Botë

NATO-ja forcon mbrojtjen pas hyrjes së dronëve rusë në Poloni

Polonia

Foto: Associated Press

Dronët rusë në Poloni kanë shqetësuar fort liderët evropianë dhe aleatët e NATO-s, duke ngjallur frikën për një zgjerim të konfliktit. Ky veprim provokues ka detyruar NATO-n ta rishikojë gatishmërinë e saj ushtarake, ndërsa Polonia ka forcuar mbrojtjen dhe po përgatitet të marrë avionë të rinj luftarakë për t’u përballur me kërcënimet në rritje

Liderët evropianë të enjten shprehën shqetësim për rritjen e armiqësisë ruse që kërcënon vendet e tyre. Tensionimi u shtua nga ngjarjet e së mërkurës, kur disa dronë rusë u futën në hapësirën ajrore polake.

Kjo shkelje që ndodhi, ndërsa Rusia po i vazhdon sulmet e saj ndaj Ukrainës, rriti frikën se lufta mbi trevjeçare mund të përhapet në një konflikt më të madh. Përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për t’i çuar Moskën dhe Kievin drejt një marrëveshjeje paqeje deri tani nuk kanë pasur sukses.

Zyrtarët evropianë thanë se ngjarja e së mërkurës ishte një provokim i qëllimshëm, që detyroi NATON-n të përballet me një kërcënim potencial në hapësirën e saj ajrore për herë të parë dhe t’i rishikojë përgjigjen dhe kapacitetet e saj ushtarake.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, foli për këtë ngjarje me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Friedrich Merz, të enjten.

Zyra e Starmerit njoftoi se ishte e qartë se Rusia po rrit agresivitetin, duke shtuar sulmet në një fushatë me veprime gjithnjë e më armiqësore. Qeveria gjermane deklaroi se do të zgjerojë dhe do të forcojë mbrojtjen ajrore mbi Poloninë.

Komandanti suprem i NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, tha të enjten se aleanca nuk ishte e sigurt për numrin e dronëve që hynë në territorin polak, apo nëse ata u lansuan qëllimshëm.

“Por ne do të nxjerrim mësime. Do të mësojmë se çfarë duhet të përmirësojmë në pozicionin tonë për t’i trajtuar këto sulme”, tha Grynkewich në Vilnius, Lituani.

Ministrat e jashtëm të Ukrainës, Polonisë dhe Lituanisë nxorën një deklaratë të përbashkët, ku e quajtën këtë sulm “një provokim i qëllimshëm dhe i koordinuar që rrit tensionet në mënyrë të paprecedent”.

Presidenti finlandez, Alexsander Stubb, i cili u takua të enjten me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në kryeqytetin ukrainas, tha se tani “kufiri mes luftës dhe paqes është bërë i paqartë”.

“Tani jetojmë në një kohë pasigurie”, tha Stubb në një konferencë shtypi me Zelenskyn.

Kremlini zyrtar njoftoi se nuk kishte asgjë për të shtuar mbi një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë të mërkurën, e cila insistoi se forcat ruse nuk kishin goditur Poloninë dhe se ishin të hapur për të diskutuar ngjarjen me zyrtarët polakë.

Polonia pret të marrë avionët e parë “F-35” nga Shtetet e Bashkuara vitin e ardhshëm. Këta do të jenë avionët e parë nga 32 që pritet të dorëzohen deri në vitin 2030, si pjesë e një pakete mbështetëse të finalizuar pesë vjet më parë, shtoi ai.

E ndërkohë, presidenti polak, Karol Nawrocki, gjithashtu vizitoi një bazë ushtarake ajrore të enjten, duke folur me ton të fortë dhe duke thënë se Polonia “nuk trembet nga dronët rusë”.

Nawrocki e përshkroi sulmin si “një përpjekje për të testuar aftësitë tona, aftësinë për t’u përgjigjur.”

Ai ishte duke vizituar bazën në Poznan-Krzesiny, në perëndim të Polonisë.
19 dronë rusë ishin futur në territorin polak, ndërsa tre u rrëzuan.