Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pas vaksinës kundër koronës qëndrojnë milionat e dy vëllezërve gjermanë

Miliarderët e mirë: pa binjakët gjermanë Andreas dhe Thomas Strüngmann zor se do të zbulohej vaksina kundër koronavirusit.

Tashmë është njoftuar: dy mjekë gjermanë me prejardhje turke, mjekia Özlem Türeci dhe mjeku Ugur Shahin, kanë zbuluar një injeksion kundër koronavirusit. Ky është hapi i parë për të luftuar pandeminë me injeksion. Është njoftuar po ashtu se firma Biontech, të cilën e ka themeluar Shahin, ka bashkëpunuar me firmën Pfizer, shef i së cilës është një grek. Dy fëmijë emigrantësh turq në Gjermani dhe një grek i lindur në Selanik, i cili rrjedh nga një familje hebraike, zbulojnë armën mjekësore kundër koronës – a ka lajm më të mirë në këto kohëra të zymta? Por kjo nuk është e vërteta e plotë. Sepse vaksina me gjasë nuk do të ishte zbuluar pa paratë e vëllezërve Andreas dhe Thomas Strüngmann, binjakë njëvezorë. Vlera e Biontech në bursë është 25 miliardë dollarë, më shumë se vlera e Deutsche Bank (Dojçe bank), e cila është 150 vjet e vjetër.

Para 15 vitesh vëllezërit Strüngmann shitën firmën e tyre farmaceutike. Për 5,6 miliardë euro. Me këto para ata do të mund të jetonin pa gajle e shqetësime, madje ndoshta ndonjë milion do të mbeste edhe për pasardhësit e tyre. Por miliarderët e mirë mendojnë për të mirën e shoqërisë. Miliarderët e mirë, vëllezërit Strüngmann, thanë: tash ne duhet t’ia kthejmë një të mirë Gjermanisë, duam të investojmë në farmaceutikën novatore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Më 25 shtator 2007 Thomas Strüngmann priti në zyrën e tij në München zotin Shahin, zonjën Türeci dhe mentorin e tyre akademik Christoph Huber. Ata erdhën nga qyteti i Mainzit. Kishte edhe njerëz të tjerë në takim, kryesisht miq të vëllezërve Strüngmann dhe investitorë. Mjeku Shahin prezantoi planet e tij mbi të ardhmen e mjekësisë kundër kancerit. Në fund të prezantimit, siç shkruan gazeta «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung», Thomas Strüngmann doli jashtë, telefonoi me vëllain e tij, Andreas, dhe u kthye e tha: «U krye!» Dhe vëllezërit Strüngmann nuk investuan 5 apo 10 milionë euro, por 150 milionë euro. Kështu u vunë themelet e firmës Biontech, e cila bazuar në ekspertizën e hulumtimeve për ilaçe të reja kundër kancerit zhvilloi edhe vaksinën kundër koronavirusit.