Botë

Njerëzit kundër majmunëve: Beteja e Azuminos për bashkëjetesë me natyrën

Majmunët

Foto: Associated Press

Në Alpet Veriore të Japonisë, banorët e qytetit Azumino po përballen me një sfidë të pazakontë: makakët japonezë që zbresin nga malet për të kërkuar ushqim në fermat dhe shtëpitë e njerëzve. Për t’i mbajtur larg është krijuar Skuadra e Ndjekjes së Majmunëve”, e cila përpiqet t’i drejtojë kafshët sërish drejt pyjeve. Ndërsa disa kërkojnë zhdukjen e tyre, të tjerë mbrojnë idenë e bashkëjetesës përmes metodave më të buta. Përplasja mes nevojës për siguri njerëzore dhe mbrojtjes së natyrës po shndërrohet në një provë të vështirë për ekuilibrin midis civilizimit dhe jetës së egër në Japoni.

Në shpatet e ultësirave të Alpeve Veriore të Japonisë, njerëzit janë në ndjekje të majmunëve.

Të veshur me jelekë portokalli të ndezur, ata ecin nëpër bambu e shkurre, duke u rënë  zileve, duke fishkëllyer dhe duke goditur shkëmbinj e pemë me shkopinj ecjeje, raporton agjencia "AP".

Me ndihmën e pajisjeve GPS, ata ndjekin lëvizjet e majmunëve dhe përmes radiove njoftojnë bashkëpunëtorët e tyre për t’u afruar kur kafshët janë pranë. Qëllimi është që t’i drejtojnë majmunët përsëri drejt maleve, larg fermave dhe shtëpive të njerëzve.

Rreth 90 kilometra në jug, në Parkun e Majmunëve të Jigokudanit, më shumë se 200.000 vizitorë çdo vit,  gjysma e tyre të huaj - vijnë për të parë të njëjtën specie majmunësh që lahen në burimet termale.

Të dashur nga turistët, por të urryer nga shumë banorë vendas, makakët japonezë përbëjnë një sfidë të vazhdueshme.

Edhe pse dëmet që ata shkaktojnë janë më të vogla krahasuar me ato që vijnë nga derrat e egër, drerët apo sorrat, majmunët janë bërë një bezdi e madhe për fermerët dhe familjet që jetojnë afër maleve. Ata hyjnë nëpër shtëpi, vjedhin ushqime dhe shkatërrojnë të mbjellat.

Sipas Ministrisë Japoneze të Bujqësisë, në vitin 2022 dëmi total në bujqësi nga kafshët e egra, përfshirë edhe majmunët, arriti në 15.6 miliardë jenë (rreth 100 milionë dollarë amerikanë), ku drerët, derrat e egër dhe makakët ishin përgjegjës për rreth 70% të këtij dëmi.

Kështu u krijua Skuadra e Ndjekjes së Majmunëve - rreth 50 punonjës me kohë të pjesshme, të paguar nga shteti, që merren posaçërisht me kontrollin e majmunëve.

Para vitit 2023, thuajse të gjithë majmunët në rajonin Ariake të qytetit Azumino jetonin brenda zonave të banuara, kurse vetëm 1% e tyre gjendej në male, tregoi Masaya Miyake, i cili u vendos në Azumino pesë vjet më parë dhe tani drejton skuadrën.

Sipas të dhënave të qytetit, tashmë makakët e kalojnë rreth gjysmën e kohës në kodra dhe pjesën tjetër nëpër fshatra -  një përmirësim që si Miyake, ashtu edhe autoritetet lokale, ia atribuojnë punës së tyre.

“Ne thjesht po i kthejmë aty ku e kanë vendin”, tha Miyake. “Është e kuptueshme që ushqimi në fshat është më i shijshëm. Ata nuk janë të këqij me qëllim, thjesht zbresin për të ngrënë”.

Në kërkim të mënyrës së duhur për të kontrolluar majmunët

Takumi Matsuda pati për herë të parë një përballje me majmunët kur ata hynë në shtëpinë e tij, menjëherë pasi ishte shpërngulur në Azumino me të atin, dhjetë vjet më parë.

Sot ai zgjohet herët çdo mëngjes për t’i vëzhguar nga afër, dhe postimet e tij në Instagram kanë mbledhur mbi 60.000 ndjekës.

Nëpërmjet fotove dhe videove të tij, Matsuda përpiqet t’i tregojë majmunët jo si dëmtues apo kafshë shtëpiake, por si krijesa të egra që i përkasin natyrës.

“Dua t’u tregoj sa më shumë njerëzve sjelljen e qetë dhe paqësore të majmunëve në habitatin e tyre natyral”, i tha ai agjencisë Associated Press.

Një mëngjes dimri, thellë në male, Matsuda hasi një gjuetar që kishte leje për të vrarë majmunë - një pjesë e përpjekjeve të qytetit Azumino, i cili vlerëson se në zonë jetojnë rreth 600 makakë. Kafshët kapen ose vriten nga organizata gjuetie që kanë autorizim qeveritar.

