Ndërprerja e ndihmave humanitare nga Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar një krizë të thellë humanitare në Birmani, ku mijëra familje jetojnë në uri ekstreme, pa ushqim, ilaçe apo ndihmë mjekësore. Fëmijët janë më të prekurit, duke vdekur nga kequshqyerja dhe sëmundjet, si rasti i vogëlushit Hashim. Shumë refugjatë dhe të dëbuar, si komuniteti Rohingya, po përballen me kushte çnjerëzore në kampe të izoluara, ndërsa ndihmat e mbetura nuk mjaftojnë për mbijetesë.
Mohammed Taher mbante trupin e pajetë të djalit të tij 2-vjeçar dhe qante. Që kur familjes së tij iu ndërprenë ndihmat ushqimore në kampin e internimit në Birmani, në muajin prill, ai në pafuqi kishte parë teksa djali i tij dikur plot jetë dobësohej dita-ditës, vuante nga diarreja dhe lutej për ushqim.
Më 21 maj, pikërisht dy javë pasi djali i vogël i Taherit vdiq, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u paraqit në Kongres dhe deklaroi: “Askush nuk ka vdekur” për shkak të vendimit të qeverisë së tij për t’i shkurtuar ndihmat e huaja. Rubio këmbënguli gjithashtu: “Asnjë fëmijë nuk po vdes gjatë kohës që unë jam në detyrë”.
Kjo, thotë Taher, “është një gënjeshtër”.
“Humba djalin tim për shkak të ndërprerjes së ndihmave”, tregon ai. “Dhe nuk jam i vetmi, shumë fëmijë të tjerë në kampet e tjera kanë vdekur pa ndihmë, nga uria, kequshqyerja dhe mungesa e trajtimit mjekësor”.
Dhimbja e Taherit përsëritet në shumë familje në Birmaninë e shkatërruar nga lufta, ku sipas Kombeve të Bashkuara, 40% e popullsisë ka nevojë për ndihmë humanitare. Më parë, Shtetet e Bashkuara ishin donatori më i madh humanitar i këtij vendi. Por tani, Birmania është kthyer në qendër të vuajtjeve që kanë goditur më të pambrojturit në botë, pas vendimit të presidentit Donald Trump për ta shkatërruar Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Dhe ashtu si djali i Taherit, Mohammed Hashim, janë fëmijët ata që po vuajnë më shumë nga kjo krizë. Një studim i publikuar në qershor nga revista mjekësore The Lancet paralajmëroi se shkurtimi i fondeve amerikane mund të shkaktojë mbi 14 milionë vdekje deri në vitin 2030, përfshirë më shumë se 4.5 milionë fëmijë nën moshën 5 vjeç.
Taheri është një nga 145 mijë personat që janë detyruar të jetojnë në kampe të mbyllura e të pista në Rakhine, nën kontrollin e ushtrisë. Shumica, si ai, janë pjesë e pakicës së përndjekur Rohingya, e cila u sulmua nga ushtria në vitin 2017, në një akt që Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar si gjenocid.
Pasi ndihmat ushqimore u ndërprenë, familja e Taherit kaloi nga tri vakte në ditë në vetëm një. Taheri, bashkëshortja dhe pesë fëmijët e tyre u dobësuan aq shumë, sa disa ditë nuk mund të qëndronin as në këmbë.
Hashimi i vogël filloi të shuhej. Djaloshi i zgjuar dhe i dashur, që adhuronte të luante futboll dhe që dikur mbushte strehën e tyre me thirrjet e gëzueshme “Mami” dhe “Babi”, nuk mund të lëvizte më. I dëshpëruar nga të qarat e të birit, Taheri kërkoi ndihmë. Por ushtarët ndalonin banorët të dilnin nga kampi për të gjetur ushqim, dhe Taheri nuk kishte para për mjek. Nuk mund të bënte asgjë.
Më 7 maj, Taher dhe bashkëshortja e tij panë foshnjën e tyre të merrte frymën e fundit. Fëmijët e tjerë filluan të bërtisnin nga tmerri.
Fqinji Mohammed Foyas, i cili vizitoi familjen pas vdekjes së Hashimit dhe mori pjesë në varrimin e tij, konfirmoi ngjarjen për agjencinë Associated Press.
