Ishte sulmi më vdekjeprurës i raportuar në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit. Shumica e viktimave ishin fëmijë.
Në pothuajse çdo konflikt tjetër, këto të vërteta rrëqethëse do të nguliteshin në kujtesën kombëtare. Megjithatë, më shumë se 120 ditë që kur të paktën një raketë amerikane goditi shkollën fillore iraniane, nuk ka ende një shpjegim të plotë të asaj që ndodhi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAdministrata Trump nuk e ka pranuar ende drejtpërdrejt fajin ose nuk ka publikuar zyrtarisht gjetjet e një hetimi të Pentagonit për bombardimin, edhe pse ushtria zotëronte prova se zona e shkollës ishte goditur, ka thënë një zyrtar amerikan për AP, i cili foli në kushte anonimiteti.
Associated Press ka rindërtuar rrjedhën e sulmit, duke filluar në oborrin e shkollën në mëngjesin e 28 shkurtit. Ajo është bazuar në informacione publike, video, raporte të organizatave për të drejtat e njeriut dhe intervista me studiues e civilë brenda dhe jashtë Iranit për të zbuluar detaje të paraportuara më parë rreth bombardimit në Minab, përfshirë faktin se fëmijët e vrarë i përkisnin prejardhjeve dhe komuniteteve të ndryshme.
Megjithatë, shumë detaje për bombardimin mbeten të paqarta, pasi mungesa e informacionit nga Pentagoni dhe politizimi i sulmit nga regjimi teokratik i Iranit kanë vështirësuar përpjekjet për një raportim të pavarur. Kjo ka krijuar një vakum në llogaridhënie, duke lënë familjet e viktimave pa përgjigje. Mes mistereve që mbesin janë numri i municioneve që goditën shkollën dhe një listë e plotë e të vdekurve.
Kur u pyet javën e kaluar për sulmin, presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk e kishte lexuar raportin e Pentagonit dhe nuk kishte parë asgjë që ta bënte të besonte se SHBA-ja kishte kryer sulmin.
Provat nga videot, intervistat dhe burime të tjera japin një pamje më të plotë
Për rindërtimin e ngjarjes janë shfrytëzuar intervista me zyrtarë të Shteteve të Bashkuara, mbrojtës iranianë të të drejtave të njeriut, një banor të Minabit, një përfaqësues ndërkombëtar të Këshillit Koordinues të Sindikatës së Mësuesve të Iranit, si dhe studiues nga organizata të njohura ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Shumë njerëz që folën për AP-në ishin në kontakt të drejtpërdrejt me familjeve e viktimave dhe ekipet e shpëtimit që shkuan në vendngjarje. Shumica kërkuan të mbeteshin anonimë nga frika e hakmarrjes kundër tyre dhe atyre me të cilët kishin folur.
Mësuesit telefonuan prindërit që t’i merrnin fëmijët. Me pas bomba ra
Shkolla “Shajareh Tayyebeh” ishte një prej 30 shkollave me të njëjtin emër e ndërtuar për fëmijët nga familje me lidhje të ngushta me Gardën Revolucionare të Iranit apo institucione të tjera shtetërore, tha Shiva Amelirad, përfaqësuese e Këshillit të Mësuesve, e cila kishte punuar si mësuese në Iran për 18 vjet.
Sipas një analize të AP-së të imazheve satelitore, shkolla ndodhej afër një kompleksi të një baze të Gardës. Dikur ajo kishte qenë pjesë e asaj baze fqinje, para se të ndahej me një gardh dhe të shndërrohej në shkollë mbi një dekadë më parë.
Edhe pse disa prej nxënësve ishin fëmijë të zyrtarëve të Gardës që punonin në atë bazë, të tjerë ishin fëmijë vendas nga Minabi, i cili banohet kryesisht nga pjesëtarë të pakicës etnike baluçe, shumica e të cilëve janë myslimanë sunitë dhe shpesh përballen me shtypje nga qeveria iraniane, sipas Grupit për të Drejtat e Njeriut në Baluçistan.
Qindra nxënës besohet se ishin brenda ndërtesës në kohën kur mësuesit dhe administratorët morën lajmin se bombat kishin filluar të binin mbi Teheran rreth orës 9:40.
