Botë

“Pa shtet” – brenda qendrës së ndalimit të grave të ISIS-it në Siri

“Pa shtet” – brenda qendrës së ndalimit të grave të ISIS-it në Siri

Gratë me niqab në qendrën Al-Roj, që mbrohet nga njësitet kurde të Forcës Demokratike të Sirisë(CNN)

Kampi Al-Roj në Sirinë verilindore strehon mbi 2000 gra dhe fëmijë të lidhur me ISIS-in, shumica shtetase të huaja të braktisura nga vendet e tyre. Gratë jetojnë në kushte të rënda sigurie dhe pasigurie ligjore, ndërsa disa mohojnë lidhjet me ekstremizmin dhe kërkojnë riatdhesim. Situata është përkeqësuar nga zhvillimet e fundit politike në Siri, dobësimi i rolit të SDF-së dhe frika për rikthim të ISIS-it, çka ka rritur tensionet dhe rrezikun në kamp

Nga i ftohti i acartë, një “portë” plastike hap një rrugë të re e krejt të errët. Me ecjen pak hapa nis të bëhet më nxehtë brenda tendës. Por zor që shihej diçka jashtë për shkak se drita hynte vetëm në të çarat e saj.

“Ejani! Ejani”, dëgjohet një zë gruaje në gjuhën angleze.

Dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, po silleshin përreth. Ata po flisnin duke përzier pak anglisht dhe pak gjuhë standarde arabe, që jo shumë njerëz të thjeshtë e flasin në atë mënyrë.

Bëhet fjalë për kampin Al-Roj, një qendër ndalimi në Sirinë verilindore ku më shumë se 2000 gra e fëmijë (edhe pse disa nuk janë më fëmijë) janë mbajtur për më shumë se një dekadë nga Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët. Kryesisht janë gra të shteteve të huaja (dhe në shumë raste të veja) dhe fëmijët e burrave që lidhen me Shtetin Islamik të Irakut dhe Sirisë (ISIS).

Në errësirë dëgjohet edhe një zë tjetër, me aksent britanik: “Gazetarë? Jo fotografi, ju lutem”.

Ajo ka lutur gazetarët paraprakisht që të mos e identifikojnë nga frika se i rrezikon përpjekjet e familjarëve dhe të afërmve për ta kthyer në Britaninë e Madhe. Ajo ka thënë se ka shtetësi britanike që i është tërhequr.

“Nuk jam askush. Jam thjesht e frikësuar për djalin tim”

“Jam e frikësuar sepse jam tjetër person”, ka thënë ajo. “Nuk jam Daeshi”, ka shtuar duke vënë theksin se nuk është ndjekëse e ISIS-it. “Nuk jam askush. Jam thjesht e frikësuar për djalin tim”.

I biri i saj 9-vjeçar rregullisht po rrihej nga djemtë e tjerë brenda kampit sepse e ëma e tij nuk ishte më besnike ndaj ISIS-it, ka treguar gruaja.

Pamje të kampit Al-Roj(CNN)

“Kam lindur në Angli. Jam rritur në Angli”, ka thënë ajo. “Nuk e kam askënd askund tjetër. Nëna ime, babai im, vëllezërit e mi – të gjithë janë në Angli. Jemi krejtësisht pa shtet”.

Nuk bëhet fjalë për Shamima Begum, e famshmja nga Londra që kishte ikur qysh në moshën 15-vjeçare për t’iu bashkuar ISIS-it më 2015. Britania ia kishte revokuar edhe asaj shtetësinë.

Një tendë që supozohej të ishte e Begumit, ishte e mbyllur.

“Ikni nga këtu”, ishte zëri i vetëm i një gruaje me theks britanik, që dëgjohej prej brenda. “Nuk dua të flas me ju”.

Nuk është hera e parë që gratë e burrave të ISIS-it kanë folur brena kampeve. Më 2019, CNN-i kishte shkruar për dy muaj brenda Sirisë për luftën kundër grupit terrorist. Dhjetëra gra të ISIS-it nga Franca, Britania e Madhe, Maroku, Iraku, Turqia, Rusia, Indonezia e Finlanda kishin folur atë kohë. Disa kishin thënë se i kanë ndjekur burrat e tyre drejt Sirisë dhe Irakut për shkak të frikës. Disa të tjera kishin thënë se ende besonin në Shtetin Islamik.

“Unë dua të kthehem në shtetin tim”

Por në Roj, gratë e pakta që pranonin të flisnin për këtë çështje ishin ato që moti i kishin fshirë iluzionet. Ato thjesht donin që tash të shkonin nëpër shtëpitë e tyre.

“Unë dua të kthehem në shtetin tim”, ka thënë Alma Ismailoviq nga Serbia në një anglishte të dobët. “Dua të jetoj jetë normale me fëmijët e mi”.

Alma ishte në një “treg” brenda kampit, një lloj sheshi i papastër me disa minidyqane që shesin ushqim dhe gjëra të tjera bazike.

Një fëmijë brenda qendrës Al-Roj, duke mbajtur një pulë në dorë(CNN)

Ajo po mbante hixhab dhe jo diçka që ia mbyllte krejt fytyrën, si niqab, që zakonisht bartet nga ato që ndjekin pikëpamje më të ashpra.

Një grup djemsh nisi të qeshte me zë të lartë sikur dikush ua kujton një shaka të vjetër, kur u pyetën nëse besonin ende në moton e ISIS-it se “Shteti Islamik po qëndron dhe po përhapet”.

