Kur Izraeli nisi operacionin “Luani i Zgjuar”, zyrtarët në Rusi e përshkruan përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme si “alarmante” dhe “të rrezikshme”, shkruan BBC.
Megjithatë, mediat ruse fillimisht u përpoqën ta shfaqnin situatën edhe si një mundësi me përfitime të mundshme për Moskën. Mes përfitimeve të përmendura ishin rritja e çmimeve globale të naftës, që mund të mbushë arkën e Kremlinit; Shpërqendrimi i vëmendjes ndërkombëtare nga lufta në Ukrainë – gazeta Moskovsky Komsomolets shkruante në ballinë: “Kievi është harruar” dhe nëse pranohet oferta e Rusisë për të ndërmjetësuar në konflikt, Moska do të paraqitej si aktor kyç në Lindjen e Mesme dhe si “paqebërës”, pavarësisht agresionit të saj në Ukrainë.
Por sa më gjatë që zgjat ndërhyrja ushtarake e Izraelit, aq më shumë rritet vetëdijësimi se Rusia ka shumë për të humbur nga zhvillimet aktuale.
“Përshkallëzimi i konfliktit mbart rreziqe serioze dhe kosto të mundshme për Moskën. Fakti mbetet që Rusia nuk arriti ta parandalojë një goditje masive të Izraelit ndaj një shteti me të cilin pesë muaj më parë [ajo] nënshkroi partneritet strategjik gjithëpërfshirës”, shkroi analisti politik rus Andrei Kortunov në të përditshmen “Kommersant” të hënën.
Ai shtoi se është e qartë që Moska nuk është e gatshme të shkojë përtej deklaratave politike që dënojnë Izraelin, dhe nuk është e përgatitur t’i ofrojë Iranit ndihmë ushtarake.
Partneriteti strategjik i nënshkruar në fillim të këtij viti nga Vladimir Putin dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian nuk është aleancë ushtarake dhe nuk e detyron Rusinë të mbrojë Iranin në rast sulmi.
Megjithatë, në atë kohë Moska e vlerësoi lart marrëveshjen.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi për Ria Novosti se ajo i kushtonte “vëmendje të veçantë forcimit të bashkëpunimit në interes të paqes dhe sigurisë në nivel rajonal dhe global, si dhe dëshirës së përbashkët të Moskës dhe Teheranit për bashkëpunim më të ngushtë në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes”.
Në gjashtë muajt e fundit, Moskës i ka rënë tashmë aleati i rëndësishëm në rajon – Bashar al-Assadi.
Pas rrëzimit të liderit sirian në dhjetor të kaluar, ai u strehua në Rusi.
Tani, mundësia e një ndryshimi regjimi në Iran dhe rreziku për të humbur edhe këtë partner strategjik përbëjnë shqetësim serioz për Kremlinin.
“Në politikën globale po ndodhin ndryshime masive në kohë reale, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi në jetën në vendin tonë”, shkroi gazeta ruse “Moskovsky Komsomolets”.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin këtë javë do ta kalojë në Shën Petersburg, ku mbahet Forumi Ekonomik Ndërkombëtar– dikur i cilësuar si “Davosi i Rusisë”, megjithëse ky përshkrim nuk vlen më.
Shefat e kompanive më të mëdha perëndimore nuk marrin më pjesë, veçanërisht që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Megjithatë, organizatorët pretendojnë se këtë vit do të marrin pjesë përfaqësues nga më shumë se 140 shtete dhe territore.
Autoritetet ruse pritet ta përdorin këtë ngjarje për të treguar se përpjekjet për izolimin e Rusisë kanë dështuar.
Edhe pse forumi ka karakter ekonomik, geopolitika do të jetë në plan të parë – me shumë interes për çdo koment që Putin do të bëjë lidhur me Lindjen e Mesme dhe Ukrainën.
