qer 2025 12:49
Friedrich Merz

Photo: Associated Press

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë të martën se “nuk është ekzagjerim që samiti i NATO (i sotshëm në Hagë) të quhet historik”, duke marrë parasysh rëndësinë e rritjes së shpenzimeve në fushën e mbrojtjes mes vendeve anëtare. 

Sipas tij, aleatët “nuk janë duke e bërë këtë, siç kanë pretenduar disa, që t’i nderojnë Shtetet e Bashkuara dhe presidentin e tyre”, por më shumë nga rreziku i mirëfilltë me të cilin ballafaqohen, kryesisht nga Rusia.

Merzi gjithashtu ka nënvizuar planin e Gjermanisë për të rritur shpenzimet e mbrojtjes me qëllimin për ta kthyer Bundeswehr (forcat ushtarake gjermane) në “ushtrinë më të fortë konvencionale në Evropë, e cila është e gatshme për të mbrojtur shtetin dhe t’u dalë në ndihmë aleatëve.

“Për një kohë shumë të gjatë ne në Gjermani kemi injoruar paralajmërimet e fqinjëve tanë baltikë për Rusinë. E kemi kuptuar gabimin. Nuk ka kthim prapa nga kjo”, ka thënë ai.

Lidhur me çështjen e dislokimit të trupave gjermane në Lituani, Merzi ka shtuar se “siguria e Lituanisë është gjithashtu siguria e Gjermanisë”.

Muajin e kaluar, kancelari gjerman e kishte vizituar Lituaninë, për të shënuar dërgimin e parë të trupave gjermane në një vend të huaj që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. 

Njësiti i ri ushtarak, përbëhet nga 4,800 trupa gjermane dhe 200 anëtarë të stafit civil. Qëllimi i themelimit të tij, është parandalimi i çdo agresioni të mundshëm të Rusisë ndaj vendeve baltike.

Rutte: SHBA-ja është krejtësisht e përkushtuar karshi NATO-s

6 o. më parë / 24 qer 2025 12:30
Mark Rutte

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar të martën se aleatët evropianë nuk  duhet të shqetësohen sa i përket përkushtimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj aleancës veri-atlantike, tek ka folur para samitit në Holandë, ku pritet të miratohet tavani i ri për shpenzimet e mbrojtjes, ka raportuar Reuters.

Samiti dyditor në Hagë ka për qëllim t’i dërgojë mesazh presidentit rus, Vladimir Putin, se NATO-ja është më e bashkuar se kurrë, përkundër kritikave të presidentit amerikan, Donald Trump, kundrejt anëtarëve të aleancës, dhe se është e gatshme që të përmirësojë mbrojtjen për ta parandaluar çdo sulm të mundshëm nga Moska.

“Presidenti amerikan dhe udhëheqësia e lartë amerikane janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s”, ka deklaruar Rutte para hapjes së samitit, duke shtuar se përkushtimi amerikan shoqërohet me pritshmëritë që vendet evropiane, si dhe Kanadaja, t’i rrisin shpenzimet në fushën e mbrojtjes.

Nga ana tjetër, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se planifikon të takohet me Trumpin në Hagë, ndonëse ai nuk do të marrë pjesë personalisht në samit. Sipas tij, ekipet e të dy liderëve po punojnë në detajet organizative dhe për kohën e takimit.

Përfaqësuesi amerikan në NATO: Koha që Evropa të marrë përgjegjësi për sigurinë e saj

6 o. më parë / 24 qer 2025 12:29
NATO

Photo: Associated Press

Përfaqësuesi i përhershëm amerikan në NATO, Matthew Whittaker, ka deklaruar të martën se është koha e duhur që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj, porse ka theksuar se “SHBA-ja nuk do të shkojë asgjëkundi”.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të shkojnë askund. Ne presim që aleatët tanë evropianë të marrin më shumë përgjegjësi dhe të jenë partnerë të barabartë me ne në aleancë, dhe sërish, ajo forcë – me të gjithë ne, të 32 aleatët – është ajo që do ta sjellë paqen. Por, Shtetet e Bashkuara janë këtu për të qëndruar”, ka theksuar Whittaker.

“E kam thënë shumë herë më përpara, dhe e di se më keni dëgjuar duke e thënë, Shtetet e Bashkuara do të jenë një aleat i besueshëm, dhe siç e keni parë në ditët e fundit, Amerika zotëron kapacitete të caktuara që i nevojiten aleancës”, ka shtuar ai.

Ai ka deklaruar se samiti i NATO-s që do të mbahet më datat 24-25 qershor në Hagë të Holandës, përfaqëson “njërin nga momentet më të rëndësishme në historinë e aleancës”, ka raportuar The Guardian.

Whittaker ka thënë se pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë samit “kanë qenë shumë të qarta” që nga fillimi, teksa fokusi ngelet te shpenzimi i 5-përqindëshit të Bruto Produktit të Brendshëm në fushën e mbrojtjes. 

Në këtë samit marrin pjesë rreth 6.000 delegatë dhe liderët kryesorë të vendeve anëtare, përfshirë presidentin e SHBA-së Donald Trump, presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.