Botë

Papa Leo pret yjet e Hollywoodit në Vatikan, i shqetësuar për rënien e shikueshmërisë në kinema

Papa Leo

Papa Leo ka pasur takim me aktorë dhe regjisorë të Hollywoodit në Vatikan, duke u bërë thirrje figurave të njohura si Cate Blanchett, Viggo Mortensen dhe Monica Bellucci që të vazhdojnë punën si “pelegrinë të imagjinatës” dhe të ndihmojnë për të “sjellë shpresë”.

Takimi me yjet e kinemasë u pa si moment simbolik për Papën ende relativisht të ri dhe një mënyrë që Kisha Katolike të angazhohet më shumë me botën përtej mureve të saj.

Ngjarja ishte gjithashtu shenjë e fortë mbështetjeje nga Leo XIV për industrinë globale të filmit, teksa ai shprehu shqetësimin për rënien e shikueshmërisë në kinema.

Regjisori Spike Lee e quajti këtë “ditë të jashtëzakonshme”, ndërsa takimi u vlerësua si i pari i këtij lloji në Vatikan.

Në sallën Klementine, Papa Leo mbajti fjalim në italisht, duke lavdëruar fuqinë e kinemasë për të argëtuar, për të edukuar dhe për të “mahnitur”. Por ai njëkohësisht u bëri thirrje kineastëve të mos shmangin temat e dhimbshme.

“Dhuna, varfëria, mërgimi, vetmia, varësia dhe luftërat e harruara janë çështje që duhet të njihen dhe të rrëfehen. Kinemaja e mirë nuk e shfrytëzon dhimbjen; ajo e njeh dhe e eksploron. Këtë e kanë bërë të gjithë regjisorët e mëdhenj”, ka thënë Papa.