Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Nga abuzimi te shpresa: lufta e grave kundër martesave të detyruara në Kinë

kine

Në zonat rurale të Kinës, shumë gra të cenueshme vazhdojnë të përballen me martesa të detyruara, shfrytëzim dhe forma të ndryshme abuzimi, shpesh larg vëmendjes së publikut dhe institucioneve. Megjithatë, pas rastit që tronditi vendin në vitin 2022, një rrjet aktivistesh ka nisur të veprojë në terren për të identifikuar dhe ndihmuar viktimat. Edhe pse përballen me censurë, presion dhe mungesë mbështetjeje institucionale, këto gra po përpiqen t’u japin zë atyre që prej vitesh kanë mbetur të padukshme.

Verën e kaluar, Xiaocao, një grua e qetë dhe e matur rreth të dyzetave, mori një informacion se në Luliang, qytet i vogël në provincën Shanxi të Kinës, gra të pambrojtura po detyroheshin të hynin në martesa kundër vullnetit të tyre. Së bashku me një tjetër vullnetare, ajo vendosi të hetonte rastin.
Pasi u nisën nga Pekini, dy vullnetaret udhëtuan drejt jugut për shumë orë me tren dhe makina me qira. Disa nga fshatrat ku shkuan rezultuan të ishin pista të gabuara dhe nuk çuan në asnjë zbulim. Megjithatë, në ditën e fundit të udhëtimit të tyre, ato ndaluan në një qark ku kishin dëgjuar për një grua me aftësi të kufizuara në të nxënë, e cila ishte “martuar” me dy vëllezër. Pas pak kërkimesh, ato arritën ta gjenin.

“Ajo e kuptoi se ne nuk kishim qëllime të këqija, prandaj ndaloi dhe bisedoi me ne”, thotë Xiaocao, e cila kërkoi të identifikohej vetëm me nofkën e saj për shkak të natyrës së ndjeshme të punës që bën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në fund, gruaja refuzoi ndihmën që iu ofrua. Megjithatë, rasti i saj është vetëm një ndër ndoshta mijëra rasteve në të gjithë Kinën, të cilat aktivistët përpiqen t’i identifikojnë dhe t’u ofrojnë ndihmë grave të cenueshme që dyshohet se janë abuzuar ose janë bërë viktima të trafikimit. Në vend që të angazhohen në fushata publike apo protesta të hapura, këta aktivistë punojnë kryesisht në prapaskenë, duke ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë për gratë që, sipas tyre, nuk po marrin mbrojtjen e duhur nga shteti.

Në një seri prej katër pjesësh, gazeta “The Guardian” analizoi ndryshimin e pozitës së grave në shoqërinë kineze. Kjo seri shqyrton mënyrën se si gratë po reagojnë ndaj kufizimeve të vendosura nga qeveria, si dhe ndaj ndryshimeve sociale dhe ekonomike që po ndikojnë në aspekte të ndryshme të jetës së tyre.

Incidenti i “gruas së lidhur me zinxhir”

Trafikimi dhe shfrytëzimi i grave në Kinë tërhoqi vëmendjen e opinionit publik ndërkombëtar pas një rasti që doli në dritë në vitin 2022.

Çdo detaj i këtij rasti ishte tronditës: një grua e lidhur me zinxhir në qafë në një kasolle të pistë dhe të rrënuar; tetë fëmijët që ajo kishte sjellë në jetë; si dhe përpjekjet fillestare të zyrtarëve lokalë për të justifikuar martesën e saj me burrin që e kishte mbajtur të lidhur.

Rasti i “gruas së lidhur me zinxhir”, një grua me probleme të shëndetit mendor që më vonë u identifikua si Xiao Huamei, u bë shpejt viral pasi u publikua në internet nga një bloger videosh në vitin 2022. Edhe pse autoritetet u përpoqën të kufizonin reagimin publik dhe përhapjen e informacionit, ky incident frymëzoi një formë të re të feminizmit në Kinë, një lëvizje që vepron kryesisht në hije dhe larg vëmendjes së publikut.

Qeveria kineze deklaron se lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore është një nga prioritetet e saj, por aktivistët argumentojnë se planet dhe masat e ndërmarra nga autoritetet vuajnë nga mungesa e transparencës.

