Udhëheqësit e NATO-s pritet të bien dakord këtë javë që vendet anëtare duhet të shpenzojnë 5% të produktit të tyre të brendshëm bruto për mbrojtje, me përjashtim për shtetin spanjoll.
Spanja ka arritur një marrëveshje me NATO-n për t'u përjashtuar nga objektivi i shpenzimeve prej 5% të PBB-së, ndërsa presidenti Donald Trump ka thënë se shifra nuk duhet të zbatohet për Shtetet e Bashkuara, vetëm për aleatët e saj.
Duke njoftuar vendimin e Spanjës të dielën, kryeministri Pedro Sanchez ka thënë se gjuha e premtimit për shpenzime në komunikatën përfundimtare të samitit të NATO-s, nuk do t'i referohej më "të gjithë aleatëve".
Kjo ngre pyetje rreth kërkesave për të cilat mund të këmbëngulin anëtarët e tjerë të aleancës si Belgjika, Kanadaja, Franca dhe Italia, të cilët gjithashtu do të kishin vështirësi të rrisnin shpenzimet e sigurisë me miliarda dollarë.
Të premten, Trumpi ka këmbëngulur se SHBA-ja i ka mbështetur aleatët e saj për vite me radhë dhe tani ata duhet të ndërmarrin hapa.
"Nuk mendoj se ne duhet, por mendoj se ata duhet", ka thënë Trumpi. "NATO-ja do të duhet të merret me Spanjën”, ka shtuar ai.
Trumpi gjithashtu e ka quajtur Kanadanë "një paguese të dobët".
Objektivi prej 5% përbëhet nga dy pjesë. Aleatët do të bien dakord të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 3.5% të PBB-së, nga objektivi aktual prej të paktën 2%, të cilin 22 nga 32 vendet e kanë arritur.
Paratë e shpenzuara për të armatosur Ukrainën do të llogariten gjithashtu.
Një 1.5% tjetër do të përfshinte përmirësimin e rrugëve, urave, porteve dhe aeroporteve në mënyrë që ushtritë të mund të vendosen më mirë, vendosjen e masave për të luftuar sulmet kibernetike dhe hibride dhe përgatitjen e shoqërive për konflikte të ardhshme.
Shporta e dytë e shpenzimeve është e lehtë për shumicën e kombeve, përfshirë Spanjën. Por 3.5% për shpenzimet bazë është një sfidë e madhe.
Vitin e kaluar, Spanja ka shpenzuar 1.28% të PBB-së për buxhetin e saj ushtarak, sipas vlerësimeve të NATO-s, duke e bërë atë shpenzuesen më të ulët të aleancës. Sanchez ka thënë se Spanja do të ishte në gjendje të respektonte angazhimet e saj ndaj NATO-s duke shpenzuar 2.1% të PBB-së për nevojat e mbrojtjes.
Spanja është gjithashtu ndër furnizuesit më të vegjël të armëve dhe municioneve në Evropë për Ukrainën, sipas Institutit Kiel, i cili gjurmon një mbështetje të tillë. Vlerësohet se ka dërguar ndihmë ushtarake me vlerë rreth 800,000 euro që nga pushtimi rus në vitin 2022.
Përtej sfidave ekonomike të Spanjës, Sanchez ka edhe probleme të tjera.
Ai mbështetet te partitë e vogla për të qeverisur dhe skandalet e korrupsionit kanë përfshirë rrethin e tij të ngushtë dhe anëtarët e familjes.
Ai është nën presion në rritje për të thirrur zgjedhje të parakohshme..