Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, e ka quajtur skandal të madh arrestimin e ish-shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Ai ka thënë se për Bashkimin Evropian ka rëndësi reputacioni dhe se arrestimi i Mogherinit ka qenë goditje për diplomatët evropianë.
“Është një prej skandaleve më të mëdha që ka goditur BE-në, nëse konfirmohet se këta persona janë fajtorë për veprat që ngrihen dyshimet. Ata janë arrestuar me dyshimet për mashtrim, korrupsion, keqpërdorim të detyrës, konflikt të interesit dhe shkelje të sekretit profesional. Janë akuza mjaft të rënda dhe diplomatët janë të shokuar duke marrë parasysh postet e larta që ka pasur Mogherini dhe që ka edhe tani”, ka thënë ai në Interaktiv.
Ish-shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u arrestua të martën gjatë një bastisjeje policore si pjesë e një hetimi kundër një skeme të dyshuar mashtrimi, e cila lidhet me trajnimin e diplomatëve evropianë. Ajo u arrestua në Bruksel së bashku me zëvendësshefin e shkollës së trajnimit dhe Stefano Sanninon, një zyrtar i lartë i BE-së që ishte sekretar i përgjithshëm i EEAS-it nga viti 2021 deri në vitin 2024.
Mogherini ka ndërmjetësuar për disa vjet dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.