Mësuesit dhe administratorët menduan se ishte e mençur t'i dërgonin fëmijët në shtëpi. Ata i telefonuan prindërit, duke i thirrur për t'i marrë fëmijët më herët, thanë dy persona për AP-në. Një raport i publikuar së fundmi nga “Airwars”, një grup i pavarur me seli në Londër që merret me konfliktet e fundit, zbuloi gjithashtu se prindërit u thirrën për të marrë fëmijët e tyre.
Në orën 10:15 të mëngjesit, media shtetërore e Iranit doli me një njoftim për mbylljen e shkollave në vend.
Një baba shkoi menjëherë ta merrte djalin e tij 10-vjeçar, tha një banor i Minabit i cili tregoi ngjarje të disa familjeve të tjera. AP-ja verifikoi detajet e dhëna nga banorët me listat e disponueshme të të vdekurve dhe kronologjitë e ngjarjeve të asaj dite nga grupet e të drejtave të njeriut.
Babai vërejti të afërmit e tij 6 dhe 7 vjeç mes nxënësve që prisnin prindërit, tha banori. Ai u tha atyre nëse donin t’i dërgonte në shtëpi dhe ata thanë jo, se babai i tyre ishte rrugës.
Ai u largua me fëmijën e tij dhe u drejtua për në supermarket. Dhjetë minuta më vonë, dëgjoi shpërthimet.
Municione të shumta goditën kompleksin, duke goditur të paktën pesë ndërtesa, sipas një analize të AP-së të imazheve satelitore. Qindra kilogramë eksplozivë shkatërruan shkollën.
Një krah i vogël, i varur në rrënoja
Babai u kthye mbrapa në një skenë kaosi, ku banorë u mblodhën duke bërtitur ndërsa burrat hynë mes rrënojave për të nxjerrë trupat, sipas një videoje që qarkulloi pas bombardimit.
Ndërkohë, babai arriti t’i nxirrte dy trupa të djegur që beson se ishin të dy djemve, por nuk ishte i sigurt.
Njerëzit vazhduan të mblidheshin. Një burrë nga një fshat i afërt shkoi për të kërkuar për nipin e tij pasi mori një thirrje nga e ëma e djalit. Në rrënoja, ai gjeti djalin e vdekur të saj.
Ekipet e shpëtimit gjetën çanta të vogla dhe vizatime fëmijësh, lapsa me ngjyra e fletore. Mes rrënojave varej një krah i vogël.
Burra bartnin gjymtyrë dhe trupa të gjymtuar drejt spitalit lokal, tha Grupi për të Drejtat e Njeriut në Baluçistan. AP-ja nuk ka arritur të verifikojë numrin e saktë të municioneve që goditën shkollën, por sulmi kishte shkaktuar dëmtime aq të rënda, sa shumë pjesë trupash nuk mund të identifikoheshin më.
Deri në fund të ditës, mjekët në spital vlerësuan se kishin pranuar të paktën 108 trupa, por thanë se numri mund të ishte më i madh.
Ditën tjetër, media shtetërore raportoi se ishin rreth 150 të vrarë. Më vonë raportoi për 168.
“Ata i quajtën fëmijët martirë”
Tri ditë pas bombardimit, televizioni shtetëror shfaqi mijëra iranianë në Minab ku turma ishte përballë një portreti gjigant të Ayatollah Ruhollah Khomeinit, themeluesit të Republikës Islamike. Të gjithë prindërit e viktimave, pavarësisht etnisë ose besimit, duhet të merrnin pjesë, tha banori i Minabit.
Shumica e grave ishin në të zeza, veshje e zakonshme në Republikën Islamike, por jo mes njerëzve baluç.
Prindërve iu tha se do të lejoheshin t’i merrnin trupat e fëmijëve në fshatrat e tyre, tha banori. Në fund, shumica vendosën t’i varrosnin fëmijët së bashku.
Në pamjet me dron u pa një varg varresh të vegjël, identikë dhe të pashënuar.
“Media shtetërore promovoi një narrativë të bazuar në interesat e Gardës Revolucionare. Mund ta kuptosh këtë nga fakti se i quanin fëmijët martirë”, tha Amelirad.

Ngjarja bëhet më e vështirë për t’u treguar
Në përpjekje për të dokumentuar me shpejtësi bombardimet që vazhdonin, gazetarët dhe organizatat për të drejtat e njeriut patën vështirësi të verifikonin detajet nga Minabi. Ata nuk kishin qasje në vendin e sulmit. Kufizimet e vendosura nga qeveria në Iran penguan shumicën e gazetarëve të huaj të hynin në vend. Në ditën e parë të luftës, Irani ndërpreu internetin, duke e bërë thuajse të pamundur komunikimin me civilët.