“Gjithçka që ka mbetur jemi ne gratë”

“Nuk ekziston Shteti Islamik”, ka thënë Hanifa Abdallah nga Rusia në një arabishte me aksent të rëndë. “Ka marrë fund. Gjithçka që ka mbetur jemi ne gratë”.

Ajo ka thënë se dy fëmijë të saj ishin riatdhesuar, por tre të tjerë janë ende me të në qendrën e ndalimit. Sipas saj, ajo ishte e vendosur për t’u kthyer në shtëpi, por ka shtuar se Rusia nuk e dëshiron kthimin. Zyrtarët e kampit kanë thënë se grupi më i madh etnik në Roj është ai rus.

Pak nga shtetet që kanë shtetas të tyre – të burgosur dhe të ndaluar në Siri – kanë shprehur gatishmëri që t’i riatdhesojnë.

Ekipi i sigurisë në kamp u ka bërë apel gazetarëve që të kenë kujdes gjatë vizitës nëpër tenda sepse gratë dhe fëmijët mund t’i sulmojnë me gurë. Për shkak të të ftohtit, pak njerëz qëndrojnë në ambiente të hapura dhe shumë prej tyre që ishin jashtë, sapo shohin dikë të huaj largohen dhe futen brenda tendave. 

Është situatë kritike në këtë shtet aktualisht. Që nga fillimi i janarit, forcat qeverisëse siriane, krahas luftëtarëve arabë, kanë dëbuar nëndegët e udhëhequra prej kurdëve nga pjesa më e madhe e Sirisë veriore. Për më shumë se një dekadë, koalicioni anti-ISIS i udhëhequr nga SHBA-ja u bashkua me SDF-në për ta luftuar ISIS-in. Por me përmbysjen e regjimit të Bashar al-Assadit, qeveria e re siriane e udhëhequr nga presidenti Ahmed al-Sharaa (më herët lider i një nëndege të Al-Kaidas) tani po përpiqet që të shtrijë kontrollin në pjesët autonome të pasura me naftë në Sirinë veriore të kontrolluar nga SDF-ja.

Në një shkrim së fundmi në X, emisari special amerikan dhe ambasadori në Turqi, Tom Barrack, ka deklaruar se “qëllimi primar i SDF-së, si forca kryesore anti-ISIS në terren, në shkallë të madhe ka përfunduar”. Sipas tij, qeveria e re siriane ka sinjalizuar “kthesë drejt Perëndimit dhe bashkëpunim me SHBA-në në luftën kundër terrorizmit”.

Shumë nga gratë që mbahen në Al-Roj janë të lindura jashtë Sirisë. Në shumicën e rasteve, shtetet e tyre kanë refuzuar t’i riatdhesojnë (CNN)

Ai ka kërkuar nga forcat e SDF-së, nëndegët që udhëhiqen prej kurdëve, të integrohen në shtetin sirian.

Lidershipi i SDF-së, nën presionin e SHBA-së, ka nënshkruar me ngurrim marrëveshje me qeverinë në Damask, se do ta bëjë pikërisht këtë. Por djalli fshihet në implementim dhe kjo mund të jetë vdekjeprurëse.

Për kurdët, ndryshimi i papritur i qëndrimit amerikan duket sikur tradhti – një tradhti ndaj kurdëve që i kanë mbështetur për dekada të tëra.

Në zyrën e administratorit të kampit një grua në të 40-at, që e quan veten “shoqja Chavre”, shprehet e ashpër. 

“Ne e kemi luftuar Shtetin Islamik në emër të pjesës tjetër të botës dhe tani pjesa tjetër e botës po na kthen shpinën. Shpresoj që të gjitha këto gra dhe të burgosurit të kthehen në shtetet e tyre dhe të nisin t’i sulmojnë ata”, ka thënë shefja e sigurimit.

Ndjenja e njëjtë qarkullon edhe në pjesët e tjera të Sirisë verilindore. Nervozizmi shfaqet haptas.
Për shkak të lidhjeve të mëhershme të presidentit sirian, Al-Sharaa, me Al-Kaidën, ku shumë kurdë janë të bindur se nën kostumin dhe kravatën që po e bart tani, ai ende i përmbahet ideologjisë së grupit.

Përderisa tani forcat qeveritare siriane janë nën kontroll të Al-Holit, kampit tjetër të madh të ndalimit në këtë zonë, administratorja e kampit Hakimat Ibrahim ka thënë se gratë e përkushtuara ndaj ISIS-it kanë festuar brenda kampit. Ato kanë shprehur ndjenjën se së shpejti do të jenë krejtësisht të lira.

Më 19 janar, trupat e SDF-së që ruajnë burgun Al-Shaddadi, rreth 160 kilometra në jugperëndim të Al-Rojit, ku mijëra të burgosur të ISIS-it po mbaheshin, është tërhequr nga sulmet e ushtrisë siriane.

SDF-ja ka thënë se si pasojë kanë ikur rreth 1500 të burgosur. Qeveria e Sirisë ka mohuar pretendimin, duke thënë se kanë ikur vetëm 120 dhe se më shumë se 80 janë kapur sërish. Forcat amerikane tani janë në proces të bartjes së rreth 7000 të burgosurve, të ISIS-it, drejt qendrave më të sigurta në Irak.
“Ato tani shpresojnë se ISIS-i do të rikthehet”, ka thënë Ibrahimi për gratë në kampin Roj.

Dhe nëse kjo ndodhë, ajo veçse e ka marrë paralajmërimin. “Nuk do të ju lëmë asnjë të gjallë”, ka thënë ajo se ka qenë mesazhi i grave.