Botë

Netanyahu: Kushdo që kërcënon Izraelin, do të paguajë çmim të lartë

Netanyahu

Foto: Associated Press

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka ripërsëritur të enjten në një ceremoni përkujtimore se Izraeli do të arrijë të gjitha qëllimet e luftës në Gazë që ka ndërmend të përmbushë.

Duke folur pasi presidenti Herzog mbajti një fjalim në të njëjtën ceremoni, Netanyahu ka thënë se ata që kërcënojnë Izraelin do të paguajnë një "çmim të lartë" dhe ka theksuar se lufta nuk ka mbaruar ende.

"Kushdo që na vë dorën e di se do të paguajë një çmim shumë të rëndë", është shprehur kryeministri izraelit.

Deklarata e tij vjen në kohën kur po zbatohet një armëpushim i brishtë mes Izraelit dhe Hamasit në luftën e Gazës.

Në kuadër të fazës së parë të marrëveshjes, Hamasi ka liruar të gjitha 20 pengjet e gjalla, dhe po ashtu deri më tani ka liruar 9 trupa pengjesh të vdekur.

Mbeten edhe 19 trupa pengjesh që duhet të lirohen, por për të cilat Hamasi kërkon kohë sepse thekson se është e vështirë që t’i gjejë të gjitha, pasi i duhen edhe mjete specifike për t’i nxjerrë nga rrënojat.