Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të martën e ka përshëndetur miratimin nga Kombet e Bashkuara të planit të administratës Trump për paqe të qëndrueshme në Gaza, derisa Hamasi e ka refuzuar.
Rezoluta e miratuar të hënën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, autorizon krijimin e një force ndërkombëtare të stabilizimit për të siguruar rendin në Gazën e shkatërruar nga lufta, miraton themelimin e një autoriteti tranzitor të quajtur Bordi i Paqes, i cili do të mbikëqyret nga presidenti Donald Trump dhe parasheh një rrugë të mundshme drejt krijimit të një shteti të pavarur palestinez.
“Ne besojmë se plani i presidentit Trump do të sjellë paqe, sepse insiston në çmilitarizimin e plotë dhe çarmatosjen e Gazës”, ka shkruar Zyra e Netanyahut në platformën X të martën.
Rezoluta i jep mandat të gjerë forcës ndërkombëtare, përfshirë mbikëqyrjen e kufijve, sigurimin e zonës dhe çmilitarizimin e Gazës.
Plani amerikan parasheh që forca e stabilizimit të sigurojë “çaktivizimin e përhershëm të armëve nga grupet e armatosura joshtetërore. Ai autorizon këtë forcë “të përdorë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin e saj” në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, formulim ky i OKB-së që nënkupton mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake.
Hamasi deklaroi të hënën se përfshirja e çarmatosjes në këtë plan shkon në favor të okupimit. Ai shtoi se rezoluta nuk “përmbush kërkesat dhe të drejtat politike e humanitare të popullit palestinezë”.
Hamasi kërkoi që çdo forcë ndërkombëtare të jetë nën mbikëqyrjen e OKB-së, të vendoset vetëm në kufijtë e Gazës për të monitoruar armëpushimin dhe të funksionojë ekskluzivisht në bashkëpunim me institucionet palestineze.