Gazeta prestigjioze “New York Times” po padit Departamentin amerikan të Mbrojtjes për kufizimet e reja të Pentagonit mbi qasjen në shtyp.
Padia, që do të ngrihet në gjykatën federale në Uashington, DC, emëron Departamentin e Mbrojtjes, Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth dhe zëdhënësin kryesor të Pentagonit, Sean Parnell, si të pandehur.
Padia kërkon shfuqizimin e një politike të re, të miratuar në tetor, që bëri që Pentagoni të detyronte gazetarët të dorëzonin lejet e tyre të shtypit.
"Politika është një përpjekje për të ushtruar kontroll mbi raportimin që qeveria nuk e pëlqen, në shkelje të së drejtës së shtypit të lirë për të kërkuar informacion sipas të drejtave të tyre të Amendamentit të Parë dhe të Pestë të mbrojtura nga Kushtetuta", ka thënë zëdhënësi i Times, Charlie Stadtlander.
"'The Times' synon të mbrohet fuqishëm kundër shkeljes së këtyre të drejtave, ashtu siç kemi bërë prej kohësh në të gjitha administratat që kundërshtojnë shqyrtimin dhe llogaridhënien", ka shtuar ai.
Avokatët e The Times kërkojnë një deklaratë se politika e re është jokushtetuese në pamje të parë dhe një urdhër ndalimi që pengon zbatimin e saj, raporton CNN.
Hegseth dhe ndihmësit e tij pritet të kundërshtojnë, duke përdorur të njëjtat argumente të sigurisë kombëtare që u përdorën pë kufizimet e tetorit.
Udhëheqës të industrisë së mediave të lajmeve dhe kritikë të tjerë të politikës së re thanë se qëllimi i vërtetë i Hegseth është të pengojë mbulimin dhe shqyrtimin e pavarur të administratës Trump.
Më parë këtë javë, Hegseth mirëpriti dhjetëra influencerë dhe krijues përmbajtjesh pro-Trump në Pentagon për seanca orientimi dhe konferenca për shtyp.
Krijuesit e përmbajtjes, të cilët të gjithë pranuan kufizimet e reja, që janë në thelb të padisë së The Times, janë cilësuar nga ekipi i komunikimit të Hegseth si "korpusi i ri i shtypit të Pentagonit", pavarësisht mungesës së përgjithshme të përvojës së grupit në raportimin ushtarak.
Ndërkohë, gazetarët veteranë që dorëzuan lejet e tyre të shtypit në tetor vazhdojnë të raportojnë për Pentagonin nga jashtë pesë mureve të tij.