Në vitin 2021, qeveria kineze nisi një plan dhjetëvjeçar kundër trafikimit, në të cilin parashikohej që metodat e hetimit të “modernizoheshin dhe përmirësoheshin”. Në prill të këtij viti, Gjykata Supreme Popullore deklaroi se numri i krimeve të trafikimit dhe rrëmbimit që përfshijnë gra dhe fëmijë ka rënë me afro 80 për qind krahasuar me vitin 2012.

Megjithatë, gjatë viteve të fundit, Kina ka reduktuar ndjeshëm numrin e vendimeve gjyqësore që publikohen në internet, duke e bërë shumë të vështirë gjetjen e detajeve për raste të veçanta ose verifikimin e pretendimeve zyrtare. Për më tepër, normat tradicionale shoqërore që vazhdojnë të dominojnë në zonat rurale bëjnë që shumë raste të mos raportohen fare.

Një raport i qeverisë së Shteteve të Bashkuara, i publikuar vitin e kaluar dhe që trajton trafikimin në Kinë, theksonte se “disa raste të martesave të detyruara trajtoheshin në nivel fshati përmes ndërmjetësimit lokal; këto procedura rrallëherë përfundonin me shpalljen fajtor të personave të përfshirë”.

Që nga ardhja në pushtet e Xi Jinpingut në vitin 2012, autoritetet kineze kanë shtuar kontrollin ndaj organizatave të shoqërisë civile, përfshirë edhe grupet që punojnë për luftimin e ngacmimeve seksuale, dhunës në familje dhe diskriminimit.

Pavarësisht këtyre kufizimeve, grupe të reja grash në mbarë Kinën po ndërmarrin veprime konkrete.

Një aktiviste feministe, e cila kërkoi të mbetet anonime, tha se pas rastit të Xiaos gjithnjë e më shumë gra të privilegjuara janë treguar të gatshme të flasin dhe të angazhohen në mbrojtje të grave rurale me aftësi të kufizuara.

Sipas saj, ndërsa qëndrimet kundër martesës dhe kundër lindjes së fëmijëve po bëhen më të zakonshme mes grave në qytetet e mëdha, shumë prej tyre janë bërë më të ndjeshme ndaj faktit se në zonat rurale ka ende gra që detyrohen të martohen dhe të lindin fëmijë kundër vullnetit të tyre.

Aktivistët e përqendrojnë punën e tyre te gratë që i konsiderojnë viktima të trafikimit, shfrytëzimit dhe abuzimit. Përveç rasteve kur gratë blihen ose shiten për martesë, disa prej tyre detyrohen të hyjnë në marrëdhënie për të cilat nuk janë në gjendje të japin pëlqimin e tyre të vetëdijshëm.

Celine Liao, studiuese doktorature në Universitetin e Uashingtonit, e cila merret me studimin e feminizmit në Kinë, tha se para incidentit të “gruas së lidhur me zinxhir”, “trafikimi nuk ishte në qendër të diskutimeve kryesore feministe në internet”. Sipas saj, që nga viti 2022, “feministet dhe publiku i gjerë janë bërë dukshëm më të ndjeshëm ndaj çështjeve që lidhen me trafikimin. Në rastet që kanë pasuar, është ushtruar presion më i madh publik ndaj prokurorëve për të hetuar nëse ka pasur elemente të trafikimit”.

Shumë larg qyteteve moderne dhe të pasura si Pekini dhe Shangai, rasti i Xiaos shkaktoi një valë zemërimi te njerëzit që e panë atë si një tjetër shembull të dështimit të shoqërisë për të mbrojtur individët më të pambrojtur.

Aktivistët janë nxitur edhe nga bindja se historia e Xiaos nuk ishte një rast i izoluar. Në shkurt të këtij viti, u përhap lajmi për një rast tjetër. Në rajonin e varfër dhe malor të Guangxit, në jug të Kinës, u zbulua një burrë që jetonte me një grua me aftësi të kufizuara në të nxënë, me të cilën kishte pasur nëntë fëmijë.

