Botë

Netanyahu konfirmon armëpushimin në Siri

Benjamin Netanyahu

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar të enjten se është arritur marrëveshje për armëpushim në Siri.

Sipas deklaratës së tij, është vendosur një politikë e qartë që përfshin demilitarizimin e zonës në jug të Damaskut dhe mbrojtjen e komunitetit Druze, të cilët ai i cilësoi si “vëllezërit tanë”. Më herët, Netanyahu kishte urdhëruar ushtrinë izraelite të ndërhynte ashpër, pasi forcat e regjimit të Damaskut kishin ndërmarrë sulme që, sipas tij, kishin rezultuar në “masakra” ndaj Druzeve.

Ai u shpreh se sulmet izraelite kanë ndikuar në vendosjen e armëpushimit dhe tërheqjen e ushtrisë siriane drejt Damaskut. Qeveria e presidentit sirian Ahmed al-Sharaa kishte njoftuar më herët gjatë ditës se do t’i tërhiqte trupat nga zonat ku jeton komuniteti Druze.

Reuters raportoi gjithashtu se lideri fetar i komunitetit Druze, Sheikh Yousef Jarbou, ka konfirmuar një marrëveshje me qeverinë siriane, e cila do të hynte në fuqi menjëherë.

Një ditë pas urdhrit për sulme të gjera ndaj caqeve qeveritare dhe ushtarake siriane, Netanyahu ka thënë se Izraeli do të vazhdojë të përdorë mjete ushtarake për të zbatuar dy vijat e kuqe në Siri.

“Kemi vendosur një politikë të qartë për demilitarizimin e zonës në jug të Damaskut, nga Lartësitë e Golanit deri te Druzet. Kjo është njëra vijë e kuqe. Tjetra është mbrojtja e vëllezërve tanë në Jebel Druze”, deklaroi Netanyahu.

Ai theksoi se nuk do të lejojë vendosjen e forcave siriane në jug të Damaskut dhe se nuk do të lejojë asnjë rrezik ndaj komunitetit Druze në Jebel Druze, duke akuzuar regjimin e presidentit Ahmed al-Sharaa se ka shkelur të dyja këto vija të kuqe ditë më herët.

Më shumë se gjysma e rreth 1 milion druzeve që jetojnë nëpër botë, ndodhen në Siri. Pjesa tjetër jeton në Liban dhe në Izrael, përfshirë edhe në Rrafshnaltën e Golanit, të cilën Izraeli e kishte pushtuar nga Siria gjatë luftës së vitit 1967 dhe e kishte aneksuar më pastaj në vitin 1981.

Sekti fetar druz e ka origjinën që në shekullin e 10-të, dhe është degë e islamit shiit.