Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, ka thënë të mërkurën se homologu i tij izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka “humbur rrugën” dhe se pushtimi i planifikuar i Gazës nga Izraeli është “krejtësisht i papranueshëm”.
Komentet e Luxon vijnë ndërsa qeveria e tij e koalicionit konservator po shqyrton nëse duhet t’u bashkohet anëtarëve të tjerë të aleancës së sigurisë “Pesë Sytë”, Australisë, Britanisë dhe Kanadasë, në lëvizjen për të njohur një shtet palestinez, dhe po ashtu, teksa shtohet dënimi dhe zemërimi ndërkombëtar për vendimin e fundit të Izraelit për të marrë kontrollin e Gazës, kufizimin e ndihmës dhe urinë masive në enklavë.
Luxon, i cili udhëheq Partinë Kombëtare me prirje të djathtë, ka thënë se Netanyahu “nuk po i dëgjon” kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë humanitare “të pakufizuar” që të dorëzohet në Gaza.
“Mendoj se Netanyahu e ka tepruar. Mendoj se e ka humbur rrugën. Dhe mendoj se ajo që po shohim brenda natës me sulmin ndaj Gazës është krejtësisht, krejtësisht e papranueshme”, ka thënë Luxon, në disa nga komentet e tij më të forta kundër veprimeve të Izraelit në Gaza deri më sot.
Ndërkohë, Izraeli ka vazhduar sulmet e tij intensive ajrore në Gaza këtë javë dhe marrja e planifikuar ushtarake e qytetit të Gazës nga Netanyahu, që pritet të detyrojë deri në një milion njerëz të largohen nga qyteti, është dënuar gjerësisht.
"Ne kemi thënë se një zhvendosje me forcë e njerëzve dhe një aneksim i Gazës do të ishte një shkelje e të së drejtës ndërkombëtare", ka thënë Luxon.