“Kur e pyeta pse kishte vrarë pikërisht atë majmun, ai më tha se thjesht e kishte parë dhe e kishte qëlluar”, kujtoi Matsuda.
“Ai nuk kishte menduar fare nëse majmuni i përkiste një grupi që zbriste në vendbanime dhe shkatërronte të mbjellat apo sulmonte njerëzit, apo ishte një prej atyre që qëndrojnë thellë në pyll”.

Kjo e bëri Matsudën të vinte në dyshim mënyrën si e trajtonte qyteti problemin. “Në Japoni sot mendimet janë ndarë në dy skaje: disa thonë ‘mos vrit asnjë’, ndërsa të tjerë ‘vriti të gjithë’”, tha ai.

“Unë kundërshtoj marrjen e panevojshme të jetës dhe dua që të gjenden masa efektive, në mënyrë që të mos na duhet të vazhdojmë të vrasim majmunë përgjithmonë”.

“Vrasja e majmunëve mund ta përkeqësojë problemin”

Skuadra e Ndjekjes së Majmunëve patrullon nëpër kodra gjatë gjithë vitit. Megjithëse përpjekjet e tyre për t’i mbajtur majmunët larg zonave të banuara janë të vazhdueshme, thirrjet për të vrarë në masë një numër të madh prej tyre po shtohen gjithnjë e më shumë.

“Një vdekje e shpejtë dhe pa dhimbje nga një njeri me përvojë është mëshirimi i fundit që mund t’u ofrojmë”, tha anëtari i Këshillit të Qytetit, Azumino, Yoichi Tsujitani. Sipas tij, do të duheshin rreth dy deri në tre vjet që makakët të zhdukeshin plotësisht nga zonat afër njerëzve.

Por, sipas ekologut Shigeyuki Izumiyama nga Universiteti Shinshu në Nagano, përpjekjet për t’i vrarë majmunët mund të kenë sjellë rezultat të kundërt. Kur e gjithë një tufë eliminohet, grupet fqinje zhvendosen menjëherë në atë territor, dhe me zvogëlimin e përmasave të tufave, majmunët e mbetur shtyhen edhe më thellë drejt tokave bujqësore.

“Një pjesë e problemit qëndron në faktin se ligjvënësit nuk kanë kohë të mjaftueshme dhe kërkojnë rezultate të menjëhershme”, shpjegoi Takayo Soma, studiuese e primatëve në Universitetin e Kiotos. 
“Por ekologjia nuk funksionon kështu. Makakët jetojnë rreth 20 vjet, ndaj duhet një qasje afatgjatë për t’i menaxhuar”.

Përplasjet mes njerëzve dhe majmunëve pritet të shtohen

Michael Johnson, një profesor i pensionuar i anglishtes që jeton në Azumino që nga viti 2011, tregoi se majmunët i janë futur në shtëpi plot katër herë. Në një rast më 2021, një grup prej 12 majmunësh e ktheu shtëpinë e tij përmbys, duke shkaktuar pastrim që zgjati pesë orë pasi kishin ngrënë vezë, bukë, drithëra, fruta dhe pothuajse çdo gjë që gjetën përpara.

“Ajo që nuk preket ishte burboni”, tha Johnson me shaka.

Ai shtoi se tashmë nuk shkon më në Bashkinë e qytetit, e cila shpërndan fishekzjarrë falas dhe leje njëmujore për armë ajri për t’u mbrojtur nga majmunët. “Ç ‘kuptim ka? Mendoj se llastiku im është më efektiv - megjithatë ata janë mjaft të zgjuar për të mos iu afruar shumë”.

Specia e makakëve mori statusin e mbrojtjes në vitin 1947, për të ndihmuar në rindërtimin e popullsisë së tyre pas shfarosjeve të shumta gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Profesori Izumiyama rekomandon një sërë masash më të buta e të qëndrueshme: pastrimin e vegjetacionit rreth fermave, ndjekjen e lëvizjeve të majmunëve përmes  GPS-it dhe pajisjeve që matin sinjalet me antenë dhe telefon inteligjent, ashtu siç bën skuadra e ndjekjes, si dhe instalimin e gardheve elektrike.

Kazuo Matsuda, një fermer mollësh që ka vendosur gardhe elektrike në pronën e tij, thotë se ato e ndihmojnë të mbajë majmunët larg nga kopshti i mollëve, por janë shumë të kushtueshme për t’u mirëmbajtur.

Ndërkohë Shigeru Maruyama një mësues në pension dhe anëtar i Skuadrës së Ndjekjes së Majmunëve, i cili gjithashtu kultivon mollë e boronica, thotë se qentë janë më të mirë se njerëzit për t’i trembur ata.

“Kur i ndjekim vetë, majmunët vetëm na sfidojnë, sikur të thonë: ‘Eja pra, provo nëse guxon,’” tregoi Takahiro Isomoto, që ka trajnuar qentë për të larguar majmunët, arinjtë, derrat e egër dhe drerët.

Në një tempull pyjor, skuadra e Miyakes bëri një pushim të shkurtër. Vetëm pak minuta pasi u përzunë, majmunët u kthyen përsëri mbi çatinë e tempullit për të vëzhguar njerëzit poshtë.

“Tani është thuajse e kundërta - duket sikur jemi skuadra që nuk ndjek më majmunët”, tha me shaka udhëheqësi i grupit.