Botë

Netanyahun s’e bindin paralajmërimet e aleatëve: Izraeli do ta marrë nën kontroll tërë Gazën

Benjamin Netanyahu

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar të hënën se Izraeli do ta marrë “nën kontroll” tërë Rripin e Gazës, pavarësisht se liderët e Britanisë së Madhe, Francës e Kanadasë e kritikuan përshkallëzimin e fushatës ushtarake dhe bllokadën e ndihmës humanitare.

Britania, Franca dhe Kanadaja e kundërshtuan haptazi zgjerimin e luftës si “joproporcionale”, duke e përshkruar gjendjen në Gaza si “të patolerueshme”, dhe njëkohësisht kërcënuan se do të ndërmarrin veprime konkrete nëse Izraeli vazhdon fushatën, raporton “The Guardian”.

“Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq, përderisa qeveria e Netanyahut ndjek këto veprime skandaloze. Nëse Izraeli nuk e ndal ofensivën e ushtarake dhe nuk heq kufizimet për ndihmën humanitare, ne do të ndërmarrim veprime të mëtejshme konkrete si përgjigje”, thuhet në deklaratën e përbashkët të tri qeverive aleate.

Netanyahu iu kundërpërgjigj këtij mesazhi, tek bëri të ditur se Izraeli do të vazhdojë të mbrojë veten deri në arritjen e asaj që e cilësoi si “fitore totale”.

“Liderët në Londër, Otavë dhe Paris po ofrojnë çmim të madh për sulmin gjenocidal ndaj Izraelit më 7 tetor, ndërsa ftojnë më shumë mizori të tilla”, ka thënë kryeministri izraelit.

Si rezultat i presionit ndërkombëtar, Qeveria e Netanyahut u detyrua të lehtësonte bllokadën e ndihmave humanitare për popullatën civile.

Këtë e konfirmoi shefi i ndihmës në Kombet e Bashkuara, Tom Fletcher, i cili bëri të ditur se Izraeli ka lejuar nëntë kamionë me ndihma të hënën që të hyjnë në Gaza përmes vendkalimit Keren Shalom, pas 11 javësh bllokadë të plotë.