Ka nisur në New York një mbledhje e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi situatën aktuale në Venezuelë.
Rendi i ditës për mbledhjen e jashtëzakonshme është renditur si diskutim i "kërcënimeve për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare".
Presidenti venezuelias i kapur nga SHBA-ja, Nicolas Maduro, është transferuar të hënën në mëngjes për në një gjykatë të New Yorkut, ku bashkë me gruan e tij, do të paraqitet para një gjyqtari të caktuar për rastin ndaj tij.
Maduro do të përballet me akuzat për narko-terrorizëm.
OKB-ja “e shqetësuar për mosrespektimin e të drejtës ndërkombëtare” në rastin e Venezuelës
Në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila po zhvillohet tani, nënsekretarja e përgjithshme, Rosemary DiCarlo, ka lexuar një deklaratë në emër të sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres.
Guterres thotë se është "thellësisht i shqetësuar që rregullat e së drejtës ndërkombëtare nuk janë respektuar" kur bëhet fjalë për veprimet e SHBA-së në Venezuelë.
"Jam thellësisht i shqetësuar për intensifikimin e mundshëm të paqëndrueshmërisë në vend, ndikimin e mundshëm në rajon dhe precedentin që mund të krijojë për mënyrën se si zhvillohen marrëdhëniet midis shteteve”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Guterres.