Kur e pyetën se kush është fajtor për humbjen e djalit, Taher u përgjigj qartë: Shtetet e Bashkuara.
“Ne në kampe mbijetojmë vetëm falë racioneve ushqimore”, thotë ai. “Pa racionet, nuk kemi asgjë - as ushqim, as ilaçe, as mundësi për të jetuar”.
“Shtresa më e ulët e ferrit”
Në të gjithë Birmaninë dhe në kampet e refugjatëve përgjatë kufijve të saj, shkurtimi i ndihmave ka lënë fëmijë që bërtasin e qajnë për ushqim. Shtetet e Bashkuara thonë se vende të tjera duhet të marrin më shumë përgjegjësi, por edhe ato kanë ulur ndihmat humanitare, duke pretenduar se fondet u duhen për mbrojtje. Ndërkohë, popullsia e Birmanisë, e rraskapitur nga vite të tëra lufte, është bërë edhe më e brishtë.
Shërbimet shëndetësore janë dobësuar dhe në disa zona janë zhdukur plotësisht. Të sëmurët dhe të uriturit po shuhen ngadalë, dhe njerëzit janë të detyruar të kërkojnë ushqim në pyll për orë të tëra çdo ditë.
Kjo histori është ndërtuar mbi intervista me 21 refugjatë, 5 persona të bllokuar brenda kampeve të internimit në Birmani dhe 40 punonjës ndihmash, mjekë dhe studiues.
Shtëpitë e sigurta që strehojnë kundërshtarët e regjimit janë mbyllur, duke i lënë njerëzit në mëshirën e ushtrisë së pamëshirshme të Birmanisë, e cila që nga grusht shteti në vitin 2021 ka vrarë mbi 7.300 civilë dhe ka burgosur pothuajse 30.000 të tjerë në qendra torturash.
“Për Birmaninë, ne tashmë jemi në shtresën më të ulët të ferrit”, thotë Viktor, një drejtues i një programi emergjent të organizatës Freedom House, që dikur ndihmonte qindra njerëz që kundërshtonin regjimin ushtarak.
Që kur ndihmat amerikane u ndërprenë dhe programi u mbyll, rreth 100 civilë i kanë dërguar mesazhe Viktorit duke kërkuar ndihmë që ai nuk mund ta ofrojë më.
“Nuk di ç ‘t’u them,” rrëfen ai.
Edhe pse Shtetet e Bashkuara shpenzojnë vetëm rreth 1% të buxhetit të tyre për ndihma të huaja, presidenti Donald Trump e quajti USAID-in - dikur donatorin më të madh humanitar në botë - “humbje parash” dhe e pezulloi.
Për shkak të këtyre shkurtimeve, Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) në prill ndërpreu ndihmat për 1 milion persona në gjithë Birmaninë. Në rajonin qendror të Rakhines, përqindja e familjeve që nuk mund të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm u rrit nga 33% në dhjetor 2024 në 57% në prill, sipas WFP-së.
Ushtria e Birmanisë është akuzuar prej kohësh se pengon ndihmat në disa pjesë të Rakhines. Shkurtimet e fondeve e kanë bërë situatën edhe më të rëndë, thotë Tun Khin, president i Organizatës së Rohingyave të Birmanisë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Këto shkurtime të ndihmës nga SHBA-ja po ndihmojnë ushtrinë në politikën e saj gjenocidale të urisë kundër Rohingyave”, thotë ai.
Këto ndihma janë ndalur në momentin më të errët të Birmanisë. Pas tërmetit të madh të marsit që la të vdekur mbi 3.800 njerëz, SHBA-ja dërgoi tre punonjës ndihmash në vend - të cilët, ndërsa ndodheshin në zonën e katastrofës, morën njoftime për pushim nga puna nga administrata e Trumpit.
Në një deklaratë për Associated Press, Departamenti i Shtetit tha se SHBA-ja “vazhdon të qëndrojë me popullin e Birmanisë”, por nuk iu përgjigj shumicës së pyetjeve të agjencisë.
“Ndërsa vazhdojmë të ofrojmë ndihma jetike në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara presin që vendet e afta t’i rrisin kontributet e tyre kur të jetë e mundur”, thuhej në deklaratë, që tashmë mbulon programet e mbetura të USAID-it.