Ndërsa lufta vazhdoi dhe Ngushtica e Hormuzit u bë pikë kyç, situata në provincë u bë më e tensionuar, sipas banorit. Të gjitha njësitë ushtarake u dislokuan në zonë. Familjet e viktimave u frikësuan nga hakmarrja nëse flisnin. Njerëzit raportohej se dënoheshin se përpiqeshin të komunikonin me mediat e huaja.
Kjo i la qeverisë iraniane kontrollin mbi narrativën dhe mënyrën e raportimit të sulmit.
“Pas sulmit, autoritetet iraniane... shfrytëzuan dhimbjen e familjeve të viktimave dhe të mbijetuarit për qëllime propagande”, shkroi organizata “Amnesty International” në mars.
Gjatë gjithë kësaj kohe, nuk u bë publike asnjë listë me emrat e viktimave.
Pentagoni gjen të dhëna në arkiv
Duke mos pasur qasje brenda Iranit, studiuesit u fokusuan te çështja e përgjegjësisë.
Irani fajësoi SHBA-në. Trumpi hodhi dyshime mbi përgjegjësinë amerikane dhe ia drejtoi gishtin Iranit.
Nga brenda, ushtria amerikane dinte më shumë se sa bëri të ditur fillimisht. Të dhënat ishin të fshehura në arkivat e saj.
Kur lajmi doli për herë të parë, ushtria amerikane e dinte se kishte kryer sulme në zonën përreth - megjithatë iu desh kohë për të verifikuar pretendimet iraniane se ishte goditur një shkollë dhe për të nisur një hetim zyrtar, tha një zyrtar amerikan i njohur me situatën.
Duket se, ndonëse ndërtesa ku ndodhej shkolla ishte identifikuar si e tillë nga një analist shtatë vjet më parë, ky zbulim nuk ishte komunikuar mjaftueshëm mirë midis agjencive të ndryshme të inteligjencës dhe ushtrisë, tha zyrtari amerikan.
Kur sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mori drejtimin, ai shkurtoi madhësinë e një zyre të quajtur Qendra për Mbrojtjen e Civilëve, e krijuar me vendim të Kongresit në fund të vitit 2022. Kjo ndali punën e saj për përditësimin e “listave të ndalimit të goditjeve”, të cilat janë lista të vendeve të mbrojtura si spitale, shkolla, kisha dhe xhami, që i mban Pentagoni, tha Wes Bryant, i cili filloi të punonte në atë zyrë në vitin 2024 si shef i degës për vlerësimin e dëmit civil.
Përpjekje për të gjetur më shumë përgjigje nga Minabi
Në javët e fundit, studiuesit kanë bërë disa përparime. “Airwars” ka kaluar muaj duke shqyrtuar informacione për të verifikuar identitetin e viktimave. Grupi ka përcaktuar emrat dhe identitetet e 157 të vdekurve, përfshirë 123 fëmijë, të gjithë 13 vjeç ose më të vegjël, dhe 34 të rritur. Midis të rriturve janë 26 anëtarë të stafit të shkollës (njëra prej të cilave ishte shtatzënë) dhe pesë prindër - secili prej të cilëve kishte humbur të paktën një fëmijë.
Grupi vlerëson se numri i të vdekurve është midis 157 dhe 168, dhe thotë se midis 95 dhe 111 persona janë plagosur.
Nuk është e qartë nëse rezultatet përfundimtare të hetimit ushtarak për Minabin do të publikohen.
Pjesa më e madhe e punës hetimore është përfunduar, por Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane, e cila e ka urdhëruar hetimin, aktualisht po i shqyrton gjetjet.
Hetime të ngjashme në të kaluarën janë mbyllur më shpejt. Kur një raketë Hellfire vrau 10 civilë në Kabul, Afganistan, më 29 gusht 2021, Departamenti i Mbrojtjes mori përgjegjësinë dhe dha detaje mbi operacionin brenda më pak se një muaji.
Kur u pyet për hetimin e Minabit javën e kaluar, Trumpi tha: “Nuk e di nëse ata do ta zgjidhin ndonjëherë atë problem”. Hegseth tha se raporti do të bëhej publik “kur të vijë koha e duhur”.
Disa anëtarë të Kongresit vazhdojnë të kërkojnë transparencë.