Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, të martën ka deklaruar se SHBA-ja do të ndalojë bombardimin e grupit militant në Jemen, Houthi, pasi grupi i përkrahur nga Irani u pajtua të mos pengojë rrugët e rëndësishme të transportit në Lindjen e Mesme, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në një takim ë Zyrën Ovale me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, Trump njoftoi se Houthit kanë deklaruar se nuk duan më të luftojnë, duke mos dhënë më shumë detaje.
“Ata thanë ju lutemi mos na sulmoni më dhe ne nuk do të sulmojmë anijet e juaja”, ka thënë Trumpi.
Houthit nuk kanë reaguar ndaj kësaj deklarate.
Houthit kanë filluar sulmin ndaj Izraelit dhe anijeve transportuese në Detin e Kuq që kur Izraeli filloi ofensivën ushtarake kundër grupit militant palestinez në Rripin e Gazës, Hamas, pasi më 7 tetor të 2023-s grupi militant kishte kryer një nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj Izraelit.