Michael Dunford, drejtori i WFP-së për Birmaninë, i cili vizitoi Rakhinen në prill, tha se disa nëna kishin filluar të gatuanin një supë të hollë me bar për t’i ushqyer fëmijët.
“Ndjesia e dëshpërimit dhe mungesa e shpresës ishin të prekshme”, tha Dunford. “Një burrë i moshuar, me lot në sy, më tha: ‘Nëse WFP nuk na ushqen dhe autoritetet nuk na ndihmojnë, atëherë ju lutem hidhni një bombë mbi ne - sepse nuk mund të jetojmë më kështu’”.
Për disa, dhimbja e shkaktuar nga ndërprerja e ndihmave është bërë aq e padurueshme, sa vdekja duket si e vetmja zgjidhje. Pamundësia për të parë familjen e tij të vuante nga uria e çoi në vetëvrasje një baba 40-vjeçar, Mohammed Eliyas, thotë i biri, Mohammed Amin.
Pasi racionet ushqimore u zhdukën, familja e tyre jetonte me një vakt në ditë - oriz dhe gjethe perimesh.
“Babai im u shqetësua dhe u dëshpërua”, tregon Amin. “Trishtimi dhe dëshpërimi u bënë aq të rëndë, sa ai filloi të besonte se vdekja ishte më e mirë sesa jeta në uri dhe mjerim pa fund”.
Një ditë në qershor, ndërsa familja ishte mbledhur për të ngrënë, Eliyas filloi të qante. Askush nuk e kuptoi se ai kishte përzier helm në orizin e tij.
Ai s’na tha lamtumirë.
Të uritur, të lënduar e të tmerruar
12-vjeçari Mohama qëndron i ulur në baltë teksa bie shi. Ai nxjerr krimba nga toka dhe i vendos në një gotë plastike të grisur.
Krimbat janë gjëja që do t’i shërbejnë për peshqit që ai shpreson t’i kapë për familjen e tij. Kohët e fundit, në kampin e refugjatëve në Tajlandë, ushqimi ka munguar.
Pavarësisht shiut të fortë, ai merr shkopin e tij prej bambuje dhe e kalon ujin që i arrin deri në gjoks.
Shumë fëmijë të Birmanisë kanë shpëtuar nga lufta, por tani janë të uritur e shpesh të lënduar nga një vendim politik që nuk e kuptojnë.
Mohama iku në Tajlandë me prindërit, vëllain e madh dhe dy motrat e vogla në vitin 2023, pasi ushtarët sulmuan fshatin e tyre. Ai kujton se qëndruan në një strehë bombash dhe vrapuan së bashku me shumë të tjerë që iknin për jetën.
Prindërit e tij u kthyen në Birmani për të punuar, ndërsa motrat iu bashkuan më vonë. Tani ai jeton me gjyshërit dhe vëllain adoleshent në një strehë me një dhomë.
Pas dy orësh, Mohama tregon peshqit që ka kapur: rreth 10 peshq të vegjël, secili më pak se 3 centimetra. Kjo është mjaft për disa kafshata.
Por kjo është ditë me fat. Disa ditë kap vetëm gjysmën.
Soe, një djalë 11-vjeçar, lufton me rrjedhën e lumit për të kapur peshk. Trupi i tij i dobët është i mbuluar nga një bluzë rozë.
Afër tij, fëmijët bartin dru sa madhësia e trupit të tyre për t’i shitur.
“Ndonjëherë kam mjaft ushqim”, thotë Soe. “Por më shumë jam i uritur.”
Disa ditë lë mëngjesin dhe drekën dhe shkon në shkollë me stomak bosh. Të paktën shkolla është një mundësi për të; por mësuesja Saung Hnin Wai thotë se 10 nxënës kanë lënë shkollën që nga shkurtimet e fondeve, pasi prindërit nuk mund t’i paguajnë tarifat dhe kanë nevojë për ndihmën e fëmijëve.
Shumica e nxënësve të mbetur vuajnë nga uria. Materialet e mësimit po mbarojnë. Fondet që dikur përdoreshin për riparimin e çatisë janë zhdukur, kështu që shkolla mbyllet kur bie shi.
Kur mbaron orizi në strehën e Naung Pate, 48 vjeç, paniku përfshin gjashtë fëmijët e saj.
