Kryeministri nacionalist i Hungarisë, Viktor Orban, të premten është krenuar, duke thënë se Budapesti është i vetmi vend në Evropë ku mund të mbahet takimi i ardhshëm mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin, ka raportuar AP.
Trump të enjten njoftoi për takimin e tij të dytë këtë vit me Putinin, një ditë para se të takohej në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Data e takimit në Hungari ende nuk është caktuar, por Trump ka theksuar se do të mbahet në Budapest dhe ka sugjeruar se mund të ndodhë pas rreth dy javësh.
Orban është një aleat i afërt i Trump dhe konsiderohet si partneri më i ngushtë i Putinit në Bashkimin Evropian.
Ai sugjeroi në një intervistë për transmetuesin shtetëror të Hungarisë se qëndrimi i tij kundër ndihmës ushtarake dhe financiare për Ukrainën ka ndikuar që takimi të mbahet në Budapest.
“Për tre vjet me radhë, ne kemi qenë i vetmi vend që ka kërkuar në mënyrë të hapur, të zëshme dhe aktive paqen”, tha Orban.
Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, Hungaria ka refuzuar të dërgojë armë në Ukrainë apo të lejojë transportimin e tyre përmes territorit të saj. Orban ka kërcënuar se do të vërë veton ndaj disa sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe ka bllokuar miratimin e ndihmave të mëdha financiare për Kievin.
Ndërkohë, Hungaria nuk ka ulur përdorimin e karburanteve ruse që ndihmojnë në financimin e luftës së Rusisë. Përkundrazi, që nga viti 2022, i ka rritur importet nga Rusia, ndryshe nga shumica e vendeve të tjera të BE-së.