Botë

Papa Leoni bën thirrje për lirimin e gazetarëve të burgosur

Papa Leoni

Foto: Associated Press

Papa Leoni XIV ka bërë thirrje të hënën për lirimin e gazetarëve të burgosur dhe ka përmendur "dhuratën e çmuar të fjalës së lirë dhe shtypit" në një audiencë me disa nga 6,000 gazetarët që ishin në Romë për të mbuluar zgjedhjen e tij si Papa i parë amerikan.

Leoni është pritur me ovacione të forta teksa ka hyrë në auditorin e Vatikanit për takimin e tij të parë me përfaqësues të publikut të gjerë, raporton AP.

Misionari 69-vjeçar agustinian, i zgjedhur në një konklavë 24-orëshe javën e kaluar, u ka bërë thirrje gazetarëve që të përdorin fjalët për paqen, të refuzojnë luftën, dhe t'u japin zë atyre që nuk kanë zë.

Ai ka shprehur solidaritetin me gazetarët në mbarë botën që janë burgosur gjatë përpjekjes për të kërkuar dhe raportuar të vërtetën. Duke marrë duartrokitje nga turma, ai ka kërkuar lirimin e tyre.

“Vuajtjet e këtyre gazetarëve të burgosur sfidojnë ndërgjegjen e kombeve dhe komunitetit ndërkombëtar, duke na bërë thirrje të gjithëve që të ruajmë dhuratën e çmuar të fjalës së lirë dhe të shtypit”, ka thënë Papa Leoni.

Leoni e ka hapur takimin me disa fjalë në anglisht, ndërkaq, duke iu kthyer italishtes, ai ka falënderuar gazetarët për punën e tyre në raportimin e tranzicionit papal dhe u kërkoi atyre të përdorin fjalë paqeje.

“Paqja fillon me secilin prej nesh: në mënyrën se si i shikojmë të tjerët, i dëgjojmë të tjerët dhe flasim për të tjerët. Në këtë kuptim, mënyra se si ne komunikojmë është e një rëndësie thelbësore: ne duhet t'i themi ‘jo’ luftës së fjalëve dhe imazheve, ne duhet të refuzojmë paradigmën e luftës”, ka shtuar Leoni. 

Gjatë pontifikatit të tij 12-vjeçar, edhe paraardhësi i Leonit, Papa Françesku, ka folur shpesh për vlerën e gazetarisë.