Ajo fsheh shqetësimin dhe i siguron se do të gjejë ushqim, edhe pse tashmë nuk ka kurrë mjaftueshëm.
“T’i shoh fëmijët e mi që hanë vetëm oriz me peshk dhe mbetje perimesh më thyen zemrën”, thotë ajo, e dërmuar.
Ajo nxjerr nga shporta degë bambuje të mbledhura, që i sjellin vetëm 4 baht (12 centë) për kilogram.
Zakonisht duhet të kalojë tetë orë duke u ngjitur në male për të mbledhur sa duhet që të blejë oriz.
“Nëse SHBA-ja nuk rifillon mbështetjen, jam e shqetësuar për mbijetesën e fëmijëve të mi”, thotë ajo.
Nga vendi pranë lumit, Ababa afron dorën te goja, duke treguar se është uritur.
Në krah të tij, nëna 60-vjeçare, Ababa Moe, tund kokën e lodhur. I ka dhënë tashmë ushqimin e saj për ditën.
Ajo nuk ka si t’i shpjegojë rrezikun djalit të saj, që është 17 vjeç, por është me nevoja të veçanta.
Si nënë e vetme, e dobët për të kërkuar ushqim, ajo nuk ka mundësi t’i sigurojë jetën.
Gjithashtu është tepër e moshuar për përfitime nga politika e re e qeverisë së Tajlandës, që u jep të drejtë pune disa prej 107.000 refugjatëve nga Birmania që jetojnë në kampet kufitare të Tajlandës.
Djali i saj kurrë nuk mësoi të flasë dhe ka nevojë për ndihmë në gjithçka, nga veshja deri te përdorimi i tualetit.
Që nga shkurtime e fondeve, mbijetesa e tyre varet nga bamirësia e kishës së tyre kristiane, ku anëtarët herë pas here i japin pak oriz.
Ajo vuan nga diabeti dhe tensioni i lartë i gjakut, dhe ndonjëherë djersitet dhe ka marramendje nga uria. Disa ditë nuk ha fare.
Duke ditur se të gjithë në kamp janë në të njëjtën situatë të rëndë, ajo gjen një ngushëllim të hidhur.
“Nëse do të vdesim nga uria, të gjithë do të vdesim”, thotë ajo. “Nuk jam vetëm unë”.
“Nuk ka asgjë për ne këtu”
Karmar humbi jo vetëm ndihmat, por edhe punën e tij në International Rescue Committee.
Ai ka humbur 16 kilogramë dhe është bërë i panjohur edhe për miqtë.
“Po vdesim”, thotë ai. “Këtu nuk ka asgjë për ne”.
55-vjeçari fshin djersën dhe tregon se para pak ditësh u rrëzua në një fushë misri, duke punuar për 120 bah, mjaft për një ditë oriz.
Ai nuk e zgjodhi këtë jetë. Ushtarët dogjën fshatin, vranë vëllain, dhe familja iku në vitin 2006.
“Jeta këtu nuk ka qenë kurrë e lehtë”, thotë. “Por tani është e padurueshme”.
“Hidhërimi është aq i madh sa nuk mund të qaj. Bota ka harruar refugjatët dhe popullin e Birmanisë”, thotë Kamari.
Mungesa e ushqimit ka shtyrë shumë njerëz të vjedhin. Natën, ai dëgjon hajdutët dhe frikën. Së fundi, kapi 27 veta që vidhnin - mes tyre edhe një mik.
“Pse po e bën këtë?” e pyeti. “Nuk kemi asgjë për të ngrënë”, iu përgjigj miku.
Karmar nuk vjedh. Kur është i sëmurë, kërkon ndihmë nga të tjerët.
Shpesh, ai ecën në male e lumenj për të gjetur diçka për të ngrënë apo shitur.
“Kam një dhimbje të madhe në zemër”, thotë me zë të dridhur. “Fëmijët më kërkojnë para dhe unë s’mund t’u jap”. Pastaj fillon të qajë.
Tani ka vetëm një shpresë: që populli amerikan të ketë mëshirë për Birmaninë.
“Do të vdesim të gjithë nëse vazhdon kështu”, thotë ai. “Nuk mund të durojmë më”.