Grupi militant i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), i cili ka qenë i përfshirë në konflikt të përgjakshëm me shtetin turk për më shumë se katër dekada, ka vendosur të shpërbëhet dhe t'i japë fund luftës së tij të armatosur, ka njoftuar të hënën një agjenci lajmesh pranë grupit.
Vendimi i PKK-së do të ketë pasoja të gjera politike dhe të sigurisë për rajonin, duke përfshirë në Irakun fqinj dhe gjithashtu në Siri, ku forcat kurde janë aleate me forcat amerikane, raporton Reuters.
Më shumë se 40,000 njerëz janë vrarë në konflikt që kur PKK-ja ka nisur kryengritjen e saj në vitin 1984. Ajo është cilësuar një grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.
"PKK ka përfunduar misionin e saj historik”, ka thënë grupi, sipas agjencisë së lajmeve Firat, e cila ka botuar atë që ka thënë se ishte deklarata përmbyllëse e një kongresi që PKK-ja ka mbajtur avën e kaluar në Irakun e veriut ku ajo është e vendosur.
PKK-ja e ka mbajtur kongresin në përgjigje të një thirrjeje në shkurt nga udhëheqësi i saj i burgosur Abdullah Ocalan për t'u shpërndarë.
"Kongresi i 12-të i PKK vendosi të shpërbëjë strukturën organizative të PKK-së, me procesin praktik që do të menaxhohet dhe kryhet nga Udhëheqësi Apo, dhe t'i japë fund metodës së luftës së armatosur," thuhet në deklaratë.
Vendimi i PKK-së do t'i japë presidentit, Recep Tayyip Erdogan mundësinë për të nxitur zhvillimin në juglindjen kryesisht kurde, ku kryengritja ka penguar ekonominë rajonale për dekada.
Omer Celik, zëdhënës i Partisë AK në pushtet të Erdoganit, ka thënë se vendimi i PKK për t'u shpërbërë është një "një hap i rëndësishëm drejt një Turqie pa terror".