“Nuk guxoj ta quaj këtë trafikim njerëzor. Nuk kam prova për këtë. Por dua të shtroj një pyetje: si mund të ketë një grua me aftësi të kufizuara intelektuale nëntë fëmijë me një burrë në mënyrë ‘vullnetare’? A ishte ajo në gjendje të shprehte pëlqimin e saj?” shkroi blogeri ligjor Li Yuchen në një artikull që u censurua menjëherë pas publikimit.

“Një aktakuzë ndaj shoqërisë ku jetojmë”

Gratë kanë reaguar në mënyra të ndryshme ndaj këtij fenomeni.

Disa prej tyre, si Xiaocao, udhëtojnë personalisht në zonat ku raportohen raste të shfrytëzimit, për të hetuar dhe verifikuar situatat në terren. Të tjera shfrytëzojnë kohën e lirë për të monitoruar përpjekjet kombëtare kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ka edhe nga ato që kanë lobuar në arenën ndërkombëtare për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë problem në Kinë - një veprim që konsiderohet veçanërisht i rrezikshëm në klimën aktuale politike. Pothuajse të gjitha veprojnë nën mbulesën e anonimatit, nga frika e ndëshkimeve ose hakmarrjes nga autoritetet, të cilat, megjithëse zyrtarisht deklarojnë se mbështesin luftën kundër trafikimit, shpesh tregohen të ashpra ndaj aktivistëve të pavarur.

Një analizë e publikuar nga studiues të Universitetit Renmin tregoi se, nga më shumë se 1.200 viktima gra të trafikimit të përmendura në dosjet gjyqësore ndërmjet viteve 2017 dhe 2020, rreth 20 për qind jetonin me aftësi të kufizuara fizike ose mendore. Ndërkohë, shumë raste, si ai i gruas që Xiaocao zbuloi në provincën Shanxi, nuk raportohen kurrë tek autoritetet.

Në shkurt të këtij viti, Free Nora, një kolektiv mediatik i krijuar pas rastit të Xiao Huameit, publikoi një artikull me rastin e katërvjetorit të ngjarjes. Në artikull, rasti përshkruhej si “një aktakuzë ndaj shoqërisë dhe historisë në të cilën jetojmë”. Gjithashtu, publikimi përmbante një analizë të detajuar të përparimeve dhe mangësive të qeverisë në mbrojtjen e të drejtave të grave rurale, bazuar në statistika gjyqësore të disponueshme publikisht. Përfundimi i analizës ishte se përparimi i arritur deri më tani ishte “i pamjaftueshëm”. Më vonë, artikulli dhe llogaria e Free Nora në WeChat u fshinë.

Në lidhje me rastin e Xiao Huameit, gjashtë persona, përfshirë edhe bashkëshortin e saj, u shpallën fajtorë për vepra penale që lidhen me këtë ngjarje. Autoritetet nisën gjithashtu një operacion të posaçëm për identifikimin e rasteve të ngjashme, i cili çoi në zbulimin e më shumë se 1.000 grave dhe fëmijëve të raportuar si të zhdukur.

Megjithatë, përpjekjet për të hetuar më thellë rrënjët e problemit janë penguar vazhdimisht. Aktivistët kanë vënë në dukje se legjislacioni kinez e kriminalizon blerjen dhe shitjen e grave, por nuk trajton në mënyrë të qartë rastet kur gratë e cenueshme detyrohen të hyjnë në martesa kundër vullnetit të tyre.
Qeveria kineze nuk iu përgjigj kërkesave për komentet lidhur me këto pretendime.

Për momentin, gra si Xiaocao janë të kufizuara në përpjekjet për të ndihmuar viktimat rast pas rasti, në vend që të nxisin reforma më të gjera dhe ndryshime strukturore. Megjithatë, Xiaocao aktualisht po studion për drejtësi me synimin që të bëhet avokate, në mënyrë që të ketë më shumë mundësi për të mbrojtur të drejtat e grave dhe fëmijëve.

Ajo është e bindur se autoritetet nuk e kanë trajtuar problemin me seriozitetin e duhur, pavarësisht përpjekjeve të reja që u ndërmorën pas rastit të Xiao Huameit.

“Nuk mendoj se është realiste të mbështetemi tek autoritetet për ta goditur dhe eliminuar këtë fenomen”, thotë ajo.