Botë

OKB: Irani ka dëbuar më shumë se gjysmë milioni afganë që nga përfundimi i luftës me Izraelin

Afganistan

Foto: Associated Press

Më shumë se gjysmë milioni afganë janë dëbuar nga Republika Islamike e Iranit në 16 ditët e fundit, që nga përfundimi i konfliktit me Izraelin, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në njërën prej lëvizjeve më të mëdha të popullsisë në dekadën e fundit, ka shkruar CNN.

Për muaj me radhë, Teherani zyrtar kishte shpallur qëllimin e tij për të larguar miliona afganë të paligjshëm që kryejnë punë me paga të ulëta në të gjithë Iranin, shpeshherë edhe në kushte të vështira.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (ONM) ka njoftuar se rreth 508,426 afganë janë larguar nga Irani përmes kufirit iraniano-afgan ndërmjet periudhës 24 qershor dhe 9 korrik.

Deportimet, pjesë e një programi që autoritetet iraniane e kishin njoftuar disa muaj më parë – janë rritur në ritëm që prej konfliktit 12-ditor me Izraelin, i nxitur nga pretendime të pabazuara se afganët kishin spiunuar për shtetin hebraik para dhe gjatë sulmeve. 

Pak dëshmi janë shfaqur për të mbështetur këto pretendime, duke i shtyrë kritikët të sugjerojnë se Irani thjesht po i realizon ambiciet për të reduktuar popullsinë e paligjshme afgane, si dhe po i shfrynë pakënaqësitë e brendshme ndaj pakicës së pambrojtur.

Kushtet e kthimit të tyre janë të rënda, pasi që temperaturat kanë shkuar deri në 40 gradë Celsius.