Partitë opozitare holandeze të mërkurën kërkuan zgjedhje të reja sa më shpejt të jetë e mundur, një ditë pasi ligjvënësi populist i ekstremit të djathtë, Geer Wilders shkaktoi rrëzimin e qeverisë së koalicionit katërpartiak të vendit.
Administrata 11-mujore e kryeministrit Dick Schoof u shpërbë kur Wilders tërhoqi ministrat e tij të Partisë për Liri, dhe hyn në histori si një nga qeveritë më jetëshkurtra në historinë politike holandeze, raporton AP.
Schoof dhe ministrat e tre partive të mbetura mbeten në pushtet si një qeveri e përkohshme.
Nuk është caktuar asnjë datë për zgjedhje të reja, por nuk ka gjasa që ato të ndodhin para vjeshtës.
Qeveria, me kompetenca të kufizuara, tani duhet të udhëheqë vendin për muaj të tërë para zgjedhjeve të reja dhe gjatë asaj që mund të jenë, përsëri, bisedime të zgjatura për të krijuar një koalicion të ri në peizazhin politik holandez të fragmentuar.
Wilders njoftoi vendimin e tij të martën herët në një mesazh në X pas një takimi të shkurtër në parlament të udhëheqësve të katër partive që përbëjnë administratën e përçarë.