Papa Leoni ka kërkuar të dielën lirimin e menjëhershëm të fëmijëve dhe stafit të rrëmbyer këtë javë nga një shkollë katolike në Nigeri, një nga rrëmbimet më të këqija masive të regjistruara ndonjëherë atje.
Persona të armatosur në Nigeri rrëmbyen nxënës dhe mësues nga shkolla St. Mary në veriperëndim të vendit të premten, ka thënë Shoqata e Krishterë e Nigerisë (CAN), e fundit në një valë sulmesh shkollore këtë javë që e ka detyruar qeverinë të mbyllë 47 kolegje.
"U trishtova thellësisht kur mësova për rrëmbimet e priftërinjve, besimtarëve dhe studentëve në Nigeri dhe Kamerun. Ndjej dhimbje të madhe, veçanërisht për shumë burra dhe gra të rinj që janë rrëmbyer dhe për familjet e tyre të pikëlluara", ka thënë Papa Leoni në fund të një meshe në Sheshin e Shën Pjetrit.
"Bëj një thirrje të përzemërt për lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe u bëj thirrje autoriteteve kompetente të marrin vendime të përshtatshme dhe në kohë për të siguruar lirimin e tyre", ka shtuar ai.
"Le të lutemi për këta vëllezër e motra tonat dhe që kishat e shkollat të mbeten gjithmonë dhe kudo vende sigurie dhe shprese”, është shprehur Papa Leoni.