Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë të hënën se operacioni ushtarak amerikan në Venezuelë që rrëzoi presidentin e vendit, Nicolas Maduro, është një "lajm i mirë" për Hungarinë, për shkak të efekteve të mundshme pozitive të këtij veprimi në tregjet botërore të energjisë.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Budapest, Orban, një aleat i ngushtë i presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili urdhëroi sulmin ushtarak kundër Venezuelës, ka thënë se së bashku, Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela mund të kontrollojnë 40% deri në 50% të rezervave globale të naftës.
"Amerikanët kanë nevojë për energji më të lirë për programin e politikave ekonomike të shpallur nga presidenti. Kjo kërkon çmime më të ulëta të energjisë se ato të sotmet. Dhe ky është një lajm i mirë për Hungarinë", ka thënë Orban.
"Unë shoh një shans serioz që, si rezultat i vënies nën kontroll të Venezuelës, një situatë më e favorshme globale e energjisë do të lindë edhe për Hungarinë. Dhe ky është një lajm i mirë”, ka shtuar ai.
SHBA-ja ka kapur Maduron dhe gruan e tij, Cilia Flores, gjatë sulmit të së shtunës dhe i ka dërguar ata në New York për t'u përballur me akuzat për drogë.
Trumpi ka thënë se SHBA-ja “do ta drejtojë” Venezuelën derisa të ndodhë një tranzicion i pushtetit dhe se SHBA-ja do të luajë një rol të konsiderueshëm në industrinë e naftës së Venezuelës.
Hungaria nën Orbanin ka mbetur shumë e varur nga nafta dhe gazi rus edhe pasi Moska nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës fqinje në shkurt 2022, duke ngatërruar shumicën e partnerëve të saj në Bashkimin Evropian, të cilët kanë ulur ndjeshëm importet e tyre të energjisë ruse ose i kanë ndaluar ato plotësisht.
Në nëntor, Trump i ka dhënë Hungarisë një përjashtim njëvjeçar nga sanksionet e SHBA-së mbi energjinë ruse.