Botë

Nisin votimet në SHBA – Të gjithë sytë nga gara për New Yorkun

New York

Qendrat e votimit janë hapur të martën në New York, Virxhinia dhe New Jersey, ndërsa në Kaliforni do të hapen më vonë, në të ashtuquajtuarat zgjedhje që mbahen “në vitet jozgjedhore” të cilat nuk përfshijnë gara presidenciale ose kongresive. 

Në Virxhinia dhe New Jersey zhvillohet gara për guvernator, në New York pwr kryetar bashkie, ndërkaq në Kaliforni, ka një garë për të ripërcaktuar kufijtë e distrikteve kongresive përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit të vitit të ardhshëm. 

Qyteti i New Yorkut do të zgjedhë kryetarin e ardhshëm të bashkisë, në një betejë që ka vënë përballë një demokrat më të ri dhe progresiv kundër një anëtari të gardës së vjetër të partisë.

Të gjithë sytë do të jenë te “Molla e Madhe” (pseudonim për New Yorkun) ndërsa Zohran Mamdani, një anëtar i asamblesë shtetërore, 34-vjeçar, synon të bëjë një përmbysje politike në përpjekjen e tij për t'u bërë kryetari më i ri i bashkisë së qytetit të New Yorkut në më shumë se një shekull.

Mamdani, një socialist demokrat, tronditi skenën politike kur mposhti ish-guvernatorin Andrew Cuomo në zgjedhjet paraprake demokrate këtë verë. Cuomo, i palëkundur, ka vazhduar të bëjë fushatë si i pavarur. Ndërkohë, republikani Curtis Sliwa i ka rezistuar presionit për t'u tërhequr nga gara për t'i hapur rrugën Cuomos.

Nëse Mamdani fiton, ai do të bëhet kryebashkiaku i parë mysliman i qytetit. Demokratët në të gjithë vendin do të vëzhgojnë nëse fokusi i tij i tepruar në çështjet e kostos së jetesës, si qiraja, ushqimet dhe pagat, mund të shërbejë si një mesazh efektiv në garat e ardhshme.

Edhe pse Mamdani hyn në zgjedhje me një epërsi në sondazhe, hendeku midis tij dhe Cuomo-s është ngushtuar. Në fazën e fundit të fushatës, Cuomo e ka kritikuar ashpër Mamdanin për krimin dhe sigurinë publike, dhe ka thënë se politikanit të ri i mungon përvoja për të udhëhequr qytetin më të madh të Amerikës.

Edhe pse nuk është në fletëvotim, emri i Trumpit është i dukshëm në këto zgjedhje.

Gara për kryetarin e bashkisë së New Yorkut është mënyra se si udhëheqësi i ardhshëm i qytetit do të merret me administratën Trump, e cila është përzier në politikën e qytetit.

Cuomo po e paraqet përvojën e tij si guvernator duke u marrë me administratën e parë si një arsye që votuesit ta zgjedhin atë.

E presidenti Trump ka lënë të kuptohet se do ta penalizojë qytetin nëse votuesit zgjedhin Mamdanin.

"Do të jetë e vështirë për mua si president t'i jap shumë para New Yorkut, sepse nëse ke një komunist që drejton New Yorkun, e tëra çfarë bën është të shpërdorosh paratë që po dërgon atje", ka thënë Trumpi në një intervistë për CBS që u transmetua të dielën. Mamdani e hedh poshtë etiketimin e tij si komunist.