Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s do të miratojnë të enjten objektivat për blerjen e më shumë armëve dhe pajisjeve ushtarake për të mbrojtur më mirë Evropën, Arktikun dhe Atlantikun e Veriut, si pjesë e një shtytjeje të SHBA-së për të rritur shpenzimet e sigurisë.
Të ashtuquajturat "Objektivat e aftësisë" do të përcaktojnë plane për secilin prej 32 vendeve për të blerë pajisje prioritare si sisteme mbrojtëse ajrore dhe raketore, artileri, municione, dronë dhe "mundësues strategjikë" siç janë furnizimi me karburant ajër-ajër, transporti i rëndë ajror dhe logjistika, raporton AP.
"Sot vendosim për objektivat e aftësisë. Prej andej, do të vlerësojmë boshllëqet që kemi, jo vetëm për të qenë në gjendje të mbrohemi sot, por edhe pas tre, pesë, shtatë vjetësh nga tani”, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte.
"Të gjitha këto investime duhet të financohen", u ka thënë ai gazetarëve para se të kryesonte takimin në selinë e NATO-s në Bruksel.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologët e tij të NATO-s takohen më 24-25 qershor për të rënë dakord për objektiva të reja të shpenzimeve ushtarake.
Objektivat caktohen nga NATO bazuar në një plan të dakordësuar në vitin 2023, ndryshimi më i madh i planifikimit të organizatës ushtarake që nga Lufta e Ftohtë, për të mbrojtur territorin e saj nga një sulm nga Rusia ose një kundërshtar tjetër i madh.
Sipas planeve, NATO-ja do të synojë të ketë deri në 300,000 trupa të gatshme për t'u zhvendosur në krahun e saj lindor brenda 30 ditëve, megjithëse ekspertët sugjerojnë se aleatët mund të kenë vështirësi në mbledhjen e këtyre numrave.
Vendeve anëtare u caktohen role në mbrojtjen e territorit të NATO-s në tri zona kryesore: veriun e lartë dhe zonën e Atlantikut, një zonë në veri të Alpeve dhe një tjetër në Evropën Jugore.